2015-12-30 15:04:00

Françesku: pamja e Krishtit fëmijë e rrit fenë tonë


 Nuk mund të jetë pa arsye për fenë e krishterë fakti që Zoti ishte “fëmijë”   Ky, mendimi që përshkoi katekizmin e sotëm të Papës, mbajtur gjatë audiencës së fundit të përgjithshme të 2015-tës, në Sheshin e Shën Pjetrit. Turmës së mbledhur në Shesh, Papa i shpjegoi se Krishtin Fëmijë mund ta duam duke e parë me sytë e fëmijëve e duke ndjerë nevojën, që ndjejnë të vegjlit, për  mbrojtje, kujdes, lojë e gaz.

Kryqi, natyrisht. E Ngjallja.  Këto janë shprehjet më të larta të dashurisë së Jezusit për njeriun. Por, përveç Kalvarit, nuk duhet harruar kurrë edhe Betlehemi. Papa Françesku e nënvizoi këtë në audiencën e fundme të përgjithshme të vitit, pranë Shpellës  së Betlehemit, rrethuar nga turma, që  i jepte edhe më shumë vërtetësi pohimit të Atit të Shenjtë: “Për t’u rritur në fe, kemi nevojë ta kundrojmë më shpesh Krishtin Fëmijë”.

Ta bëjmë Krishtin Fëmijë të vërë buzën në gaz  

Shumë shenjtorë në rrjedhë shekujsh e patën fort për zemër këtë devocion, pohoi Papa, duke kujtuar, më pas, Shën Terezën e Lisieux që, si rregulltare, zgjodhi pikërisht emrin e Krishtit Fëmijë. E kështu mbeti në kujtesën e besimtarëve: Shën Terezina e Krishtit Fëmijë! E edhe fakti se ishte një kohë, në të cilën, në Vetjen hyjnore-njerëzore të Krishtit, Zoti qe fëmijë, nuk duhet harruar kurrë. Përkundrazi, duhet të ketë një domethënie veçantë për fenë tonë. Në ç’mënyrë? Thjesht, këshilloi Papa, duke parë fëmijët, duke vërejtur ç’ bëjnë e ç’u pëlqen, e kështu mund të gjemë mënyrën për ta dashur Krishtin Fëmijë. Për shembull, duke nisur nga dëshira që ka çdo vogëlush për të qenë në qendër të vëmendjes, sepse ka nevojë ta ndjejë veten të mbrojtur:

“Edhe ne duhet ta vëmë në qendër të jetës sonë Jezusin e, ndonëse mund të duket paradoksale, të dimë edhe se kemi përgjegjësi për ta mbrojtur. Krishti Fëmijë dëshiron ta shtrëngojmë në krahë, dëshiron ta përkundim, t’i ngulë sytë, në sytë tanë. E edhe ta bëjmë të vërë buzën në gaz, për t’i treguar se e duam e se gëzohemi fort që Ai erdhi ndër ne. Buzagazi i tij është shenjë, që na siguron se Zoti na do”.

Të ndryshojmë këndvështrimin

Shembulli i dytë: fëmijët kanë qejf të luajnë. Por ta bësh të luajë fëmijën, vërejti Françesku, do të thotë ta braktisësh logjikën tënde, për të hyrë në të tijën:

“Nëse duam ta dëfrejmë, duhet të kuptojmë çfarë i pëlqen atij e të mos jemi egoistë e ta detyrojmë të bëjnë gjërat, që na pëlqejnë ne. Është mësim, për ne, ky. Para Jezusit, jemi të thirrur ta braktisim pretendinin tonë për të qenë të pavarur – e kjo është edhe bërthama e çështjes eh? - pretendimi ynë për pavarësi, ndërsa duhet pranuar forma e vërtetë e lirisë, domethënë duhet ta njohim Atë, që e kemi para sysh, e t’i shërbejmë”

Në shërbim të më të vegjëlve

Ftesë, që Françesku e bëri më drejtpërdrejt në çastin e përshëndetjes së grupit të besimtarëve të gjuhës frënge:

“Dëshiroj që në këtë Kohë Krishtlindjeje, secili prej jush të vihet në shërbim të më të vegjëlve e të zbulojë në ta, fytyrën e Jezusit, burim dashurie e qetësie”.

Një puthje, shenjë përvujtërie

Aspekti i tretë, më tipiku i Zotit Foshnjë, është përvujtëria. Veshje e zgjedhur nga Jezusi për të ardhur mes nesh e për të na treguar - përsëriti Françesku -  fytyrën e Atit të pasur me dashuri e mëshirë:

“Ta shtrëngojmë, pra, ndër krahë, Krishtin Fëmijë e të vihemi në shërbim të Tij; Ai është burim dashurie e paqeje. E do të jetë gjë e bukur, sot, kur të kthehemi në shtëpi, të shkojmë pranë Shpellës së Betlehemit e ta puthim Krishtin Fëmijë e t’i themi; ‘Jezus, dua të përkulem këtu, para Teje e të jem i përvuajtur si Zoti’. E t’ia kërkosh këtë hir”.

Përshëndetjet

Të shumta, grupet e të rinjve të pranishme në audiencë, të cilët Papa i përshëndeti përzemërsisht. Ndërmjet tyre, të sapokrezmuarit e Valle Brembana-s dhe fëmijët e Lëvizjes së Fokolarëve:

“Të gjithëve – tha Françesku - u uroj ta përhapin në të përditshmen e tyre dritën e Krishtit, që  ndriçoi mbi njerëzimin Natën e Krishtlindjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.