2015-12-25 14:49:00

Patriarku i Jeruzalemit: është Krishtlindje, të mbretërojë mëshira, jo hakmarrja!


Hapja e Portës Shenjte, kujtimi i Vitit të Mëshirës, tragjeditë që kanë ndodhur gjatë vitit e, pavarësisht nga të gjitha, shpresa për paqe në Botë, në qendër të vëmendjes në mesazhin e patriarkut latin të Jeruzalemit në Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes. Një ëndërr e vërtetë, ky kremtim, për të krishterët, ardhur nga të katër anët e botës. Na e përshkruan, nga Betlehemi, Miriam Bianchi e Christian Media Center.  

Jemi në Betlehem, këtu ku, më se 2000 vjet më parë, Qielli e Toka u takuan. E prej këndej, akoma sot, niset e përhapet kudo nëpër botë  lajmi i madh i shëlbimit. Zbret nata mbi Sheshin e Lindjes së Krishtit, shpërthen gëzimi e vlon festa për hyrjen solemne të patriarkut të Jeruzalemit, imzot Fouad Twal. Është Nata e Krishtlindjes, nata e Betlehemit. Besimtarët, ardhur nga të katër anët e Botës, së bashku me të krishterët vendas, vihen me durim në radhë për të hyrë në Bazilikën e Shën Katerinës.

Patriarku Twal: fytyra mëshirëplotë e Zotit është thelbi i Krishtlindjes

Është Nata e Krishtlindjes, natë që kulmon me Meshën e kremtuar pikërisht nga patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Fouad Twal i cili, pak para mesnate, hap Portën e Mëshirës, me shpresë që ta kapërcejnë sa më shumë shtegtarë gjatë këtij viti të Jubileut, siç thekson ai vetë, në homelinë e lexuar nga mëkëmbësi patriarkal i Jeruzalemit, imzot William Shomali. Në qendër të vëmendjes, Viti Shenjt e, prej këndej, Fytyra e mëshirshme e Zotit, që është thelbi i kësaj Krishtlindjeje. Mëshira duhet t’i përfshijë të gjithë, të afërt e të largët, ata që duam e ata që takojmë rastësisht, thekson në homeli Bariu i Kishës amë të Jeruzalemit.

Më pas, cekja e situatës aktuale: “Zemra jonë është me miliona refugjatët, të burgosurit, viktimat e dhunës e të  acarit - vijon - e edhe me ata, që ikin nga zonat e konfliktit, duke kapërcyer detin me mjete të rastit e duke e shndërruar në varrezë vigane. E akoma: mendimi ynë shkon edhe tek viktimat e terrorizmit, kudo që janë e çfarëdo populli t’i përkasin. Janë të gjithë njerëz, pra vëllezërit tanë”.

Është Krishtlindje: mëshira sundoftë mbi hakmarrjen!

Më pas homelia e patriarkut vijon me fjalët: “Mëshira nuk është shenjë ligështie, por shprehje e gjithëpushtetit hyjnor, që shprehet në shkallën më të lartë në dhimbsuri e falje. Është thirrje, kjo e patriarkut, drejtuar të gjithë atyre, që kanë në dorë fatet e popujve, atyre që marrin vendime politike, të cilat sjellin vdekje. Thirrje, për t’u penduar e për të vepruar në mënyrë që  dinjiteti i njeriut të ketë epërsi mbi interesat materiale”.

Në këtë natë – janë fjalët përfundimtare të homelisë - në të cilën kremtojmë lindjen e Princit të Paqes e të Mëshirës, kemi ardhur t’i lutemi ta rinojë faqen e tokës, ta bëjë botën më mikpritëse e më e sigurt, vend ku mbretëron paqja, në vend të rivalitetit; mëshira, në vend të hakmarrjes e dashuria, në vend të urrejtjes.

Edhe sivjet, si zakonisht, në kremtim ishte i pranishëm presidenti palestinez, Mahmud Abbas.

Mesha në Shpellën e Lindjes së Krishtit

E, në të njëjtën orë, kremtohej edhe Mesha në Shpellën e Lindjes së Krishtit, pranë elterit të grazhdit, shoqëruar me këngë, lutje e shumë, shumë emocion për të krishterët e famullisë latine të Betlehemit. Privilegj i pashoq, për ata, që mund të marrin pjesë në këtë kremtim! Në përfundim, Patriarku zbriti me procesion, me Foshnjën Hyjnore në krahë, në Shpellë. Vijuan, më pas, meshët shenjte, aty, pranë yllit prej argjendi, ku jehon fort kumti: “Këtu, nga Virgjëra Mari, lindi Jezu Krishti!”. Ky është Betlehemi! Është vendi i Lindjes së Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.