Krishtlindja është festa universale e gëzimit, kriza e sotme ekonomike mund të ndihmojë për ta pastruar nga koret konsumistike e materialistike, të cilat shpesh e maskojnë, e për ta rizbuluar në gjithë vërtetësinë e saj, si dhuratë shprese që i bën Zoti botës. Nuk mund të mos kujtojmë në mënyrë të veçantë fëmijët e varfër të mbarë botës, që kalojnë periudha të vështira dhe ftesën drejtuar çdo familje ta ruajë e ta pasurojë traditën e Shpellave të Betlehemit.
Krishtlindja i flet zemrës. Edhe zemrës së njerëzve që nuk besojnë, por që nuk
mund të mos ndjejnë, në këtë periudhë ‘diçka të jashtëzakonshme e të mbinatyrshme,
sepse ardhja e një fëmije, që na pushton ndër krahë, nuk mund të mos jetë ngjarje
tejet gazmore. Fjalët me të cilat Kisha na shoqëron gjatë Krishtlindjes, janë një
himn për dashurinë që u ngjall të gjithëve Jezu Krishti Fëmijë në Shpellën e Betlehemit.
E, me që Krishtlindja është festë e lindjes së një Fëmije, bëhet edhe festë që këndon
dhuratën e jetës. Por vizioni që krijon Krishti për vetveten në mjerimin e grazhdit
e nxit Kishën të japë edhe mendime tjera, urgjente e aktuale.
Duke e kundruar në Shpellën e Betlehemit, si mund të mos mendojmë për shumë fëmijë,
që edhe sot e kësaj dite dalin në dritë në mes një varfërie të madhe, në të katër
anët e botës? Si mund të mos mendojmë për të posalindurit, që nuk duhen, që flaken,
për ata që vdesin pa lindur mirë për shkak të mungesës së ilaçeve e të kujdesit? Si
të mos mendojmë edhe për familjet, që dëshirojnë me gjithë zemër gëzimin e një fëmije
e nuk arrijnë ta realizojnë kurrë këtë ëndërr?.
Në atmosferën e konsumizmit, që e shtyn njeriun të kërkojë vetëm kënaqësitë, për fat
të keq, Krishtlindja rrezikon ta humbasë domethënien e vet shpirtërore, për t’u kufizuar
në treg për shitblerje dhe shkëmbim dhuratash. Megjithatë, vështirësitë e paqartësitë
e vetë krizës ekonomike, që po jetojnë këto ditë shumë familje e që prek mbarë njerëzimin,
mund të jenë nxitje për të rizbuluar ngrohtësinë e thjeshtësisë, të miqësisë, të solidaritetit,
vlera tipike të Krishtlindjes. E pastruar nga koret konsumistike e materialistike,
Krishtlindja mund të bëhet, kështu, rast për ta pranuar, si dhuratë personale, lajmin
e shpresës, që buron nga misteri i lindjes së Krishtit.
Nuk lind ndonjë ‘personalitet i shquar’. Për Kërshëndella – le të theksojmë me forcë
– nuk përkujtohet në mënyrë abstrakte misteri i lindjes së njeriut, e aq më pak festohet
‘fillimi i stinës së re’. Përkundrazi, pasuria biblike e liturgjisë së Krishtlindjes,
na tregon kuptimin e Mishërimit të Jezusit. Kështu, në Krishtlindje kujtojmë diçka
tepër konkrete e të rëndësishme për njerëzit, diçka që është themelore për fenë e
krishterë, një të vërtetë që Shën Gjoni e përmbledh në shprehjen: “ E Fjala u bë njeri”!.
Krishti Fëmijë bëhet histori, siç e dëshmon Shën Luka. Është ‘Vetje’, që interesohet
për çdo njeri, është… Një Hyj i mirë, që nuk duhet ngatërruar me ndonjë qenie tjetër
të lartë e të largët, tek e cila nuk mund të arrihet kurrë, por një Zot që u bë i
afërmi ynë, që e kemi fare pranë, që ka kohë për secilin nga ne e që erdhi të rrijë
me ne.
Përballë gjithë kësaj mrekullie, e cila ndokujt, për të mos thënë të gjithëve, mund
t’i duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë, aq sa të mendojë në se është gjë e
denjë për Hyjin ‘të bëhet foshnjë’, Kishsa i ftoi të gjithë të ‘ulin’ kokën përballë
madhështisë së misterit, të cilin mendja e kufizuar njerëzore nuk arrin ta kuptojë.
Në Shpellën e Betlehemit, Hyji duket para nesh si foshnjë e përvujtë, për të mundur
krenarinë tonë. Ndoshta do të dorëzoheshim më lehtë përballë pushtetit, përballë dijes;
po Ai nuk dëshiron që ne të dorëzohemi; ai i bën thirrje zemrës sonë e pret të marrim
lirisht vendimin për ta pranuar dashurinë e tij. U bë i vogël, për të na çliruar nga
pretendimi i madhështisë, që buron nga mendjemadhësia; u mishërua lirisht, për të
na bërë ne të lirë, të lirë për ta dashur.
Këtë na kujtojmë edhe disa nga meloditë tradicionale të Krishtlindjes. Tingujt e instrumenteve
të këngëve të Krishtlindjes, që dëgjojmë e këndojmë gjatë kësaj feste e në këtë periudhë,
të jenë edhe një porosi për gjithë të krishterët, kudo në botë, për të kundruar në
Shpellën e Betlehemit, në familje, ngjarjen e Mishërimit të Zotit në Jezusin Foshnje
– Emanuelin Zotin me ne.
Urojmë që një element kaq i rëndësishëm, jo vetëm i fesë sonë të krishterë, por edhe
i kulturës e i artit të krishterë, të jetë edhe tani e tutje pjesë e këtij solemniteti
të madh. Në fund të fundit është një mënyrë e thjeshtë e shprehëse për të kujtuar
Jezusin i cili, duke u bërë njeri, erdhi të banojë mes nesh. Gëzuar Krishtlindjen
të gjithëve!.
All the contents on this site are copyrighted ©. |