2015-12-27 15:30:00

Dhimbja e Papës për viktimat e sulmeve në Filipine


Gjatë festimeve të Krishtlindjes, bashkësia e krishterë e Filipineve u gjakos nga një sërë sulmesh të koordinuara të militantëve islamistë separatistë. Në një telegram, Papa Françesku u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave. Ati i Shenjtë kërkoi të garantohet siguria dhe mbrojtja e të gjithë popujve të Rajonit, duke theksuar nevojën e dialogut, të tolerancës dhe të paqes, të cilat krijojnë kushtet që çdo njeri të jetojë i lirë e pa frikë.Papa i ftoi të gjithë besimtarët t’i kundërvihen dhunës në emër të Zotit, sepse Zoti është dashuri. U lut edhe që ai i Lumi t’u japë dhuratën hyjnore të ngushëllimit, të mëshirës e të forcës, njerëzve të prekur nga kjo tragjedi e re.

Këtë radhë në shënjestër ishin bashkësitë e krishtera të ishullit jugor Mindanao. Nëntë të krishterë u vranë nga luftëtarët islamikë për lirinë e Bangsamoros, formacion xhihadist kundërshtar i dialogut ndërmjet qeverisë dhe indipendentistëve të “Frontit të çlirimit Moro”, që kërkon ndarjen e ishujve me shumicë myslimane nga arkipelagu. Xhihadistët, pranë Shtetit Islamik, me të cilin kanë edhe marrëdhënie të drejtpërdrejta, i sulmuan të krishterët pikërisht Natën e Krishlindjes. Në një fshat, shtatë bujq u vranë me të shtëna pushke, ndërsa punonin në një arë të mbjellë me oriz e, në një zonë tjetër, dy besimtarë të krishterë u vranë nga një granatë e flakur kundër një kishe. Ushtria e Manilës ndërhyu menjëherë për ta ndaluar dorën vrasëse të islamikëve, duke shkaktuar pesë viktima të tjera ndërmjet sulmuesve. “Ndërhyrja jonë i pengoi rebelët të sulmonin edhe fshatra të tjera e të shaktonin edhe  më shumë viktima”, tha një zëdhënës i ushtrisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.