2015-12-27 15:08:00

Ipeshkvijtë e Indisë Papës: Nënë Tereza të shenjtërohet në Kalkutë


Ipeshkvijtë e Indisë i kërkojnë Papës që Nënë Tereza të shenjtërohet në Kalkutë, pikërisht në qytetin ku jetoi e kreu misionin e saj të jashtëzakonshëm, Rregulltarja shqiptare, ikonë botërore e dashurisë së krishterë, duke e ftuar Papën të jetë i pranishëm për ta kryesuar kremtimin, një nga më të priturit  e Vitit Jubilar.

Konferenca ipeshkvnore i shkroi për këtë Papës, menjëherë pasi Selia e Shenjtë njohu mrekullinë e dytë të Nënë Terezës, më 17 dhjetorin e kaluar,  duke i hapur përfundimisht rrugën drejt shenjtërimit. Sipas burimeve pranë Misionareve të Bamirësisë, Kongregatë e themeluar nga Nënë Tereza, vizita e Papës atje, ku shkeli këmba e saj e mbathur me sandalet e  shkatërruara nga përdorimi, në kërkim të të fundmëve, është mundësi konkrete. Nëse Papa do të shkojë në Kalkutë, India do të kremtojë shenjtërimin e parë në trojet e veta.

Janarin e këtij viti Papa Françesku kanonizoi Shën Jozefin Vaz në Sri Lanka e, shtatorin e kaluar, në Washington, kryesoi shenjtërimin e Shën Junipero Serrës. Kështu, sipas kryetarit të Shoqatës Katolike Botërore për Komunikimin, Sunil Lucas, ka shumë mundësi që Papa të shkojë edhe në Kalkutë:

“Nëse Papa do ta bëjë këtë shtegtim, do të jetë shlyerje e një detyrimi ndaj kësaj Gruaje të madhe. Nuk është shenjte, që i përket së kaluarës. Nuk na flet nga thellësia e shekujve. Na flet nga e në të sotmen tonë. I përket kohëve tona, Kalkutës, që e ruan të gjallë në kujtesë fytyrën e Saj, veprën e Saj, kujtimin e Saj. E ruan Qyteti  e  mbarë India. E do të jetë shumë më prekës kremtimi në Kalkutë, sesa në Vatikan. Kalkuta do të ketë, kështu, mundësinë të kremtojë shenjtërinë e Nënë Terezës e të ketë edhe rolin e vet të gjallë në këtë kremtim, në vend që ta shikojë nga larg, përmes ekranit të televizorit. E meriton!”.

Në Kalkutë a në Vatikan, kremtimi, kudo që të bëhet, nuk na lë pa krenarinë tonë, pa Nënën tonë Terezë, pa atë që, edhe kur atdheu e mohoi e ia mbylli portat, vijoi ta niste jetëshkrimin e saj me fjalët “Me gjak jam shqiptare….”.

Prej këndej, në Kalkutë a në Vatikan, nga afër, a nga ekrani  i televizorit, gjaku i vërtetë shqiptar do të vlojë në dej nga krenaria e shenjtë, kur ta shikojë Bijën e vet të ngritur në më të lartin nderim, që u jep Kisha katolike bijve e bijave të veta, që shkrinë jetën për njeriun, në emër të Krishtit! E shumëkush do të përsërisë me të njëtën krenari: “Me gjak jam shqiptar…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.