2015-12-30 12:41:00

Atë Gjergj Fishta, figurë e madhe e Kombit dhe Kishës shqiptare


Atë Gjergj Fishta, figurë e madhe e Kombit dhe Kishës shqiptare! Një ndër majat më të larta të relievit të letërsisë shqiptare është, padyshim, vepra e Atë Gjergj Fishtës ( 1871-1940).  Ndonse kanë kaluar 75 vjet nga dita kur ai mbylli sytë përgjithmonë, të rrahurat e zemrës së tij për popullin e Atdheun i ndjejmë edhe sot në krijimtarinë e pavdekshme që na ka lenë. Kur përceptojmë epopenë madhështore "Lahuta e Malsisë", këte "Iliadë" të shqiptarëve, siç e kanë quajtur studiuesit e huaj, përjetojmë thellë ndjenjat e shpirtit heroik të Fishtës.

Në "Mrizin e Zanave" ndiejmë vibrimet e holla të unit lirik të tij, që ngazëllehet nga soditja e flamurit kombëtar, që valëvitet si krah engjëlli në fluturim në sfondin e kaltër të Atdheut të çliruar, pas natës së gjatë të robërisë osmane.

Të ngrohet shpirti nga zjarri i dashurisë së zemrës së tij për gjuhën shqipe, tiparet e së cilës i krahason me gjumin e embël të foshnjes së pafaj, me dritën e shpresës, me të qeshurën e çiltër të njeriut të mirë, por edhe me shkrepjen e rrufesë e me tronditjen e tërmetit. A mund të shprehet emocionalisht më kapshëm butësia e brishtia e gjuhës shqipe se sa kur përfytyrohet si një fllad i lehtë pranveror që lëmon gjinjtë e trëndafilit? A nuk na duket se ndjejmë në lekurën tonë shpimin e gjëmbave të mprehtë të satirës së Fishtës, kur lexojmë "Anzat e Parnasit" e "Gomarin e Babatasit"? 
Nga të gjitha këto që thame arrijmë në përfundimin se, kur futemi në univrsin artistik të Fishtës, bindemi plotësisht se zemra e tij rrahu fort për Shqipërinë gjatë gjithë jetës, deri në frymëmarrjen e fundit, kur përpara saj bëri betimin solemn, si biri para nënës: 
Dersa t’mundem me ligjrue 
E sa gjallë me frymë unë jam, 
Kurrë, Shqipni, s’kam me t’harrue, 
Edhe në vorr me t’përmend kam.

