Më 31 dhjetor kalendari përkujton Shën Silvestrin Papë. Shën Silvestri është shenjt
shumë i njohur. Emri i tij është bërë tashmë sinonim i festës së fundit të Vitit,
jo sepse ishte njeri gazmor, ashtu si është festa e ndërrimit të viteve, që i mbush
njerëzit me shpresa të reja për një kohë të re, por thjeshtë sepse vdiq më 31 dhjetor
të vitit 335 dhe nisi menjëherë të nderohej si shenjti i Romës. Me emrin e tij lidhen
ngjarje të rëndësishme për Qytetin e Amshuar e për krishterimin. Silvestri qe papë
në kohën e Perandorit Kostandin, që u njohu të krishterëve lirinë e kultit. Gjatë
papnisë së tij, reformoi kalendarin dhe përdori për herë të parë shprehjen e përgjithshme
“ditët e javës”, në sa para tij i kushtoheshin perëndive pagane.
Është Papa që në vitin 325 thirri Koncilin I ekumenik të Nikesë, gjatë punimeve të
të cilit u miratua ‘Besojma’ e cila, duke iu kundërvënë doktrinës së Arit, ripohon
hyjninë e Jezu Krishtit: “Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë, i lindur e jo i krijuar,
me të njëjtën natyrë me Atin”.
Papa Silvestri nuk pati kurrfarë mundësie të ishte i pranishëm në diskutime: vendimet
që u morën, iu komunikuan me respekt e solemnitet. Po ai mbeti keq, pse, jo për faj
të tij, nuk mundi të jepte mendimin për një vendim kaq të rëndësishëm në historinë
e krishterimit, që do t’i bënte ballë shekujve.
I pafat edhe historikisht ky papë, pa faj edhe këtë herë: për disa shekuj me radhë
u besua si i vërtetë një dokument, i quajtur ‘donacioni kostandinian”, me të cilin
perandori i dhuronte Silvestrit e pasardhësve të tij, qytetin e Romës dhe disa provinca
të tjera italiane. Ky dokument, vërtetësia e të cilit dyshohej në shekullin X, në
shekullin XVI do të konsiderohej i rremë.
Një vit pas vdekjes, Papës Silvestri iu kushtua festa e 31 dhjetorit, ndërsa në Kishën
lindore përkujtohet më 2 janar. Është Papa i parë që u lartua në nderimet e elterit,
pa qenë martirizuar. U varros në katakombet e Prishilës në rrugën romake Salaria,
por pjesa më e madhe relikeve të tij ruhen në Kishën romake kushtuar Shenjtit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |