2015-12-29 17:44:00

Edhe në vitin 2015, të shumtë, të krishterët e persekutuar e të harruar


“Të lutemi për të krishterët, që janë të persekutuar e shpesh, të rrethuar nga heshtja e turpshme e shumkujt”. Kështu shkruan Papa Françesku në një nga tweet-et e dhjetorit, botuar në faqen e internetit @Pontifex.

Nga Afrika në Lindjen e Mesme, edhe 2015-ta ishte vit, gjatë të cilit, për fat të keq, në shumë zona të planetit të krishterët ishin viktima të diskriminimit e të persekutimit. Nëse mendja të shkon menjëherë tek mizoritë e kryera nga milicët e Shtetit të vetëshpallur Islamik, kuadri i persekutimeve kundër të krishterëve është shumë më i gjerë nga sa mund të përfytyrohet. Këtë nënvizon, në mikrofonin tonë, zëdhënsja në Itali e Ndihmë për Kishën që Vuan, Marta Petrosillo:

Përgjigje: - Për fat të keq, gjatë 2015-tës u ndje edhe më fort prirja të cilën ne, të Ndihmë për Kishën që Vuan, e vërejmë prej disa vitesh. Domethënë, vijimi i persekutimit të të krishterëve. Pikërisht në tetorin e kaluar paraqitëm Raportin tonë mbi persekutimin kundër të krishterëve, me titullin kuptimplotë: “Të persekutuar e të harruar”. Vërejmë, kryesisht, thellimin e presionit të ekstremizmit islamik, gjë që takohet posaçërisht në Afrikë, ku Boko Haram, përveçse në Nigeri, fillon ta shtrijë veprimin e tij edhe në viset fqinje. Duke kaluar nga Afrika, në Lindjen e Mesme, Shteti i vetëshpallur Islamik vijon ta sulmojë me të gjitha format e mundshme bashkësinë e krishterë. Gjatë kësaj periudhe ka pasur sulme të panumërta kundër kishave, ndërsa Halebi, një nga kështjellat më të forta të krishterimit  në  Siri, vijon të zbrazet dramatikisht nga të krishterët: prej 150 mijë, që ishin më parë, në fillim të krizës, në vitin 2011, sot kanë mbetur vetëm 50 mijë. Shteti islamik vijon sulmet e tij tragjike edhe në Irak, ku të krishterët pësojnë një mori persekutimesh, edhe në nivelin politik. Në Azi nuk mund të mos kujtojmë Pakistanin e edhe Indonezinë, e cila jeton në një situatë, që njihet tepër pak. Edhe atje të krishterët vuajnë, posaçërisht në provincën e Aceh, ku sundon sharia e ku, tetorin e kaluar  u sulmuan një mori kishash. Të krishterët nuk sulmohen vetëm nga integralizmi islamik, por edhe nga ai hinduist. Në Indi shikojmë shumëfishimin e sulmeve kundër të krishterëve. Po përhapet, posaçërisht, praktika e përdorur nga fundamentalistët hinduistë për t’i kthyer në hinduizën të krishterët e edhe myslimanët.

Pyetje: - Gjithnjë më shumë të krishterë, në zona të ndryshme të botës, pësojnë mijëra vuajtje dhe kalojnë mijëra vështirësi, që i shtyjnë, pastaj, të marrin arratinë larg viseve të veta…

Përgjigje: - Dyndja e të krishterëve, posaçërisht nga Lindja e Mesme, po merr gjithnjë më shumë përpjestime dramatike, aq sa po vë në rrezik jo vetëm individë të veçantë, por edhe e sidomos, bashkësi të tëra. Për shembull, Iraku ndodhet para rrezikut që t’i humbasë të gjitha bashkësitë e krishtera. Edhe nga Siria arrijnë lajme aspak qetësuese. Përkundrazi, mësojmë se dy a tri herë në javë nga lagjet e Damaskut nisen autobusë me të rinj, që ikin nga vatrat e tyre drejt Evropës, sepse nuk shikojnë më asnjë perspektivë në vendin e  tyre. Por edhe nga Italia, shoqatat, që punojnë me emigrantët,  konfirmojnë  se vitet e fundit numri i refugjatëve të krishterë  që arrijnë në brigjet evropiane, është rritur 30% e shumica janë nigerianë. Një histori e bukur është ajo e binjakëve, që zbarkuan pak ditë më parë e   u pagëzuan pikërisht për Krishtlindje në Salento.

Pyetje: - Për të mos vënë në dukje vetëm të zezat e këtij viti, duhet kujtuar se ka edhe lajme të bardha. Ka edhe vende, në të cilat, gjatë 2015-tës gjendja e të krishterëve është përmirësuar…

Përgjigje: - Po, ka edhe shembuj përmirësimi, sidomos përsa i përket dialogut ndërfetar. Mendoj sigurisht për Republikën Qendrafrikane, që përfitoi shumë nga vizita e Papës Françesku, i cili i dha vërtet një nxitje të re thellimit të dialogut ndërfetar. Bashkësia myslimane vendase e vlerësoi shumë vëmendjen e Papës për besimtarët islamikë. E nga zemra e Afrikës na vjen dëshmia e Kishës vendase, që shpreh bindjen se kjo vizitë mund të shënojë  fillimin e një udhe të re e, sidomos shtendosjen e marrëdhënieve  ndërfetare.   








All the contents on this site are copyrighted ©.