2015-12-30 13:34:00

“Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të jetë e hapur”


Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871- 30 dhjetor 1940), Poet Kombëtar i shqiptarëve, në 75-vjetorin e vdekjes, parë nga Ismail Kadare.  

75 vjet pas vdekjes “Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të jetë e hapur”. E pohon shkrimtari më i shquar i realizmit socialist, Ismail Kadare, në shkrimin e botuar pak kohë më parë, e pikërisht më 25 shtator 2015, në gazetën “Shqip”, duke njoftuar se vjen përsëri me dy libra: “Arti si mëkat” dhe “Uragani i ndërprerë: ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”. Në vorbullën e “Artit si mëkat”, Fishta, natyrisht, nuk duket. Sepse kur shkruhet për artin, si mëkat, nuk mund të jetë fjala për meshtarin Gjergj Fishta, që u mor aq shumë me artin, parë jo si mëkat, sigurisht, por si hir, virtyt e himn drejtuar Zotit, mbasi Arti mund të jetë edhe i tillë. E jo vetëm te “Vallja e Parrizit” a te “Mrizi i Zanave”, që Kadare e vlerëson si kryevepër të Fratit françeskan, duke harruar, ndoshta, në atë çast, ndërmjet tjerash, se është edhe autori i “Anzave”, për Lasgushin, kryevepër e satirës botërore; e edhe i “Lahutës”, që Çabej e adhuronte. Pa folur për malësorët, që e këndojnë përmendësh “Lahutën” me lahutë e për botën, që e nderoi Fishtën me epitetin “Homeri i fundmë”. Vërejtje, këto tonat, thjesht për t’i orientuar shijet estetike të të rinjve.

Ndërkaq Fishta duket te “Uragani i ndërprerë”, ribotim i sprovës për Migjenin, që i pati paraprirë botimit të “Novelave të Veriut”. 

Po çka na intereson ne, është të rreshtojmë këtu ato pak radhë që Kadare i kushton në këtë shkrim Fishtës, shi pak para 75-vjetorit të vdekjes së Poetit Kombëtar. I gjithë shkrimi, i botuar nga Kadare në gazetën “Shqip”, titullohet: “Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të jetë e hapur”. Duke mos e pasur në dorë librin, nuk jemi në gjendje të sqarojmë për ç’dosje flet Kadareja, në një kohë kur fjala dosje kujtohet gjithnjë pranë fjalës kobëzezë “sigurim” . Nuk na e do mendja se edhe i vdekur, Fishta pati një dosje të tillë, jo për gjë, por thjesht sepse qe nisur për të pushuar në paqe. Paqe që, gjithsesi, iu prish....

“Ka dy fate artistësh, shkruan Kadare në ‘Arti si mëkat’. Një palë lindin e rriten në shtëpi, ku arti ka hyrë, ndërkaq: biblioteka është plot me libra, pasditeve nëna luan në piano ose emta pikturon, pas darkave miqtë flasin për letërsi, arte dhe spiritizëm.

Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë…..”.

Pikërisht në një mjedis të tillë lindi Zekë Ndoci, i biri i dy katundarëve fishtjanë:  Ndokë Simon Ndoci e Prenda e Lazër Kaçit, që as emrin nuk ia dinin pianos e ndoshta nuk ishin në gjendje as të vinin firmën poshtë ndonjë karte të rëndësishme, me duart e tyre të argasura nga puna në arë e në stan. Mjafton ta shikosh shtëpinë e Pater Gjergjit, ashtu lënë shkret edhe nga pushtetarët e sotëm, për ta kuptuar këtë.

Po Zeka luajti në piano, këndoi, shfletoi libra në biblioteka kuvendesh të lashta, djepe të kulturës evropiane, pikturoi, skaliti vepra skulpture e sendërgjoi vepra arkitekture. Falë rrugës që zgjodhi për t’u bërë artist i Artit parë si hir e si virtyt! “Pa Kishën, do të isha  bâ alamet katundarit” – pati thënë për vete. E kështu nuk mund të pohojmë se shkoi drejt Artit, si shkohet drejt mëkatit. Ka edhe një rrugë tjetër: drejt artit mund të shkohet edhe si shkohet drejt shenjtërisë! Kjo është rruga, që zgjodhi Zekë Ndoci. Ai, që u bë Gjergj, u lartua njëmijë herë në kupë të qiellit të letrave, në kohën kur ishte gjallë e u flak njëmijë herë në baltë, kur nuk ishte i zoti të mbrohej. Po Kadare, gjithnjë në këtë shkrim të kohëve të fundit, duke kujtuar botimin e sprovës për Migjenin në Francë, pohon: “ … epitetet reaksionar, shovinist, arkaik, konservator të përdorura me tepri (prej tij, për atë Gjergjin - shënimi ynë), shpesh herë për të lehtësuar kalimin e ideve dhe mesazheve liberale, nuk do ta dëmtonin aq rëndshëm tablonë në sytë e publikut francez, sa ç’do ta dëmtonte heshtja e plotë dhe mospërmendja  e emrave të ndaluar, në radhë të parë, e emrit të Gjergj Fishtës". “Aso kohe, vijon Kadare,  …Gjergj Fishta, i cili, ashtu si i dënuari numër një, që s’mund të shfaqet në publik pa prangat në duar, nuk mund të përmendej pa epitetet shoqëruese të zakonshme, çka ishte ndoshta më e mirë sesa të mbetej në terr të plotë”.