Paradokse e (zh)vlerësimit 
Personalitet jo i zakonshëm, me talent e aftësi të rralla, me energji e prirje të gjithanshme, Fishta tërhoqi që herët vëmendjen e bashkëkohësve, brenda dhe jashtë vendit. Ai qe jo vetëm poet i përmasave të mëdha, por edhe njeri i veprimit shoqëror e politik, atdhetar i flaktë, tribun i popullit, mbrojtës i vendosur e sypatrembur i çështjes kombëtare, për të cilen ngriti zërin në shumë mbledhje ndërkombëtare, si perfaqësues i Shqipërisë, duke stigmatizuar fqinjët grabitqarë dhe fuqitë e mëdha që qëndronin pas tyre. 
Megjithatë, sot është koha që pohime të tilla nuk duhet të mos deklarohen, po të provohen me argumente të pakundërshtueshme, për arsye se, deri tani, jeta dhe vepra e Fishtës kanë kaluar dy periudha vlerësimi: 
Në të parën, sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar. 
Në të dytën, vetëm katër-pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrën më të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare. 
Të hiperbolizosh vlerat e tua kombëtare, është një veprim i kuptueshëm, ndonse jo i drejtë; kurse t‚i zvogëlosh ato, t‚i mohosh, apo, çka është edhe më keq, të arrish deri aty sa t‚i përçmosh, t‚i përbaltësh, siç u veprua me Fishtën, është veprimi më i pakuptueshëm, më paradoksal, që mund të mendohet! 
Është thenë se personalitetet e mëdha kalojnë nëpër tri periudha vlerësimi: në të parën, himnizohen, pastaj mohohen, për të arritur, më në fund, në përcaktimin e vlerave objektive të tyre. Në qoftë se kjo është e vërtetë, kohës sonë i bie detyra e vështirë dhe më e rënda me një përgjegjësi të madhe e vendosjes së Fishtës në piedestalin që i takon. Kuptohet se kjo është një punë shumë e mundimshme, gjatë së cilës u duhet rikthyer të gjitha atyre që janë thënë për té, mirë apo keq qoftë, duhet "rilexuar" vepra e Fishtës, për t‚u thelluar në analizën e poetikës dhe të problematikës, për të nxjerrë së andejmi mesazhin që u solli bashkëkohësve, kur u botua si dhe atë që marrim né sot prej saj. 
Natyrisht, nuk kam asnjë iluzion se mund të plotësohet një detyrë kaq e vështirë dhe me një përgjegjësi të madhe në caqet e këtij artikulli modest popullarizues. Kryerja e saj në nivelin e dëshiruar mund të arrihet me përpjekje të përbashkëta të forcave shkencore më të afta, me studim të gjërë të monografive, ku vepra e Fishtës të vështrohet nga të gjitha anët. Duke shfaqur ndonjë mendim për vlerësimet dhe zhvlerësimet që i janë berë Fishtës në dy periudhat që përmendëm, deshëm vetëm të ndihmojmë sadopak për të sensibilizuar studimet tona për t‚u përqendruar mbi këtë figurë të madhe të letërsisë shqiptare, që të përcaktojmë drejt vendin dhe rolin që luajti në pasurimin dhe në zhvillimin e saj. Mendoj se koha kërkon me ngut të hidhet dritë mbi disa vlerësime kontradiktore, diametralisht të kundërta, që janë bërë për Fishtën dhe veprën e tij.
Nga njëra anë është thënë se është poet i madh, Homeri apo Tirteu i Shqipërisë. Nga ana tjetër është mohuar talenti poetik i tij, është denigruar si vargëzues i rëndomtë, madje është edhe akuzuar si përvetësues ikrijimtarisë popullore, pra si plagjiat i saj. 

