2015-12-23 11:06:00

Më 23 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin e Ketit, meshtar.


Gjoni, meshtar e teolog , i lindur në Keti apo Kanc të Polonisë në vitin 1390, qe mësues e model për brezni të tëra meshtarësh. Shërbeu si famullitar në Olkuz. Shpirti i lutjes e i pendesës, dashuria e tij e pashtershme për të gjithë e, posaçërisht, për të varfrit, i japin një vend të dalluar në shekullin e madh të shenjtorëve në Poloni”. Kështu shkruhet në ‘Mesharin Romak’ për Shën Gjonin e Ketit

Ndërsa në ‘Martiriologun Romak’ lexojmë: “Shën Gjoni nga Keti, meshtar, pas shugurimit dha mësim për shumë vjet në Universitetin e Krakovisë. Më pas u ngarkua me detyrën e kujdesit baritor në famullinë e Olkuzit, ku u shqua për virtytin e dëshmisë së një feje të thellë, duke u bërë kështu për bashkëpunëtorët e dishepujt e tij, model dashurie e bamirësie ndaj të afërmit”.
Mjaftojnë dy ngjarje të vogla nga jeta e Shenjtit, për ta kuptuar përvujtërinë e, njëkohësisht edhe mprehtësinë e tij të jashtëzakonshme:
Së pari kujtojmë se shtegtoi katër herë në Romë, duke e bërë gjithë rrugën, shkuarje e ardhje, në këmbë.
Së dyti, kur ishte profesor i mirënjohur i katedrës së famshme të Universitetit të Krakovisë, prej nga do të fliste shumë më vonë edhe Karol Vojtila, një ditë u nis për të marr pjesë në një gosti, ku ishte ftuar, i veshur me rroba të vjetra. Shërbëtori nuk e la të hynte. Iu desh, atëherë, të shkonte e të ndërronte rrobat e të rikthehej në pallatin ku jepej pritja. E lanë menjëherë të hynte por, gjatë darkës, një kamerier i pakujdesshëm, i derdhi një gotë verë mbi rrobat e reja. Gjoni qeshi e tha: “Është e drejtë që edhe petku im të ketë pjesën e vet, sepse falë tij munda të hyj në këtë vend”. Vdiq në Krakovi të Polonisë natën e Krishtlindjes të vitit 1473.








All the contents on this site are copyrighted ©.