2015-12-31 00:00:00

Urime Vitin e Ri! Unë ta besoj veten Ty, o Zot! Ditët e mia janë në dorën tënde!


Urime Vitin e Ri! “Unë ta besoj veten Ty, o i Amshuar; unë kam thënë: Ti je Zoti im. Ditët e mia janë në dorën tënde!

Sa shpresa, sa dëshira, sa plane ka secili prej nesh në fillimin e një viti! Por edhe sa shqetësime për vete e për të dashurit e vet; sa frikë për jetën tonë të përditshme e për të gjitha ata, të cilëve ua dimë luftën për ekzistencë, vështirësitë, padrejtësitë që përballojnë e nganjëherë, dhunën që i shtyp.
Përballë kësaj bote me dy fytyra, përballë gëzimit e trishtimit, përballë së mirës e së keqes, urojmë që çdo besimtar shqiptar, me zemër të dëlirë, të mund të thotë së bashku me psalmistin: “Unë ta besoj veten Ty, o i Amshuar; unë kam thënë: Ti je Zoti im. Ditët e mia janë në dorën tënde”.

Fillojmë një vit të ri, o Zot
e s’mund të mos shikojmë dritë-hijet
që ndeshen në horizont.

Shpirti na dridhet me mijëra dridhje,
që nuk gjejmë fjalë t’i rrëfejmë,
se na vjen turp, kur shohim tjetrin
që ecën pranë nesh me lot në sy,
e s’mund t’ia terim, e s’duam t’ia terim.

E turp, kur tjetrin
me sy mosbesues e shikojmë
e veten e ndjejmë larg prej tij,
mbyllur në unin tonë,
shumë larg vëllazërisë.

E megjithatë ti na dhuron
përsëri një vit të ri,
që sigurisht aspak s’e meritojmë.
Përsëri na fton të besojmë në Ty,
në dashurinë e Atit tënd,
të shpresojmë, ku nuk ka shpresë,
të luftojmë, kur beteja
na duket e bjerrun.

Një vit të ri fillojmë
plot me besim se asnjë ditë
s’do të na mungojë drita jote
forca jote!
Me të, mes gjamës së motit
një copë qiell gjithnjë do të shikojmë.

Mëshirë e mishëruar,
Ti i do gjymtyrët e ligshta
të ferishteve ndër djepa,
që në krahët e tu jetojnë.
 Hyr në ditët e Vitit të ri,
si hyn era e lehtë
nëpër dritare të çelur.

Hyr si blerim,
mos ik, pa Ty Viti i Ri
s’ka shije as kuptim!

Për Shumë Mot, këtë lloj Viti të Ri!








All the contents on this site are copyrighted ©.