2015-12-27 13:47:00

Thirrja e Papës për emigrantët kubanë në Amerikën Qendrore


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, sot në ditën kur kremtohet Festa e Familjes Shenjte, mendimi i Papës Françesku shkoi tek takimi i madh i Filadelfias, tek shumë familje, me të cilat është takuar gjatë shtegtimeve apostolike si edhe tek familjet e botës mbarë. Duke i përshëndetur me dashuri, Papa u shprehu mirënjohjen, posaçërisht në këtë kohë, theksoi, kur familja pëson  moskuptime e kalon vështirësi. Pastaj, pas lutjes, Ati i Shenjtë kujtoi dramën e shumë emigrantëve kubanë.

Papa Françesku kujtoi vuajtjet e emigrantëve të shumtë kubanë dhe uroi të gjindet sa më shpejt rrugëzgjidhja e dramës së tyre:

“Mendimi im shkon, në këtë çast, tek emigrantët kubanë, që kalojnë çaste të vështira në Amerikën Qendrore, ku shumë prej tyre janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore. I ftoj vendet e Rajonit t’i përsërisin të gjitha përpjekjet e mundshme për ta zgjidhur sa më shpejt këtë dramë humanitare”.

Para lutjes mariane, Papa i nxiti besimtarët t’i sjellin sytë kah Familja Shenjte e Nazaretit. Bërthama familjare e Jezusit, tha Françesku, është shkollë e vërtetë e Ungjillit për çdo besimtar:

“Këtu admirojmë përmbushjen e planit hyjnor për ta bërë familjen bashkësi jete e dashurie. Këtu kuptojmë se çdo bërthamë e krishterë familjare  është e thirrur të jetë ‘kishë shtëpiake’, tharm i së mirës në shoqëri e vend ku shndrisin virtytet ungjillore. Tiparet karakteristike të Familjes Shenjte janë: lutja, mirëkuptimi reciprok, respekti, shpirti i flijimit, puna e solidariteti”.

Çdo familje, shtoi Ati i Shenjtë, mund të përfitojë nga shembulli i Familjes Shenjte për të zgjedhur stilin dhe mënyrën e jetesës:

“Zoja e Shën Jozefi na mësojnë t’i pranojmë fëmijët si dhuratë e Zotit, t’i lindim, t’i rrisim e t’i edukojmë duke bashkëpunuar mrekullisht mirë me veprën e Krijuesit e duke i dhënë botës, me çdo fëmijë, një buzëqeshje të re, të freskët. Pikërisht në familjen e bashkuar fëmijët fitojnë pjekurinë e jetës, duke jetuar përvojën domethënëse e plot fryt të dashurisë pa kurrfarë interesi, të dhimbsurisë, të respektit reciprok, të mirëkuptimit të anasjelltë, të faljes e të gëzimit”.

Gëzimi i vërtetë, vërejti Ati i Shenjtë, jetohet plotësisht pikërisht në gjirin e familjes. E nuk është as rastësi e as e papritur:

“Është gëzimi, fryt i harmonisë së thellë ndërmjet njerëzve, që të bën ta shijosh me fund bukurinë e çastit të kaluar së bashku, çastit të mbështetjes  gjatë ecjes së përbashkët në shtigjet e jetës. Pa harruar se në bazë të gëzimit, është gjithnjë prania e Zotit, dashuria e Tij mikpritëse, përdëllyese e durimtare për të gjithë. Nëse porta familjare nuk hapet në praninë e Zotit e të dashurisë së Tij, familja e humbet harmoninë, mbi të sundon individualizmi e shuhet gëzimi. Ndërsa familja që jeton gëzimin, gëzimin e jetës, gëzimin e fesë, e përcjell vetvetiu këtë gëzim, duke u bërë kripë e tokës, dritë e botës, tharm për mbarë shoqërinë”.

Jezusi, Maria e Jozefi, theksoi Papa në përfundim, i bekojnë dhe i mbrojnë të gjitha familjet e botës, që në to të mbretërojnë qetësia e gëzimi, drejtësia e paqja, të cilat Krishti, duke lindur, ia solli si dhuratë mbarë njerëzimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.