Pra, falë Kadaresë, Gjergj Fishta nuk mbeti aspak në terr të plotë. Përkundrazi, doli në dritë edhe në Francë, natyrisht si reaksionar, shovinist, arkaik, konservator. “Por për publikun perëndimor, ngutet të sqarojë autori i këtyre  radhëve, epiteti reaksionar nuk kishte atë ngjyrim tragjik si tek ne, ku përfytyrimi i parë shoqërues ishte skuadra e pushkatimit”. Në këtë rast, pushkatimi i një të vdekuri të cilin, në se kujtojmë një varg të vetë Kadaresë, “e ngritën nga balta, për ta rivrarë” e pastaj për ta flakur në ujëra të panjohura, që të mos mund të këndonte kurrë më!  Po Fishta vijoi se vijoi të këndonte: populli ia ruajti veprën si relike, ia lexoi si ofice, ia këndoi si himn i lirisë kombëtare!

Pastaj Kadare vë fort në dukje mospërputhjen ndërmjet adhurimit ndaj Fishtës dhe njëfarë shpërfilljeje që ende vazhdon, kushtëzuar ndoshta nga ajo, që u tha më lart. Dëshmi e kësaj mospërfilljeje është, gjithnjë sipas Kadaresë, përurimi tejet modest dhe gati-gati i bojkotuar i shtatores madhështore të Poetit, vepër e skulptorit të shquar Ilmi Kasemi, përuruar në Lezhë, më 15 gusht 2009…. “Ajo që duhet të ishte një festë kombëtare e artit, shoqëruar me një ndjenjë të thellë meditimi për shkrimtarët e ndaluar, kaloi, për habi, si një ngjarje e rëndomtë, gati e pavrejtur nga mediat dhe nga krejt shoqëria shqiptare”, vëren Kadare, pa u munduar t’ia vërë gishtin atij, që e kishte fajin! 

Po “Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të mbetet e hapur në Shqipëri, vijon akoma. Borxhi ndaj tij mbetet gjithnjë i madh, më i madhi borxh i ndërgjegjes shqiptare ndaj një poeti. Ky borxh mund të lehtësohet dhe do të lehtësohet vetëm me dashuri e sinqeritet, dhe jo me nervozizëm e me revansh. Për fat të keq janë këto dy të fundit që ndihen më fort”.

E prandaj ne zgjodhëm, për të përkujtuar 75-vjetorin e vdekjes së Fishtës, nëse një Fishtë mund të vdesë, pikërisht fjalët e shkruara kohët e fundit nga vetë Kadare, për të qenë sa më larg nervozimit e revanshit, që nuk pajtohen as me fenë tonë as me natyrën e vendit, ku po i botojmë këto radhë. Të cilat po i përfundojmë me bisedën që bân Poeti me Zanën e vet, duke na kujtuar se nuk ka nevojë për monumente, mbasi ia lartoi vetë pomendoren vetvetes:

“Veç se po, moj bjeshkatare,
Krah m’ krah bashkë na tue këndue,
Ndertue kemi ‘i pomendare,
Rrfé as mot mos m’ e dermue”.  

Një falënderim nga zemra, Ismail Kadaresë, që e rihapi “Dosjen” e Poetit kombëtar, atë Fishtën, në prag të 75-vjetorit të vdekjes.  Në gjuhën kishtare, që vijon të përdorë latinishten, kjo, ndoshta-ndoshta tingëllon sadopak si “Mea culpa!”.

Gjithsesi, nuk kemi asnjë dyshim se “Dosja e Gjergj Fishtës do të vazhdojë të mbetet e hapur…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.