2015-12-26 14:23:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Familjes së Shenjtë


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, këtë herë do të meditojmë dhe dëgjojmë leximet biblike të festës së Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit. Pra kremtojmë festën e Familjes së Shenjtë, model virtytesh e të dashurisë së vërtetë për të gjitha familjet. Megjithëse nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht e deri në fund misterin e Foshnjës që Zoti u ka besuar, Jozefi e Maria kanë besim në Zotin dhe në realizimin e premtimeve të shëlbimit, paralajmëruar etërve qysh në kohën e profetëve.

Në kundrimin e familjes së Jezusit, leximet biblike të kësaj së diele e orientojnë vëmendjen tonë ndaj misterit të të birit, duke treguar në mënyrë të ndryshme se si ky realitet është i rëndësishëm, për të kuptuar marrëdhëniet tona me Zotin.

Shembulli i Familjes së Shenjtë të Nazaretit, na përkujton se të gjithë jemi të thirrur të bëjmë pjesë në familjen universale të Hyjit Atë, e të gjithë njerëzit janë anëtarë të kësaj vatre, që është gurrë e pashtershme dashurie e vëllazërimi.

Në këtë kohë të Krishtlindjes, liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Familjes së Shenjtë jehonë në një kornizë me të vërtetë magjepsëse, pranë Betlehemit, e pikërisht aty duket një model familjeje, së cilës nuk i ka kaluar aktualiteti e as moda që mëse 2 mijë vjet. E pikërisht tek ajo familje e Shenjtë e Nazaretit duhet t’i kthejnë sytë familjet e sotme sepse: Familja e Shenjtë e Nazaretit është vërtetë “prototipi” i çdo familjeje të krishterë, e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit e Eukaristia, është e thirrur të realizojë misionin e mrekullueshëm për të qenë qelizë e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të gjithë njerëzimin.

Edhe vet Jezusi ka qenë një fëmijë që i ka dëgjuar prindërit, të cilët e kanë edukuar, para së gjithash, me shembullin e tyre. Pra prej tyre, prej kësaj Familje shembullore e të Shenjtë, Jezusi mësoi se si t’i bindej vullnetit të Zotit Atë, por edhe se lidhja shpirtërore vlen më shumë se sa lidhja e gjakut. Po të shohim Ungjijtë, nuk gjejmë fjalime mbi familjen, por një ngjarje, që vlen shumë më tepër se çdo fjalë.

Zoti deshi të lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar e shenjtëruar si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin. Në jetën e kaluar në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit.

Familja është në qendër të mendimit të Zotit e këndej në qendër të botës së krijuar nga Zoti. Këtë na tregon shumë mirë tregimi biblik mbi krijimin. Zoti do që familja të karakterizohet, të shquhet nga një dashuri e vetme dhe e përbashkët: kjo është një nevojë dhe domosdoshmëri për respektimin e dinjitetit të qiftit të martuar, burrit e gruas dhe për respektimin e dinjitetit të fëmijëve. Familja, sipas Biblës, është dhe duhet të jetë pasqyrë besnike e fytyrës së Zotit Dashuri.
Ti dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të festës së Familjes së Shenjtë.

                                 Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 1 Sam 1, 20-22.24-28
 
Ana, shumë vite pa fëmijë, është e ndërgjegjshme se Samueli iu dhurua nga Zoti si përgjigje e lutjes së saj. Për këtë së bashku me burrin shkon për të kushtuar të birin në shërbim të tempullit. Çdo fëmijë është një dhuratë e Hyjit.
 
Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Brenda vitit, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit. Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t'i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit té vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë.” Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu.
Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit.” Dhe adhuruan Zotin. Kështu brenda vitit Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit. Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t'i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë”.
Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu. Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit”. Dhe adhuruan Zotin. Fjala e Zotit.
  
Psalmi 84
 Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin

----------
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh.
----------
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
----------
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jeruzalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
----------
 
 Leximi i dytë 1 Gjon 3, 1-2. 21-24
 
Përtej familjes së shenjtë të formuar nga Jezusi, Jozefi dhe Maria është një familje më e madhe hyjnore: Hyji është Ati, Biri është i parëlinduri i një shumice vëllezërish që Shpirti Shenjt i bashkon në besim dhe mirësi.

Lexim prej Letrës së parë të Gjonit
 
Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë. Fjala e Zotit

Ungjilli Lk 2, 41-52
 
Mes dijetarësh të tempullit shfaqet për herë të parë “misteri i Jezusit”. Maria, e ëma, është e tronditur nga humbja e Jezusit dhe mbetet e mahnitur nga përgjigjja e Jezusit. Rrugët e Hyjit nuk janë tonat dhe ndonjëherë na habitin. Jezusi kthehet në Nazaret dhe për 18 vjet jeton nën kujdesin e prindërve.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
 

Prindërit e Jezusit për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas dokes së festës. Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të vet. Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tija. Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” Ai u përgjigji: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” Por ata nuk kuptuan çka deshi t’u thotë.
Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje. Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve. Fjala e Zotit!

Më tepër këtu mund te dëgjoni programin e plote kushtuar Familjes së Shenjtë të Nazaretit... 








All the contents on this site are copyrighted ©.