2015-12-23 15:46:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni XIII: Skena XI


 CONVERSUS DOMINUS RESPEXSIS PETRUM

Zoti, duke u kthyer, e pa në sy Pjetrin

Jemi përsëri në Bazilikën e Shën Pjetrit, para kornizës së skenës së XI të Portës Shenjte. E edhe para një pyetjeje, që e lidh ngusht këtë skenë, me atë që sapo kemi lënë pas: “E pse u dashka të falim gjithnjë?”. Pyetja na duket e vështirë. Po përgjigjja është krejt e thjeshtë: “Pse edhe Zoti fal gjithnjë!”. Nëse e bëjmë zemërpenduar hapin e rikthimit tek Zoti, e gjejmë të gatshëm për të na e falur çdo lloj mëkati. E ishte Pjetri ai, që e provoi i pari këtë ndjesë të pashoqe, në çastet dramatike të Mundimeve të Krishtit. Pjetri nisi të dyshojë: dyshoi se Jezusi kishte marrë fund, ishte mundur. Se në këtë botë sundon gjithnjë ligësia, jo mirësia. E, faqenxirë, e mohoi Jezusin. Para të gjithëve. Duke kaluar në anën e logjikës së botës arrogante, prepotente, fodulle.

Por, sipas rrëfimit të Shën Lukës Ungjilltar, Pjetri s’e kish kryer ende mirë fjalën e mohimit, kur Jezusi u kthye e ia guli sytë e tij plot me mëshirë. Në bebe të syrit. E ne, duke e parë ngarjen nga afër, brenda kornizës së njëmbëdhjetë, kuptojmë mesazhin, që del prej syve të Zotit: “Mos u shqetëso, nuk fiton e keqja, nuk fiton ligësia, nuk fiton fodullëku. Fiton e do të fitojë përgjithmonë e jetës mirësia: duhet vetëm të kesh durimin dhe përvujtërinë të presësh kohët e Zotit. Pjetër, besoji Zotit …. E pas pak orësh do të shikosh dritën e fitores: do të më shikosh të ngjallur! E ky do të jetë vetëm fillimi i ngadhënjimit!”.

Pjetri besoi, u pendua që kishte dyshuar, shpërtheu në vaj e shpirti i tij rigjeti bukurinë dhe sigurinë e fesë. …. Deri në martirizmim, mbi kodrën e Vatikanit, ku po shtegtojmë ne sot, për të rijetuar, me Kryeapostullin, rikthimin  në një fe më të gjallë, më të bindur, më të patundur. Pas mijëra mohimeve, gjatë udhës sonë të kryqit…

Të lutemi

Pjetër,

provove ligështinë

e poshtërimin e mohimit.

Por në sytë e Jezusit

pe dashurinë

e gjithmonshme,

pe faljen

gjithnjë gati,

e qave…

E gjete kësisoj

pafajninë e shpirtit.

Na  e fal një lot,

një të vetëm

nga lotët e tu

Amen!

Ndalemi në këtë skenë dramatike, për të jetuar, këto ditë, pamje më gazmore: ato të lindjes së Krishtit në Shpellën e Betelehemit. Duke pritur përfundimin e festave të mëdha të dimrit, për të vijuar shtegtimin tonë. Sepse Jubileu i Mëshirës vijon edhe pas kapërcimit të Portës Shenjte … 








All the contents on this site are copyrighted ©.