2015-12-27 16:41:00

Alarm terrorizmi në kryeqytetet e Evropës


Evropa është në gjendje alarmi, pas një paralajmërimi ardhur nga Vjena, drejtuar qyteteve të ndryshme evropiane: në javën e Vitit të Ri ndjehet fort rreziku i atentateve terroristike. Vijojnë kontrollet e policisë për t’i parandaluar në Belgjikë e në Bosnje, e pikërisht në Sarajevë, ku u  parandalua një atentat i mundshëm xhihadist. Ndërkaq kalifi i Shtetit të vetëshpallur Islamik, Al-Baghdadi, flet përsëri përmes një Twitteri: sulmet e reketave ruse nuk do të na ndalojnë – pohon.

Lajmi, pra, del nga Vjena e përhapet kudo si i besueshëm: në javën ndërmjet Krishtlindjes e Vitit të Ri ka rrezik të ketë atentate terroristike në vendet ku mblidhen turma, të cilat mund të qëllohen me bomba ose me armë zjarri. Policia austriake, që  pohon se është njoftuar nga shërbime mike sigurie, para 25 dhjetorit mori të gjitha masat, pa anuluar, megjithatë, asnjë veprimtari të parashikuar. E kjo, sepse, lexohet në një komunikatë të forcave të rendit, u sinjalizuan disa emra atentatorësh të mundshëm, të gjithë tashmë nën kontroll, por hetimet e kryera deri tani, nuk sollën rezultate konkrete. Ndërsa në Belgjikë u kap personi i nëntë i lidhur me masakrën e muajit të kaluar në Paris, që shkaktoi së paku 130 të vdekur. Me përpjekjet e përbashkëta të shërbimeve sekrete dhe të forcave të sigurimit kundër terrorizmit, u vu në shënjestër një pikë e rëndësishme në Sarajevë të Bosnjës, ku u asgjësua një sulm xhihadist, që do të mund të shkaktonte qindra të vdekur gjatë kremtimeve të Vitit të Ri: 11 vetë përfunduan në pranga. Të pandehurit ndiqnin të gjithë një xhami, në një shtëpi marrë me qira në rrethinat e Sarajevës dhe ishin simpatizantë të hapur të Shtetit Islamik. Ndërmjet tjerash sot, pas shtatë muajsh pa mesazhe të reja audio botuar në Twitter, kalifit të Shtetit të vetëshpallur islamik, Abu Bakr al Baghdadit iu dëgjua përsëri zëri: “Sulmet ajrore të Rusisë e të koalicionit kundër Is-it, udhëhequr nga SHBA-të, theksoi, nuk arritën ta ligështojnë grupin. Do të jemi më të fortë se më parë e kërcënim i gjallë për Izraelin: ‘Palestina nuk do të jetë toka juaj e as shtëpia juaj, por varri juaj!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.