2016-01-03 11:47:00

Më 3 janar Kisha kremton Emrin e Shenjtë të Jezusit


Më 3 janar kalendari Kishtar kremton festën e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Emri i Shenjtë i Jezusit gjithmonë qe lavdëruar e nderuar në Kishë qysh në kohët e para, mirëpo vetëm në shekullin XIV filloi të ketë kultin e posaçëm liturgjik. Shën Bernardini, i ndihmuar nga sivëllezërit rregulltarë, posaçërisht nga Alberti i Sarteàno-s e Bernardini i Feltre-s, e përhapi me vrull e zell përshpirtërinë ndaj Emrit të Shenjtë të Jezusit çka bëri që përfundimisht të themelohet edhe si festë liturgjike për mbarë Kishën.
Në vitin 1530 Papa Klementi VII autorizoi Urdhrin françeskan të recitonte Lutjet e Ditës në festën e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Papa Shën Gjon Pali II e rivendosi këtë festë më 3 janar si përkujtim fakultativ, pra jo të detyrueshëm në Kalendarin Romak.
Kështu shkruan shën Pali në drejtën drejtuar Filipianëve “Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë” dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zoti!”!(Fil 2,9-11). E shën Gjon Apostull në Letrën e tij të Parë shkruan: “Po ju shkruaj, fëmijëzit e mi: “Mëkatet tuaja janë falur në fuqi të Emrit të Tij!” (1Gjn 2,12), derisa shën Pali në drejtën drejtuar Romakëve shton: “Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet”! (Rm 10,13).

Në Librin e tij kushtuar “Fëmijërisë së Jezusit, Papa Benedikti XVI kujton skenën ungjillore të Engjëllit të Tënzot, që i kumton Marisë se do të nxjerrë në dritë “Birin e Hyjit” dhe i premton se i Tejetlarti do t’i japë fronin e Davidit. Ai do të mbretërojë përgjithnjë mbi shtëpinë e Jakobit e mbretëria tij nuk do të ketë mbarim. Foshnja do të quhet Jezus, emër që vjen misteriozisht nga Sinai e do të thotë: Hyji shpëton!

Nga fjalimet e Shën Bernardinit nga Siena : Emri i Jezusit, themeli i madh i fesë
Ky është ai Emër tejet i shenjtë që u dëshirua aq shumë nga etërit e lashtë, u prit me aq merak të madh, u psherëti me gjëmë të mëdha, u thirr me klithje të forta, u kërkua me lot të shumtë, por që u dhurua në mënyrë të mëshirshme në kohën e hirit. Fshehe, të lutem, emrin e pushtetit, mos të dëgjohet emri i hakmarrjes, le të mbahet emri i drejtësisë. Na e jep emrin e mëshirës, le të jehojë në veshët e mi emri i Jezusit, sepse zëri yt me të vërtetë është i ëmbël dhe fytyra jote është e shkëlqyer (krh. Kk 2, 14).
Themel i madh i fesë, pra, është emri i Jezusit, që i formon bijtë e Hyjit. Dhe vërtet, besimi i fesë katolike qëndron në njohjen rrezatuese të Jezu Krishtit, që është drita e shpirtit, dera e jetës dhe themeli i shpëtimit të amshuar. Ai që nuk e ka apo ai që e braktis atë njohje, është porsi ai që ecën pa dritë në errësirën e natës dhe vrapon me sy të mbyllur nëpër shtigje të rrezikshme.
Le të shkëlqejë sa të dojë për shkak të madhërisë së mendjes: por derisa ai e ndjek inteligjencën e tij për të kuptuar misteret qiellore, do të ndjekë një udhëheqës të verbër, ose do të jetë si ai që dëshiron të ndërtojë shtëpinë dhe i le pas dore themelet, është porsi ai që dëshiron të kalojë nëpër kulm duke mos e marrë para sysh derën. Ky themel, pra, është Jezusi, drita dhe dera (krh. Gjn 8, 12; 10, 9). Ai shfaqet udha (krh. Gjn 14, 6) e endacakëve; ai u ka dhënë të gjithëve dritën e fesë, nëpërmjet së cilës ai që nuk e njihte Zotin ka mundur ta kërkojë, ai që e kërkonte ka mundur të besojë në të, ai që ka besuar ka arritur ta gjejë.
Ky themel e mban Kishën, të ndërtuar në emrin e Jezusit. Emri i Jezusit është shkëlqimi i atij që e shpall Ungjillin, për vet faktin se ai e dhuron shkëlqimin e ndritshëm, ai bën që fjala e tij të kumtohet dhe të jehojë. Drita e fesë është përhapur në tërë botën me një gjerësi, me një shpejtësi dhe me një zell të jashtëzakonshëm: e nga mendon ti se mund të ketë ardhur kjo gjë veçse nga predikimi i Jezusit? A thua Zoti nuk na ka thirrur në dritën e tij të admirueshme (krh. 1 Pjt 2, 9) me shkëlqimin dhe ëmbëlsinë e këtij emri? Kështu të ndriçuar dhe duke parë dritën në këtë dritë (krh. Ps 36 /35/, 0), me të drejtë apostulli thotë: “Dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës” (Ef 5, 8).
O emër i lavdishëm, emër që dhuron hir, emër që nxit dashuri dhe virtyt! Falë teje braktiset udha e krimit, falë teje mposhten armiqtë, falë teje të sëmurët janë shëruar, të trazuarit kanë rifituar fuqinë dhe harenë. Ti, nderi i besimtarëve, mësuesi i ungjilltarëve, fuqia e atij që heq mund, mbështetja e atij që është në vështirësi. Në zellin tënd të zjarrtë dëshirat ndizen, lutjet dëgjohen, shpirtrat kundrues dehen dhe nëpërmjet teje janë të lavdëruar të gjithë ata që janë kurorëzuar në lavdinë qiellore. Na e dhuro edhe neve, o i ëmbli Jezus, në saje të këtij emri tënd të shenjtë, që të mbretërojmë me ta.
“Fjalimet” (Shën Bernardini nga Siena)








All the contents on this site are copyrighted ©.