Cila është e vërteta shkencore? 
Kryevepra e Fishtës, "Lahuta e Malsisë", nga njëra anë është vlerësuar si apologjia artistike më e fuqishme që i është bëre Atdheut të rrudhur e të copëtuar nga fqinjët grabitqarë, nga ana tjetër është akuzuar për frymë shoveniste? 
Përsëri: Cila është e vërteta shkencore? Tokat e kujt synon Fishta të rrëmbejë, i shtyrë nga shovenizmi i tij? A nuk kanë parasysh autorët e akuzes se shovenizmit se né jemi i vetmi vend në Evropë i rrethuar nga të gjitha anët me vetveten? A mund të quhet shovenist Fishta pse denoncoi padrejtësitë që i janë bërë Atdheut tonë nga armiqtë dhe nxori në shesh ëndrrat e tyre për të copëtuar e për të rrëmbyer përsëri trojet tona? 
Nga njëra anë është thënë se Fishta gjatë gjithë jetës ka luftuar për të drejtat e Shqipërisë e të shqiptarëve, nga ana tjetër është trumbetuar me forcë e kundërta: se ai ka qenë i shitur jo tek një po tek shumë të huaj, madje, për të mos lënë pikë dyshimi, është thënë se vetë Fishta ka pohuar publikisht se nuk është shqiptar! A mund të besohet një gjë e tillë?! Këto duhen ndriçuar. 
Për Fishtën është thënë, përsëri pa asnjë argument, se ka pasur paragjykime fetare edhe krahinore, që ia kanë mjegulluar vështrimin atdhetar. Mirëpo, edhe me një arsyetim fare të thjeshtë, kam përshtypjen se akuza të tilla bien menjëherë. 
Po të kishte pasur Fishta paragjykime fetare, si do të shpjegohej që personazhe të shumtë të krijimtarisë së tij janë "të fesë tjetër", madje dhe kryeheroi i kryeveprës së tij, Oso Kuka, të cilin e ka përjetësuar në një nga tablotë më madhështore dhe më emocionuese të letërsisë shqiptare, edhe ky është i "fesë tjetër"? 
Po të kishte pasur paragjykime krahinore At Fishta, si shpjegohet që binomi poetik, që përshkon nga fillimi në fund krijimtarine e tij ka gjymtyrë vëllezërit Toskë e Gegë, të cilët me të njejtin krahasim i karakterizon me dy rrufe që çajnë qiellin si shpata dhe zharisin armiqtë? 
Po të kishte pasur Fishta vizion të ngushtë provincial, si do të shpjegohej që ndërmjet pseudonimeve të shumta që përdori, me i parapëlqyeri prej tij qe Gegë Toska me të cilin nënshkroi kryevepra të tilla si "Gomari i Babatasit"? 
Jo, jo! Akuza të tilla janë fare të pathemelta! Siç ka vërejtur me mprehtësi shumë kohë më parë Prof. Eqrem Çabej, vështrimi artistik i Fishtës ishte i tillë që niste tek malësori i moçëm Marash Uci dhe vinte gjithnjë duke u shtrirë, deri sa arrinte tek Abdyl Frashëri, tek Lidhja e Prizrenit, për të rrokur, më në fund, tërë Shqipërinë, të gjitha trojet tona etnike nga Veriu në Jug, nga Perëndimi në Lindje. 
Këto janë vetëm pak gjëra nga shumë e shumë të tjera që janë thënë për Fishtën në të dy periudhat: të vlerësimit dhe të denigrimit të tij. Në këtë mënyre figura e madhe e Fishtës është veshur me një mjegullnajë, që duhet të zhdavaritet nga kritika dhe nga shkenca letrare objektive. 
Nga sa është thënë deri sot për Fishtën del se vlerësimet e larta që i janë bërë përgjithësisht janë konkluzione të nxjerra nga analiza e jetës dhe e veprës së tij, kurse mohimet dhe denigrimet, deklarata aprioristike të paargumentuara. Le të arsyetojmë mbi ndonjërën prej tyre. Në rast se Fishta nuk do të ishte poet i madh, si mund të flasin me superlative për te autoritete të tilla të artit e të shkencës, vendas dhe të huaj, si virtuozi i fjalës poetike Lasgush Poradeci, që e quan me gjuhë metaforike "shkëmb të tokës dhe shkëmb të shpirtit shqiptar", që shpreh me art ndjenja dhe ideale të mëdha atdhetare? Në rast se nuk do të ishte gjeni i letrave shqipe, nuk do të ishin mahnitur aq shumë nga vepra e tij Aleksander Xhuvani e Maksimilian Lamberci, Eqrem Çabej e Norbert Jokli, Faik Konica e Anton Harapi, Jolanda Kodra e Kolë Kamsi, Gabriele d‚Anunzio e Kostaq Cipo. Nuk ka dyshim se mendimet e tyre janë shprehje e çiltër e ndjenjave që u ka përftuar vepra e Fishtës. 
A mund të besohet se Fishta ishte i shitur tek të huajtë, pra antikombëtar, kur në momentet më të vështira, në mbledhjet më të rëndësishme ndërkombëtare në Paris, në Athinë, në Stamboll, kur fatet e Atdheut ishin në rrezik, ai u dërgua si përfaqesues i vendit tonë për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve? 
Prandaj, shkenca dhe kritika letrare kanë mundësi dhe detyrë parësore të rrëzojne me argumente këto fyerje qellimkëqia dhe në të njëjtën kohë, të zbulojnë fondin e pasur të vlerave artistike, shoqërore e politike të këtij personaliteti të gjithanshëm të kombit tonë, për të cilat kemi aq shumë nevojë sot. 

