2015-12-22 17:45:00

Françesku dhe të varfërit, në Krishtlindjen e Mëshirës


Papa përgatitet për kremtimet festive të Krishtlindjes dhe të fundvitit. Ka përpara, prandaj, ditë të ngarkuara me veprimtari. Prej këndej, nesër nuk do ta  kryesojë audiencën e përgjithshme të së mërkurës. Ndërsa, më 24 dhjetor, në orën 21.30, do të jetë në Bazilikën e Vatikanit, për Meshën e Natës së Krishtlindjes.

Krishlindje, kjo e sivjetmja, e ngërthyer në një Vit Shenjt që, me thirrjen e tij të fuqishme për mëshirë, i fton gjithë të krishterët ta kërkojnë më vëmendshëm Krishtin Fëmijë në “grazhdet” e periferive. Atje, ku zakonisht vezullimet ngjyra-ngjyra të dritave nuk arrijnë, nuk ndjehen meloditë e gajdeve të barinjve e as nuk vallëzojnë pleqtë e Vitit të Ri me mjekrra të gjata, të bardha, si dëbora. Dëbora, në skajet e skutat e periferive, ka pamjen e bukurisë që vret. Në shtëpitë e pleqve, në ndonjë mensë, ku shuajnë urinë të varfërit, në lagjet e barakave, në strehimet e emigrantëve, ditët e fundme të dimrit janë tepër të akullta. E njerëzit e ndjejnë fort nevojën për pakëz ngrohtësi. E vetmja ngrohtësi për ta është Zoti. Prandaj nëse dëshiron ta gjesh Zotin, kërkoje në përvujtëri, kërkoje në varfëri… Kërkoje atje, ku fshihet: në më nevojtarët, në të sëmurët, të uriturit, të burgosurit. Na e kujtoi këtë Papa pak ditë më parë, duke hapur Portën Shenjte të Strehës së Karitasit, pranë stacionit hekurudhor romak “Termini”.

Gjithë këtë do ta ketë në zemër Françesku kur, në orën 21.30 të 24 dhjetorit, do të ngjitet në elter, në Bazilikën e Shën Pjetrit për Meshën solemne të Krishtlindjes, e edhe kur, një ditë më pas, do të duket në mesditë, në lozhën qendrore të Bazilikës së Vatikanit, për të dhënë Bekimin e Krishtlindjes “Urbi et Orbi” - Romës e Botës.

Ndërkaq mjetet botërore të komunikimit masiv mobilizohen për t’i krijuar hapësirën e duhur kremtimeve papnore. Më 24 dhjetor, në Sallën Markoni të Radios sonë, në orën 11.00, do të mbahet takimi i telekronistëve të Mondovizionit për kremtimet e Kohës së Krishtlindjes, që përfshijnë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot të festës së Shën Shtjefnit, si dhe kremtimin e Mbrëmësores së Lutjes dhe Te Deum të falënderimit të Zotit për vitin e kaluar, që Papa Françesku do ta kryesojë të mërkurën, më 31 dhjetor, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.