2015-12-23 15:06:00

Kardinali Parolin: droga nuk mundet me drogë, duhet parandalim


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kryesoi mbrëmë Meshën e Krishtlindjes me të droguarit, në Qendrën italiane të Solidaritetit don Mario Picchi, në Romë. Hirësia e Tij theksoi se duhet punuar më shumë për parandalimin e drogës.

Kardinali Parolin ripohoi se Kisha nuk mund të heshtë, përballë dramës së drogës. Kujtoi, kështu, fjalët e Papës në konferencën ndërkombëtare mbi drogat, mbajtur në qershor 2014. Theksoi, pra, se droga nuk mundet me drogë! Droga është një e keqe, e me të keqen nuk mund të ketë lëshime as kompromise.

Psikofarmakët nuk janë pritë

Të mendosh se mund të kufizohet dëmi, duke lejuar përdorimin e psikofarmakëve nga njerëzit, që vijojnë ta përdorin drogën, nuk e zgjidh aspak problemin. Kështu u shpreh kardinali e në vijim nënvizoi se “legalizimi i të ashtuquajturave ‘droga të lehta’, edhe të pjesshme, të diskutueshme në planin ligjor, nuk i siguron rezultatet e parashikuara.  Drogat zevendësuese, pastaj, nuk janë mjekim i mjaftueshëm, por mënyrë  e maskuar për t’u dorëzuar para fenomenit.

 Drogat luftohen me parandalim

Drogat luftohen me mundësinë për të punuar, me edukim, sport, jetë të shëndetshme. Kisha i merr për dore të gjithë ata, që angazhohen të shpëtojnë nga kjo skllavëri. E ky proces kalon përmes parandalimit, përmes stimulit për ta rindërtuar jetën, të cilën droga e shkatërron.

Në përfundim të kremtimit, sekretari i Shtetit kujtoi edhe thirrjen drejtuar Papës nga një grup njerëzish, që humbën kursimet për shkak të falimentimit të katër bankave, të shpëtuara nga qeveria, duke kujtuar se Françesku është gjithnjë pranë njerëzve, në të mira e në të vështira. E përsa u përket tragjedive të emigracionit, kërkoi përgjigje më të suksesshme nga bashkësia ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.