2015-12-31 15:24:00

Meditim për kohën në ditën e parë të Vitit të Ri!


Një Vit i Ri hap para nesh portat e kohës së vet: na dhuron:

Kohë për të shëtitur në brigjet e lumit duke erëtuar profumet e pranverës;
për të ecur me vendosmëri drejt realizimit të qëllimeve tona;
për të vrapuar, që të arrijmë të parët në cakun e dëshiruar;
për të pushuar pakëz e për të shikuar ç'ngjet për rreth.
Kohë për të shëtitur e për të parë qiellin e qindisur me yje;
për të shkuar e për t'u takuar me një mik;
për të vrapuar, që ta ndjejmë veten më të fortë;
për t'u ndalur një të imtë e për të reflektuar.
Kohë për të shtyrë një karrocë, nga pelenat e së cilës qesh një foshnjë;
për të ecur në një shteg të rrëpirtë,
për të vrapuar që të takojmë të parët një mik,
për t'u ndalur, sepse gjunjtë nuk na mbajnë më.
Kohë për të shëtitur nëpër rrugët përplot me njerëz,
për të shkuar, as ne s'e dimë se ku;
për të vrapuar që të mund të bëjmë sa më shumë punë,
për t'u ndalur pranë një elteri, për t'u lutur.
Kështu njerëzit vrapojnë pas kohës: të ngutshëm, të vrullshëm, të paduruar, të djersitur, të nxituar…
Për të shëtitur…. Për të ecur… për të vrapuar, për t'u ndalur…Nuk të kërkoj, o Zot, kohë për të bërë këtë e atë, të lutem të bëj në kohë atë që Ti më dhuron, atë që dëshiron Ti vetë!
Koha e jetës sonë është e çmuar për t'i dhënë kuptim asaj e të tjerëve, për të medituar se kush jemi e ç'duhet të bëjmë, për të njohur e për të kërkuar, për të dashur e për të kuptuar se çdo ditë e Vitit të Ri, që sapo filloi, është një mrekulli!

Urime paqeje!

Fjala çeli sytë

Ajo lajmëron paqen

O ti, që dëgjon

Fillo të dashurosh

Ti, këtë vit, gëzim duhet të përçosh.

 

Paqja ka fytyrën

Dhe emrin e Krishtit

O ti, që e shikon

Praninë e Tij të zbulosh

Jetoje, këtë vit, besimin që shpalos.

 

Paqja është sot

I është dhuruar botës

Në zemër ajo banon

Paqen, këtë vit, ta krijosh ty të takon.

 

Zoti ka besim në ty

Që të shndrisë Krishtlindja

I pasur do të jetë viti

E ti do të gëzosh

Gjatë ditëve, këtë vit, gëzimin ta jetosh!








All the contents on this site are copyrighted ©.