2015-12-22 10:30:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni XII


 SEPTUAGIES SEPTES

Shtatëdhjetë herë shtatë

Hyjmë sot në kornizën e skenës së dhjetë të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. E na del menjëherë përpara vetë Kryeapostulli. Është bashkë me Krishtin. E dëgjojmë duke i bërë një pyetje, të cilën e kemi të gjithë në zemër: “Nëse im vëlla mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë, besoj?” (Mt 18,21). Kështu e pyet Pjetri Zotin. E i duket vetja tepër bujar...! Shtatë herë! Jo një a dy.

Po përgjigjja e Jezusit është e rrufeshme: “Jo, nuk mjafton! Tepër pak shtatë herë. Duhet ta falësh shtatëdhjetë herë shtatë! Gjithnjë” (Mt 18,22).

Këto fjalë të Jezusit e bëjnë krishterimin “të pashoq” ndërmjet të gjitha feve mbi tokë. Ne, të krishterët, jemi popull i faljes, popull që beson se mëria mundet me dashuri e ligësia e shpirtit mund të përballohet vetëm me mirësinë më të madhe.

Historia na jep vazhdimisht të drejtë, por mesazhi i Krishtit kërkon heroizëm: zemër të re; zemër, që i përngjet Zemrës së Zotit, për ta kuptuar e për ta jetuar çdo rrahje të saj.

E marrim vesh menjëherë se duhet të bëjmë kthesë. Prandaj ndodhemi këtu, para Portës Shenjte. Nuk mund ta kapërcejmë, pa u përshkuar më parë prej kornize në kornizë, prej një skene biblike, në tjetrën, për ta kuptuar  se  duhet të dalim nga një botë, për të hyrë në një tjetër… Se duhet ta braktisim mendësinë njerëzore, për të bërë tonën mendësinë hyjnore.

Duke e vërejtur me vëmendje skenën, syri ndalet mbi një  hollësi  vërtetë të rrallë, prekëse: “Dora prej bronzi e Jezusit është ngrënë nga mijëra lëmime. Nga mijëra duar. Nga mijëra buzë. Mijëra shtegtarë e kanë ledhatuar, para se të kapërcenin Portën Shenjte”.

Lëmë edhe ne mbi të shenjat e gishtave tonë. Identikit. Për t’i thënë, me këtë gjest: “Jezus, më merr për dore e më ço në mbretërinë tënde të dashurisë e të faljes!”

Në këtë pikë na vijnë në mendje fjalët shkreptimtare, që ia shkruante  Fjodor Dostojevski së mbesës, Sonia, në janar të vitit 1868: “Në botë vetëm një Vetje është sigurisht e bukur: Krishti! Dukja e kësaj Vetjeje paanësisht e pambarimisht të bukur, është mrekulli e jashtëzakonshme”.

Të lutemi:

Jezus,

ti vetëm na mëson

se urrejtja

mundet me dashuri;

ligësia, me mirësi;

fyerja mundet

me falje!

Ndihmona ta mbajmë gjithnjë gjallë

këtë risi mahnitëse:

e vetmja, që mund ta ndryshojë

historinë njerëzore

Amen.   








All the contents on this site are copyrighted ©.