2015-12-28 16:47:00

Imzot Becciu: 2015-ta e Françeskut nën shenjën e mëshirës


Jubileu i Mëshirës, shtegtimet apostolike ndërkombëtare e akoma, Sinodi për Familjen dhe Reforma e Kuries Romake, janë disa nga temat dhe çastet e forta të 2015-tës të Papës Françesku. Për këtë vit papnor, që po përfundon, ngarkuar me veprimtari nga më të ndryshmet, intervistuam kryeipeshkvin Angelo Becciu, Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, që e nis reflektimin e tij pikërisht nga Viti Shenjt, aq i dëshiruar nga Papa:

Përgjigje: - Ajo, që më preku e më mbeti në kujtesë, është çasti kur Papa më foli për idenë e shpalljes së Vitit Shenjt. Pashë se ishte tepër i gëzuar. I gëzuar, sepse ishte, e është, i vetëdijshëm se po i jepte botës mbarë një mundësi të pashembullt; mundësinë për të provuar Mëshirën e Zotit. E pastaj edhe fakti që zgjodhi Porta të shumta Shenjte. E kjo tregon dëshirën  për t’u krijuar të gjithëve - të gjithëve - mundësinë të përfitojnë nga Viti Shenjt. Nuk e shqetësonin turmat oqeanike, që mund të mblidheshin në Romë. Çka e shqetësonte, ishte që çdo njeri ta gjente mënyrën e të kishte lehtësinë e duhur për ta provuar mirësinë, dashurinë mëshirëplote të Zotit. Ja, më ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesë gëzimi, që pashë në fytyrën e Papës, kur vendosi ta shpallë Vitin Shenjt.

Pyetje: - Sinodi i Familjes është një gur tjetër kilometrik i 2015-tës së Françeskut. A mund të mendojmë se stili sinodal, të cilin Papa e kujton shpesh, po kalon si mesazh edhe për mbarë Kishën, jo vetëm për prijësit e saj?

Përgjigje: - Natyrisht e urojmë këtë, por mendoj se nuk është gjë e lehtë; nuk është e lehtë që ky mesazh të kalojë e, sidomos, të jetohet. Megjithatë duhet thënë se vërej kudo vullnet të mirë. Duhet të kalojmë nga mendësia e një Kishe, që drejtohet vertikalisht, nga lart-poshtë, tek në Kishë e cila  udhëhiqet me frymë bashkësie, ku bashkëjetojnë aspekti hierarkik, me atë të bashkimit. Kjo do të thotë të hyjë fryma, arti i bashkimit në strukturat tona të ndryshme, në strukturat e asambleve, në famullitë, në këshillat baritore, në dioqezat, në këshillin presbiterial e këshillin baritor dioqezan; ashtu si Papa, që ushtron frymën e bashkësisë dhe ndihmon të jetohet kjo frymë, kur thërret Sinodin. Njëlloj edhe Konferencat ipeshkvnore në asambletë e tyre… Për ne ka rëndësi të dimë t’i shprehim opinionet tona; e Papa do të dëshironte që çdo besimtar ta ndjente përgjegjësinë e vet në fazën e hartimit të dokumenteve, ose në çastet kur merren vendime të rëndësishme. Por, t’i jetosh me frymë sinodale, t’i jetosh “me frymën e bashkimit” këto çaste, do të thotë të ndjesh se je i lirë të shprehësh opinionin tënd e, njëkohësisht, të kesh edhe lirinë e aftësinë t’i lësh mënjanë opinionet tua, për t’i pranuar ato të tjetrit. Ndër ne nuk duhet të ketë rryma mendimesh, që i detyrojnë të tjerët të pranojnë mendimet e tyre: për ne ka rëndësi të krijojmë hapësira, që të jetë Shpirti Shenjt prijës i ideve tona, i vendimeve tona. Pa harruar se frymë bashkimi nuk do të thotë ta lësh mënjanë, ose ta zhdukësh rolin e autoritetit, që duhet të ndërhyjë në realizmin e sintezave të kontributeve të veçanta. Ja, pra, nuk është aspak e lehtë. Gjithsesi e shikoj se po bëhen përpjekje e po kërkohet të jetohet ky aspekt “bashkues” në çastet e asambleve tona.

Pyetje: - Reforma e Kishës, e Kuria, në veçanti, ishte një nga pikat e forta të këtij viti 2015 të Papës Françesku: një projekt që shkon përpara. Ju, që jeni një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papës, si e kuptoni këtë dëshirë të fortë për reformë, të cilën po e vë në lëvizje Françesku?