Nga buronte urrejtja për Fishtën? 
Duke pasur bindjen e palëkundur se Fishta është një figure ndër më të ndritura të kombit, natyrshëm lind pyetja: ku e kishte burimin gjithë ajo urrejtje patologjike kundër tij, që çoi në trillime e shpifje aq monstruoze e njëherësh, banale sa të mos besoheshin? 
Megjithëse për këtë problem deri tani janë dhënë disa shpjegime, kam bindjen se përbaltja e Fishtës u bë për arsye të koniukturave politike. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në vitet e para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia ishte "miku" ynë i ngushtë, nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që demaskonte nga fillimi deri në fund padrejtësitë dhe coptimin e trojeve tona nga sllavët. Pastaj, në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik nuk mund të qëndronte Fishta dhe vepra e tij, që e shihte Rusinë si tutor të armiqve tanë dhe këta të fundit i cilësonte shprehimisht "klyshë të Rusisë". 
Në kohën kur dy miqësitë e sipërme u kthyen në armiqësi, Fishta as atëherë nuk mund të rehabilitohej më, për arsye se ishte hedhur shumë baltë mbi të. 

Rruga për tek Fishta 
Në fund të këtij njëzetëshekulli që po përcjellim, rruga për tek Fishta u hap. Hapat e parë në këtë rrugë u hodhën nga një turmë e madhe njerëzish që e prisnin me padurim këtë ditë, ndërmjet të cilëve spikatën Injac Zamputti, Pal Duka-Gjini (At Danjel Gjeçaj), At Zef Pllumbi, Aurel Plasari, Engjëll Sedaj, Sabri Hamiti, Tonin Çobani, Stefan Çapaliku, etj. Që atëherë kanë filluar të organizojnë veprimtari shkencore dhe të shkruajnë artikuj përkujtimorë me raste përvjetorësh të lindjes dhe të humbjes së tij.Ribotohen vepra pak të njohura për publikun. Megjithëse të gjitha këto janë të dobishme dhe organizatorët e tyre meritojnë përgëzime, mendojmë se puna për të arrijtur tek zbulimi i plotë i vlerave të Fishtës mund dhe duhet organizohet më mirë. 
Së pari, kusht i domosdoshem është botimi shkencor i veprës së plotë të Fishtës. Nuk ka se si të bëhet studimi pa pasur në dorë objektin e plotë të tij. 
Së dyti, Fishta duhet të zërë vend denjësisht në programet shkollore, si një nga autorët më përfaqësues të letërsisë shqiptare. 
Së treti, në këtë periudhë, kur ende nuk kemi punime të plota shteruese, kritikët dhe studiuesit tanë më të përgatitur mund të përmbushnin nevojat e tanishme të ngutshme që ka shkolla dhe publiku lexues për njohjen dhe interpretimin e veprës së Fishtës. 
Natyrisht, puna e deritanishme ka qenë e dobishme dhe do vazhduar me veprimtari dhe shkrime, edhe të thjeshta, si kjo skicë jetëshkrimore që po paraqesim në mbyllje të këtij artikulli.

