2015-12-25 11:06:00

Mesha e Natës së Krishtlindjes: Jezusi e ndryshon botën


 “Në botën e sotme duhet kultivuar vetëdija e fortë e drejtësisë”. Kjo, ftesa e Papës Françesku Natën e Krishtlindjes. Gjatë Meshës, krysuar mbrëmë në Bazilikën e  Vatikanit, Papa i nxiti besimtarët të jetojnë thjeshtësisht, si Jezusi dhe ta mundin kulturën e indiferencës, duke iu kundërvënë me dashurinë e krishterë. Gjatë kremtimit, paraprirë nga kënga e lashtë e Kalendës, që kumton Lindjen e Krishtit,  besimtarët u lutën edhe në gjuhën arabe e kineze, posaçërisht për më të varfërit e më të fundmit e kësaj bote.     

Gjatë homelisë, Papa u përqendrua kryesisht tek përkujtimi i ngjarjes mahnitëse, lindjes së Krishtit në Betlehem. E, duke pasur parasysh posaçërisht Solemnitetin e sivjetëm, theksoi:

“Nuk ka vend për dyshim; t’ua lëmë dyshimtarëve, të cilët për të pyetur vetëm arsyen, nuk e gjejnë kurrë të vërtetën. Nuk ka hapësirë për indiferencën, që sundon në zemrën  e atyre, të cilët nuk dinë të duan, sepse kanë frikë mos humbasin ndonjë gjë. Trishtimi mërgohet, sepse Foshnja Jezus është ngushëlluesi i zemrës”.

Sot lindi  Biri i Zotit, rikujtoi Ati i Shenjtë, prandaj gjithçka ndryshon. Drita e vërtetë vjen të ndriçojë jetën tonë, shpesh të zhytyr në errësirën e mëkatit:

“Sot lindi Biri i Zotit! Lindi në varfërinë e botës, sepse për të e për familjen e tij nuk pati vend në bujtinë. Gjeti strehë e pushim në një stallë e u vendos në një grazhd për kafshë. E pra, pikërisht prej kësaj asgjëje, shpërtheu drita e lumnisë së Zotit”.

 Duke nisur që këtu, rikujtoi Ati i Shenjtë, për njerëzit me zemër të thjeshtë, fillon udha e çlirimit të vërtetë dhe e shpërblimit të pambaruar. Nga ky Fëmijë, që i ka të vulosura mbi fytyrë tiparet e mirësisë, të mëshirës, e të dashurisë së Hyjit Atë, siç na mëson Shën Pali Apostull, buron për të gjithë ne, dishepujt e Tij, angazhimi për ta mohuar mbrapshtinë dhe pasurinë e botës, për ta jetuar jetën me thjeshtësi,  drejtësi e mëshirë (Tt 2,12).

Në një shoqëri, shpesh të etur për konsum e kënaqësi, begati e luks, dukje e narcizizëm, Ai na  fton për një sjellje të thjeshtë, të ekulibruar, konsekuente, na fton të jemi të aftë për të jetuar atë, që është themelore.  Në një botë, që shpesh herë është e egër me mëkatarin, e e butë me mëkatin, duhet kultivuar vetëdija e fortë e drejtësisë, e kërkimit për ta vënë në jetë vullnetin e Zotit. Brenda kulturës së indiferencës, që shpesh është e pamëshirë, stili i jetës sonë duhet të jetë plot me mëshirë, me dhimbsuri, që mund t’i gjejmë çdo ditë në pusin e lutjes.

Uroj që, ashtu si sytë e barinjve të Betelehemit, edhe sytë tanë të mbushen plot me mahnitje e mrekullim duke kundruar Krishtin Fëmijë, Birin e Zotit, tha në përfundim Françesku. E para Tij, të burojë nga zemrat tona lutja: “Na  e trego, o Zot, mëshirën tënde e na e jep shpëtimin tënd” (Ps.85,8).








All the contents on this site are copyrighted ©.