2015-12-21 18:16:00

Imzot Twal: solidaritet për Tokën Shenjte, ejani të na takoni pa frikë


Nxitje për të vepruar në dobi të paqes, thirrja drejtuar shtegtarëve, që ta vizitojnë Tokën Shenjte; injeksion shprese për popullsitë e Lindjes së Mesme. Ky, thënë me dy fjalë, është thelbi i mesazhit të patriarkut latin të Jeruzalemit, imzot Fouad Twal, drejtuar, për Krishtlindje, mbarë botës, sepse mbarë botës i përket kjo Tokë. Nuk i harron as viktimat e terrorizmit, Patriarku, e as ata, që u detyruan e detyrohen të ikin nga trojet e tyre për shkak të luftërave. Duke folur, në mikrofonin tonë, nga Jeruzalemi, patriarku Twal sqaron, në radhë të parë, pse ua drejtoi këtë mesazh kryesisht liderëve izraelitë e palestinezë:

Përgjigje: - Kemi nevojë për guximin e tyre, që të bëjmë së bashku një hap konkret përpara. Vetëm kështu do të kuptohet se janë seriozë e edhe se kërkojnë të mirën e popujve. Përndryshe, nuk i dëgjon më askush. Njerëzit e kanë humbur shpresën. Nuk u besojnë më fjalimeve. Fjalëve të mëdha të këtyre liderëve, që tashmë nuk i duhen gjë kujt, aq më pak paqes. Mëkat ta thuash, por po s’bënë gjeste konkrete, që të na bindin për vullnetin e tyre të mirë, nuk i dëgjon më askush edhe kur marrin fjalën në mitingje, në takime, në bisedime, të cilat deri tani kanë pasur pak e aspak dobi.

Pyetje: - Në mesazh, ju kujtoni një shprehje, që Papa e përdor shpesh: “lufta e tretë botërore copa-copa”…

Përgjigje: - Në luftë njihen armiqtë. Ndërsa në situatën tonë, kemi jo copa, po thërrime, tepër të vogla, e nuk arrijmë as ta dallojmë kush është kundërshtari. Kundërshtar mund të jenë fëmijët, që luajnë me thika, e kjo nuk e ndihmon askënd, sepse nuk është grup, nuk është ushtri, nuk është parti: thjesht, lojra të dëshpëruara me thika. Por nga ana tjetër janë ushtarët izraelitë, të cilëve u janë shkatërruar nervat, kështuqë e kanë fare të lehtë ‘të luajnë” me mitrolozë, duke vrarë, pa ngurruar asnjë sekond. Lojë e ndyrë, nga të dyja palët, që nuk i zgjidh problemet e nuk ndihmon askënd; përkundrazi, e thellon urrejtjen, tmerrin, mosbesimin. Mëkat!

Pyetje: - Ju e keni denoncuar shitjen e armëve. Thua të ketë lidhje edhe me  tensionin ndërmjet Izraelit e Libanit, që është acaruar mjaft orët e fundit…

Përgjigje: - Derisa të shiten armë, luftëtarët do të bëjnë luftë. Tashmë nuk merret vesh fare kush është terrorist e kush nuk është. E dimë se ka terroristë në Siri. Dimë se quhen al Nusra, por dimë edhe se mjekohen në spitalet izraelite. Nuk e marrim më vesh ku është terroristi, kush fshihet pas tij, kush e ushqen…. Pështjellim i plotë, ky! Ne, pastaj, i jetojmë drejtpërdrejt pasojat e luftës në Siri. Kemi më se një milion e gjysëm refugjatë vetëm në dioqezën tonë të Jordanisë, për të mos folur për të vdekurit. Vetëm Viti i Mëshirës mund të na japë një përgjigje: më shumë respekt për dinjitetin njerëzor, më shumë mëshirë për njëri-tjetrin, më shumë mëshirë ndërmjet shteteve, kemi shumë nevojë. S’bëj gjë tjetër, veçse të përsëris se ka ardhur e ka kaluar koha për ta kuptuar tjetrin, për të mos pasur frikë nga tjetri, për ta mëshiruar tjetrin. Në të gjitha këto çaste, mungon plotësisht respekti njerëzor; vuajnë shumë të rinj, fëmijë, pleq, nëna, baballarë, që s’kanë të bëjnë fare me luftën e askush nuk e merr parasysh vuajtjen e tyre. Ka, pastaj, edhe terroristë, ka luftë. Ka ushtri. Por    edhe popull, që nuk ka fare gisht në gjithë këtë katrahurë. Shpresojmë se Krishtlindja, tashmë fare pranë, do të jetë Festë, që sjell më shumë paqe, më shumë mëshirë për të gjithë.

Pyetje: - Si e pret sivjet Krishlindjen Toka Shenjte?

Përgjigje: - Për Krishtlindje kemi vendosur ta këndojmë gëzimin tonë, të besojmë në ardhmërinë e në solidaritetin e miqve tanë në botë. I ftojmë të gjithë të vijnë të na takojnë, pa frikë! Lutemi për njëri-tjetrin, Krishlindja mbetet Krishtlindje; e prej këtu niset shpresa, gëzimi, thjeshtësia e jetës. Besimi në një Ferishte. Dje isha në Gazë, ku disa refugjatë qenë strehuar në një shpellë: edhe Krishti Fëmijë lindi në shpellë. Po ne kemi shumë refugjatë, e edhe fëmijë të posalindur, që nuk e kanë as shpellën, për t’u mbrojtur nga e ftohta. Aq sa të vjen të thuash se Krishti Fëmijë pati fat që e gjeti një shpellë. Po ne, megjithatë, besojmë gjithnjë në forcën e lutjes. Zoti i bekoftë të gjithë e na dhëntë vitin e ri, që shpresojmë: plot me paqe e gëzim!








All the contents on this site are copyrighted ©.