Pak biografi 
Rrjedha e jetës, krahas rregullsive, sjell me vete edhe mjaft rastësi, roli i të cilave në zhvillimin e mëtejshëm të saj, shpesh herë nuk mund të parashikohet. Kështu, askujt nuk mund t‚i shkonte nëpërmend se fëmija që lindi me 23 tetor 1871 dhe që u pagëzua Zef, do të vinte një ditë që do të bënte të njohur në gjithë vendin dhe me përtej fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës, të padëgjuar fare deri atëherë. Askush nuk mund të parashikonte në atë kohë se nga ky Zef i vogël do të dilte më vonë At Gjergj Fishta i madh. 
Zefi i vogël , i dalluar që herët për shkathtësi dhe zgjuarsi, tërhoqi vëmendjen e famullitarit, prandaj e çuan në kolegjin françeskan të Shkodrës e pastaj në Troshan, për ta përgatitur për frat. Pas mbarimit të shkollës fillore e dërguan për studime të mëtejshme në Bosnje, ku u laurua për filozofi dhe teologji. Atje, ndërroi emnin e pagëzimit (sipas rregullit të urdhërit françeskan), duke u quajtur tani e tutje Gjergj. U bë frat dhe tha meshën e parë me 25 shkurt 1894. 
Pas kthimit nga Bosnja, punoi për disa vjet si profesor në kolegjin françeskan të Troshanit, pastaj, disa vjet tjera shkoi si famullitar në Gomsiqe. Atje ai i kushtoi vëmendje të veçantë njohjes dhe përvetësimit të frazeologjisë popullore, të cilën do ta përdorte më vonë me mjeshtri të rrallë në kryeveprën e vet "Lahuta e Malsisë". 
U shqua si pjestar i shoqërisë letrare "Bashkimi" e cila qe themeluar më 1899 nga Imz. Preng Doçi. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që kemi sot. Më 1902 qe zgjedhur drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, në të cilën futi për herë të parë shqipen si gjuhë mësimi. Më 1913 po në Shkodër, themeloi dhe drejtoi sa qe gjallë revistën "Hylli i Dritës". Në vitet 1916-1918 krijoi dhe drejtoi "Postën e Shqipnisë". U emrua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, më 1919. U zgjodh deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit shqiptar më 1921. U dërgua anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën Ndërballkanike në Athinë më 1930, pastaj më 1931 në Stamboll dhe prap në Bukuresht më 1932. Më 1931 qe ftuar dhe qe caktuar anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në New Jork, ku përfaqësoheshin 60 shtete. 
Veprimtaria letrare e Fishtës është e gjerë dhe e gjithanëshme. Lëvroi të gjitha gjinitë e zhanret: lirikën, epikën, dramën, satirën, publicistikën, polemikë e oratori, vepra agiografike, përktheu e përshtati nga letërsia botërore. Ishte shumë aktiv në jetën letrare, shoqërore e politike të kohës. Kjo shprehet në bashkëpunimin me të gjitha revistat e gazetat që dilnin, në të cilat botoi mbi 200 e sa shkrime. Krijimtaria poetike e Fishtës arrin në rreth 50.000 vargje, kurse në prozë mbi 700 mijë faqe. Vetëm "Lahuta e Malsisë" ka 30 kangë me 15.563 vargje. Fishta botoi rreth 40 vepra sa qe gjallë dhe 30 tjera i la të pabotuara. Veprat kryesore të Fishtës janë: "Lahuta e Malsisë", "Anzat e Parnasit", "Mrizi i Zanave", "Vallja e Parrizit", "Gomari i Babatasit", "Juda Makabe", "Mojs Golemi i Dibrës dhe Deli Cena", "Shqyptari i gjytetnuem", "Ifigjenia në Aulli". 
Për këtë veprimtari letrare, shoqërore e politike, Fishta qe nderuar me dekorata, si: 
Kurorë Argjëndi, nga Klubi "Gjuha shqipe" i Shkodrës (1911). 
Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912). 
Dekorata Ritterkreuz, nga Mbreteria e Austrisë (1912). 
Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913). 
Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925). 
Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan (1929).
Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931). At Gjergj Fishta vdiq në Shkodër me 30 dhetor 1940.  ....si Shqipnia vend nuk ka!

