2015-12-29 17:18:00

Sakramenti i Pajtimit në fjalët e Papës Françesku


“Mëshira e Zotit do të jetë gjithnjë më e madhe se çdo mëkat”: kështu shkruan Françesku në një tweet. Fraza është shkëputur nga “Misericordiae Vultus”, Bulë e shpalljes së Jubileut. Në dokument, Papa fton “për ta vënë përsëri në qendër, me bindje, Rrëfimin, sepse të krijon mundësinë ta prekësh me dorë madhështinë e mëshirës”.

Askush nuk mund t’i vërë kufi dashurisë së Zotit, që fal, shkruan Papa Françesku në tekstin e Bulës për Jubileun. Por, edhe falja, na kujtoi në fillim të këtij viti, e ka një kusht:

“Nuk ekziston asnjë mëkat, që Zoti nuk mund ta falë! As edhe një! Vetëm çka i dredhon mëshirës hyjnore, nuk mund të falet, ashtu si ai, që i shmanget diellit, nuk mund të shndritet e as të ngrohet”(Fjalim drejtuar pjesëmarrësve në Kursin e Pendestarisë Apostolike, 12 mars 2015).

Një nga shenjat e rëndësishme të Vitit Shenjt, pati nënvizuar Papa gjatë njërës nga audiencat e përgjithshme, është Rrëfimi:

“Zoti na kupton edhe në kufizimet tona, edhe në kundështitë tona. E jo vetëm. Ai, me dashurinë e Tij, na thotë se pikërisht  kur i pranojmë mëkatet tona,  është edhe më pranë nesh, na nxit të shikojmë përpara e na kujton se kur i pranojmë mëkatet tona e lypim falje, Qielli bën festë. Jezusi bën festë: e kjo është mëshira e tij" (Audienca e përgjithshme, 16 dhjetor 2015).

Falja e mëkateve, pohon Papa Françesku, nuk është fryt i përpjekjeve tona, por dhuratë e Shpirtit Shenjt, që shëron. E nuk është gjë mund ta bëjmë vetë. Nuk mund të themi; po ia fal vetes mëkatet. Falja kërkohet, i kërkohet një tjetri e, në Rrëfim, i kërkojmë falje Jezusit.

Françesku na kujton njëkohësisht pse është e nevojshme t’i drejtohemi edhe meshtarit e të mos mjaftohemi me rrëfimin drejtpërdrejt me Zotin:

“Ndokush mund të thotë: ‘Unë rrëfehem vetëm me Zotin’. Po, mund t’i thuash Zotit: ‘Më fal, o Zot!’ e t’ia rrëfesh mëkatet tua. Por ne mëkatojmë edhe kundër vëllezërve, kundër Kishës, e prandaj është e nevojshme t’i kërkojmë ndjesë edhe vëllezërve e edhe Kishës, duke e bërë këtë përmes meshtarit”(Audienca e përgjithshme, 19 shkurt 2014).

Kur nisemi për t’u rrëfyer, duhet ta kemi mirë parasysh se edhe turpi është ilaç për shpirtin: na mjekon e na shëron:

 “Edhe turpi është i mirë. Është e shëndetshme të kesh pak turp. Turpi të bën mirë. Të kujton se duhet të jesh paksa më i përvuajtur. Meshtari e ndjek me dashuri e butësi rrëfimin e, në emër të Zotit, fal” (Audienca e përgjithshme, 19 shkurt 2014).

Nuk duhet pasur frikë, pra, nga rrëfimi. Rrëfimi nuk duhet të jetë ‘torturë’ e rrëfyesi duhet ta respektojnë dinjitein dhe historinë personale të secilit pendestar. Edhe mëkatari më i madh, që vjen para Zotit për të kërkuar falje, është “tokë e shenjtë”. E të gjithë duhet të dalin nga rrëfyestorja me lumturi në zemër, me fytyrën që rrezaton shpresë, megjithëse, nganjëherë – e dimë – të lagur nga lotët e kthimit në udhën e Zotit e nga gëzimi, që vjen prej Tij”.

Gjithnjë duke folur për Sakramentin e Pajtimit, Papa kujton edhe:

“Sakramenti, përfshirë aktet e pendesës, nuk duhet të kthehet në një proces të rëndë hetimor, të bezdisshëm dhe ngacmues. Përkundrazi, duhet të jetë takim çlirues, i pasur me humanitet, për ta edukuar, kështu, njeriun me mëshirën, që nuk e përjashton, përkundrazi, e  përfshin edhe angazhimin e drejtë për ta ndrequr të keqen e bërë” (Fjalim pjesëmarrësve në Kursin e Pendestarisë, 12 mars 2015).

Ati i Shenjtë pohon se as rrëfyesi tepër zemërgjerë e as rrëfyesi zemërgur nuk është i mëshirshëm. Asnjëri nga të dy:

“I pari thotë: ‘Ec, ec, ky nuk është mëkat’. Tjetri thotë: ‘Jo, sepse ligji kërkon…’. Asnjëri prej të dyve nuk e konsideron pendestarin si vëlla, nuk e merr për dore për ta shoqëruar në udhën e kthimit kah Zoti! …Ndërsa i mëshirshmi e dëgjon, e fal, por edhe e merr për dore dhe e shoqëron, sepse kthimi në rrugën e Zotit fillon, ndoshta, në atë çast, por duhet edhe të vazhdojë me këmbëngulje… E merr mbi vete, ashtu si Bariu i Mirë, që kërkon delen e humbur dhe e mban mbi supe”. (Fjalim pjesëmarrësve në Kursin e Pendestarisë, 12 mars 2015).

Të duash e të falësh, ashtu si do e si fal vetë Zoti! Ky është program jete, që nuk duhet të ketë ndërprerje, as përjashtime, por duhet të na shtyjë të shkojmë gjithnjë përtej, pa u lodhur kurrë, me sigurinë se jemi të mbështetur nga prania atërore e Zotit.

Pa harruar se Mëshira dhe falja nuk duhet të mbeten vetëm fjalë të bukura, vijon të na kujtojë Françesku, por të realizohen në jetën e përditshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.