2016-01-01 17:57:00

Françesku hap Portën Shenjte në Shën Marinë e Madhe: falja e Krishtit mbi kryq nuk njeh kufij


Sot pasdite, në orën 17.00, Papa ishte në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, ku kryesoi Meshën e hapjes së Portës Shenjte.

Të falem, o Nënë e Mëshirës! Kjo përshëndetje drejtuar Nënës së Zotit, përshkoi tej e mbanë gjithë homelinë e mbajtur pasdite në Bazilikën aq të dashur për Françeskun. Ishte himn për Zojën e Bekuar, në ditën kur Kisha  e kremton si Nënë e Zotit. Himn i një autori të panjohur, të lashtë, që arriti deri në kohët tona e që gurron vetvetiu nga zemra e besimtarëve, me e pa fjalë: “Të falemi, o Nënë e mëshirës, Nënë e Zotit e Nënë e ndjesës; Nënë e shpresës e Nënë e hirit, Nënë përplot me gëzimin shenjt!”.

Në këto pak fjalë përmblidhet feja e breznive të tëra që, me sytë  e ngulur mbi ikonën e Zojës, kërkojnë prej saj ndërmjetësi e ngushëllim.

Porta Shenjte, që sapo e hapëm, kujtoi në vijim Papa, është Portë e Mëshirës. Kushdo e kapërcen pragun e saj, thirret të zhytet  në dashurinë mëshirëplote të Atit, me besim të plotë e pa kurrfarë frike; e mund të niset nga kjo Bazilikë me sigurinë se do ta ketë gjithnjë pranë Marinë, Nënën e Princit të Paqes.

Maria është Nëna e Zotit që fal, prej këndej, mund ta quajmë Nënë e faljes.  Kjo fjalë “falje”, krejt e pakuptueshme për mendësinë e botës, tregon pikërisht frytin origjinal të fesë së krishterë. Kush nuk di të falë, nuk di të dojë. E vetëm kush do, është në gjendje të falë, duke e harruar fyerjen që pësoi.

Tek këmbët e Kryqit, Maria shikon të Birin, që fal gjithçka. Fal gjithë vetveten, duke dëshmuar ç’do të thotë të duash, ashtu si do Zoti. Në këtë çast e dëgjojmë Jezusin duke shqiptuar fjalë që, ndoshta-ndoshta ia kishte mësuar ajo vetë, që kur ishte fëmijë: “Fali, o Atë, sepse nuk e dinë ç’po bëjnë”(Lk 23,34). Në atë çast Maria bëhet për ne të gjithë Nënë e faljes  e i mëson edhe Kishës se falja e ofruar mbi Golgotë, nuk njeh kufij. Falja e Kishës duhet të ketë po atë shtrirje,  që pati falja e Jezusit mbi kryq, e edhe ajo e Marisë, tek këmbët e Tij. Nuk ka rrugë tjetër. Prandaj Shpirti Shenjt i bëri apostujt mjete të frytshme të faljes.

E Papa u rikthye përsëri, në përfundim të homelisë, tek himni marian: “Nënë e shpresës e Nënë e Hirit, Nënë përplot me gëzimin shenjt! Shpresa, hiri e gëzimi janë motër e vëlla, janë dhanti e Krishtit, madje, janë emra, të shkruar, thënë simbolikisht, mbi vetë korpin e Zotit. Dhantia, që Maria na bën, duke na dhuruar Krishtin, është ajo e faljes: e rinon jetën, na krijon mundësinë ta bëjmë përsëri vullnetin e Zotit e na mbush me lumturi. Ky hir na hap zemrën për ta shikuar ardhmërinë me gëzimin e njeriut, që shpreson.

Ta kapërcejmë, pra - ishte ftesa  e Papës - këtë Portë Shenjte të Mëshirës, me sigurinë se kemi përkrah Virgjërën Nënë, Nënën e Shenjtë të Zotit, që ndërmjetëson për ne. Ta lëmë të na shoqërojë, për të rizbuluar bukurinë e takimit me Birin e saj Jezus, ta hapim në dy kanatat zemrën tonë për gëzimin e faljes, të vetëdijshëm se kështu na kthehet shpresa e jeta jonë bëhet mjet i përvuajtur i dashurisë së Zotit.

E me dashurinë e bijve, të brohorasim me fjalët e popullit të Efezit, në kohën historike të Koncilit: “O e Shenjta Nënë e Zotit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.