2015-12-22 13:10:00

Toka Shenjte: 600 “leje” izraelite të krishterëve të Gazës


Autoritetet izraelite u lëshuan 600 leje me emra të caktuar, po aq të krishterëve me banim në Rripin e Gazës, për t’u krijuar mundësinë të vizitojnë Viset e Shenjta, duke nisur nga Betlehemi, me rastin e kremtimeve të Krishtlindjes. Lejet, që kanë afat një mujor, nisën të përdoren që të dielë, më 20 dhjetor. Burimet palestineze, rimarrë nga Agjencia Fides, nënvizojnë se asnjë njeri me moshë 12 deri në 30 vjeç nuk ka mundur të sigurojë lejen për të lëvizur lirisht këto ditë. Një përzgjedhje e tillë e bën një pjesë të mirë të lejeve të papërdorshme, posaçërisht ato dhënë fëmijëve të çifteve të reja, që nuk mund të shoqërohen nga prindërit.

Hapja e Portës Shenjte në Gazë 

Ndërkaq, gjithnjë të dielën e kaluar, patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Fouad Twal, hapi Portën Shenjte të famullisë së Gazës, kushtuar Familjes  Shenjte. Patriarku, së bashku me ipeshkvin Giacinto Boulos Marcuzzo (mëkëmbës patriarkal për Izraelin), dhe disa priftërinj të Jeruzalemit e të territoreve palestineze, mori pjesë në festën e organizuar me rastin e Krishtlindjes për fëmijët. Kremtimi u mbajt në lokalet shumëfunksionale të famullisë, përuruar kohët e fundit.








All the contents on this site are copyrighted ©.