Përgjigje: - Papa - e ka përsëritur disa herë - është i vendosur ta çojë përpara reformën e Kuries. Është i vendosur  e po e vë në lëvizje me ritme të shpejta. Njëkohësisht do të ishte gabim po të thoshim se shqetësimi i vetëm i Papës është reforma e Kuries. Syri i tij përfshin mbarë botën, e bota ka edhe një mori problemesh të tjera… E shikojmë sapo dalim nga vendet tona të punës, sa nevojë ka bota për t’u ungjillëzuar: çkristianizimi përparon në mënyrë të pashmangshme e shikojmë sesi vlerat e Kishës lihen në një skutë e nuk ndjehet më dëshira të flitet për to. E gjithë kjo e shqetëson pa masë Papën. E shqetësohet gjithnjë më shumë  edhe, e sidomos, për të krishterët e persekutuar në mbarë botën. Po, shqetësohemi për riorganizimin e Kuries, por duke mos u përqendruar  tepër tek vetvetja. Vështrimi ynë synon të përfshijë mbarë njerëzimin, e shqetësimi ynë kryesor është të përhapim Fjalën e Zotit.

Pyetje: -  Gjatë këtij viti nuk kanë munguar trazirat as brenda Vatikanit. E, megjithatë, Papa ka qenë i qetë dhe, me qetësinë e tij, u ka krijuar atmosferë sigurie edhe besimtarëve që - gjë që e kemi parë disa herë – e duan vërtet si atë. Reflektimi juaj?

Përgjigje: - Para së gjithash, ishte një ngjarje që e bëri të vuajë shumë Papën. Vuajti, por nuk u përkul; përkundrazi, na dha edhe ne shembullin e qetësisë, të guximit, duke na përcjellë atmosferën e qetësisë e të nevojës për të ecur përpara, për të mos lejuar të kushtëzohemi nga ngjarjet negative, që ndodhin rreth nesh, posaçërisht nga ngjarja e ashtuquajtur “Vatileaks”. Lidhur me këtë, dëshiroj të saktësoj se dy njerëzit e akuzuar për vjedhjen e dokumenteve natyrisht e shpërdoruan besimin e Papës, por njëkohësisht shpërdoruan edhe detyrën e tyre, marrë me betim, për ta ruajtur sekretin e kartave, që kishin në dorë. Janë, pastaj, edhe dy gazetarë të akuzuar për përhapjen e lajmeve në mënyrë jo korrekte. Lidhur me këtë pikë, dëshiroj të saktësoj këtë: gazetarët kanë të drejtë të plotë t’i botojnë lajmet që marrin… madje edhe e kanë bërë këtë. Jo një herë, kohët e fundit, e kanë akuzuar Vatikanin  se është obskurantist e se përdor metoda inkuizitore. Këtu nuk bëhet fjalë për të vënë në diskutim të drejtën e tyre për t’i  botuar lajmet. Ajo, që vihet në dyshim, është metoda e përdorimit, mënyra si i shtinë në dorë lajmet! Është një proces gjyqësor në vijim, që do t’i sqarojë këto dyshime.

Pyetje: - A ka këtë vit ndonjë figurë të Françeskut, që ju mbeti posaçërisht në kujtesë e që, sipas jush,  e përmbyll 2015-tën e Papës?

Përgjigje: - Figura ka sa të duash…. Ndoshta sepse më afër nesh në kohë, mua më mbeti në mendje pamja e hapjes së Portës Shenjte të Bangui, në Republikën Qendrafrikane. E kjo, sepse, para së gjithash, nënvizon dashurinë e Papës për këtë popull, që vuan prej vitesh, viktimë e luftërave  vëllavrasëse, e pastaj sepse hapja në dy kanatat e kësaj Porte, portë e thjeshtë e një katedraleje po aq të thjeshtë, ishte gati-gati si britmë lartuar kah qielli, lutje e fuqishme drejtuar Zotit, që t’i japë hirin e paqes këtij populli, i cili ka të drejtë të jetojë në paqe e të mos jetë objekt lojrash në duart e fuqive të huaja. Ka të drejtë të jetojë më në fund në paqe e qetësi. Edhe vetë Mesha, që ky popull e kremtoi me Papën, ishte britmë gëzimi, ishte dëshirë e këtij populli që të shikojë ditë më të mira, për vete e për bijtë e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.