(fragmente nga krijimtaria) 
GJUHA SHQIPE
Porsi kanga e zogut t’verës, 
Që vallzon në blerim t’prillit,
Porsi i ambli fllad i erës, 
Që lmon gjijtë e drandofillit, 
Porsi vala e bregut detit, 
Porsi gjama e rrfesë zhgjetare, 
Porsi ushtima e një tërmeti, 
Njashtu asht gjuha jonë shqiptare. 
SHQIPNIA E LIRË
Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit, 
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë 
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir, 
Edhe Flamuri Shqipnisë 
Si flakë mnijet e Perëndisë 
Do t’valvitet në Kaçanik.

HIMNI I FLAMURIT KOMBËTAR 
Porsi fleta e Ejllit të Zotit
Po rreh Flamuri i Shqipnisë 
E thrret t’bijtë e Kastriotit 
Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë. 
Bini Toskë, ju bini Gegë, 
Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë! 
A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë, 
Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!....

NJË GJAMË DESPRIMI
Me parzmet tona n’ata t’hershmit mota, 
Mburojë iu bamë Evropës, pa dijtë shka asht tuta 
Atbotë kur pallën Skanderbeg Kastriota 
Sillte si rrfeja, e përmbi shtroje te buta 
Dridhej një Sulltan, që aso here 
Bante m’u dridhë botën mbarë prej mnere. 
Po, na tue dredhun si dragoj çelikun, 
Shtegun me kurma shqiptarësh ia zumë 
Tartarit, e prej Evrope larg rrezikun 
Për disa kohë e mbajtëm, e poshtnuem, 
Por kurrë Evropa në ndihmë një ushtar s’na nisi, 
Kurr punët mbas fjalëve që na dha s’ujdisi.
........
E mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti, 
E shoftë me fise, popuj e qytete 
Edhe premtoftë që dersa t’endet moti,
Kurrë lufta mos iu daftë për tokë e dete. 

Selitë e saj grimë me grimë u thejshin, 
Me gjak t’popujve t’vet sunduest iu ushqejshin! 
Pse krahët pa dhimbë Shqipnisë me ia thye
E prej Lirie me ia ndalun hovin? 
Gopsia e kujt n’Malsi ka mujtë m’ushqye? 
Po a Hoti e Gruda mund ta mbajnë Moskovin? 
Nuk duhet jo, që të mëkambet Shqiptaria, 
Qé pse po i lshohet Malit t’Zi Malsia.
........

ATDHEU 
Në ty mendoj kur agon drita, 
Kur bylbyli mallshëm kndon, 
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon. 
Veçse ty të shoh në andërr, 
Veçse ty, t’kam n’mendim, 
Ndër t’vështira ti m’je qandër, 
Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim.

********

Deka e vorrimi i parë:

Dita e 30 dhetorit të vjetës 1940 regjistrohet në të gjitha kronikat historike të Shqipnisë, në prag të një robnie të re. Poeti Kombëtar Atë Gjergj Fishta kishte ndërrue jetë!

Të nesërmën vonë, një grup zhgunamurrtësh hapte me zemër të këputun, vorrin e Poetit. Për me ia plotësue dishirin e mbram “Një kryq druni, t’kjosha true/ Nxire e venma përmbi krye!”- i vunë te kryet një kryq dullije.

Por me kenë se ai nuk kishte dekë, sepse Kangatari i Lahutës nuk mund të desë kurr, historia e jetës së tij nuk u mbyll nën rrasën e akullt, që sivëllazënt me kapuçat françeskanë ulun fort mbi sy, për me mshehë lotët-rrëkajë, vunë mbi reliket e tij.

Zhvorrimi vandal:

Ende nuk ishin terë lotët, kur në kishë hynë furishëm ata që e quejshin veten çlirimtarë. Thue kishin ardhë me çlirue të dekunin prej vorrit? Thue prandej i hoqën me aq turr kunorat me lule, flakën kryqin e thjeshtë prej dullije e gërricën shkrojlat, tue e lanë rrasën e ftohtë, të bardhë prej mermeri, pa emnin e tij? Apo kishin ardhë me e çue prej vorrit për ta martirizue, ashtu si bashkëvëllazënt? Me bindjen se  nuk do ta çonte kurrë ma rrasën.

Fillë mbas vorrit do t’i vinte radha kishës: më 6 shkurt  edhe asaj kujtuen se i erdh fundi. E tek e kthejshin tempullin e Hyjnisë në teatër sukujsh, papritë u kujtuen se ai s’kishte dekë. Ai ishte gjithnjë aty!

Atëherë u dynden rishtas te Vorri pa emën. E hapën me mllef. I nxorën ngutshëm eshtënt dhe i flakën në Dri.

Besuen se tashma kishte marrë fund, se s’do t’i ndigjohej ma zani.

Por Kangatari i “Mrizit të Zanave”, i mbetun pa vorr, si Skënderbegu, vijoi të jetonte strukë në kujtesën e në legjendën e Kombit, bashkë me herojtë e epopesë së tij.  Tue pritë me e çue prap rrasën.

Ringjallja:

E u ringjall, sapo Kombi bani përpjekjet e para për t’u kthye në jetë!

U ringjall  50 vjet mbasi i kishte mbyllë sytë, më 28 dhetuer 1990, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve në Tiranë, shi aty ku ishte hedhë aq shumë  baltë mbi emnin e tij të pamort. Mandej, më 30 dhetuer 1990, në Klubin e Rinisë, në Shkodër, prej kah ishin flakë jashtë bashkëmotrat stigmatine e ishin shqiptue dënimet me vdekje të bashkëvëllazënve.

Me 13 dhetuer 1995 në fundin e kishës françeskane të Gjuhadolit, që po rindërtohej, filluen gërmimet shi në atë vend ku ai kishte zdrypë 55 vjet ma parë. Nën copat e tullave dhe materialit të ndërtimit që mbushte vorrin, ai u gjet rishtas:  dolën nga dheu grimca eshtënsh të shkapërhapuna, të harrueme prej ngutit e tmerit të gjestit makabër. Zoti kishte premtue që të ruheshin pikërisht eshtënt e dorës së tij të djathtë, të asaj dore që shkroi “Lahutën e Malcis”, “Mrizin e Zanave”, “Vallen e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”, “Jerinën”, “Gomarin e Babatasit”… mija e mija vargjesh e rreshtash që duken si të shkrueme sot e për sot!

"Eshtënt e kësaj dore sot në vend të vet i vendojmë dhe breznive të ardhshme trashigim ua lâmë, se pa ketë dorë Shqiptari “epopé” s’do të kishte pasë as në Lahutë kurr gishtat s’do t’ i kishte dridhë për të këndue homerisht Oso Kukë e Marash Ucë, Ali Pashë e Dedë Gjo’ Lulë, Pater Gjon e Tringë.

Emni i tij gjallon brezní në brezní!

Gati një gjysë shekulli harresë e imponueme. U rrafshue vorri, por nuk u zhduk emni; shtatorja e tij vigane u përjashtue prej Panteonit te shkrimtarëve, prej Olympit të poetëve, por Fishta gjalloi i kërthnesët ndër zemra dhe ndër to kthelloi rrâjë e rriti dashtëní. Fara që s’des, nuk ep fryt - tha Mjeshtri hyjnuer i né, katolikëve. (Nga Fjalimi i At Danjel Gjeçajt në rivorrimin e eshtënve të Fishtës).

E u ringjall më 29 dhetuer 1996, kur emni i madh u duk rishtas mbi rrasë: vorri u rindërtue e mbi te ngadhënjeu Kryqi i dullijës!

U ringjall edhe më 1999, kur me nismën e 19 studiuesëve, në Tiranë u përurue Instituti i Studimeve me emnin e tij “Gjergj Fishta”.

E tash ata që nuk e kanë harrue kurrë, e shohin përsëri të gjallë, thadrue në mermer, në mjedis të Shkodrës, që e deshti aq fort. 








All the contents on this site are copyrighted ©.