2015-12-19 08:30:00

Kardinali Ravasi shpjegon kuptimin biblik të Jubileut


“Të gjithë jubiletë duhet të jenë raste për të ushtruar mëshirën e solidaritetin”. Mendimi është i kardinalit Gianfranco Ravasi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, që, si biblist e studiues i hebraizmit, reflekton me ne për domethënien biblike të Vitit Shenjt e të konceptit të mëshirës.

Ky, që nisi më 8 dhjetor, është Viti i parë Shenjt “tematik” në historinë e Kishës, por duhet kujtuar se përmasa e “faljes” ose e kërkimit të ndjesës  si dhe ajo e dhimbsurisë, është gjithnjë e pranishme në konceptin e Jubileut. Psenë na e shpjegon kardinali Gianfranco Ravasi:

“Ngjarje e veçantë, që përfshin mbarë botën katolike dhe drejtohet në thellësi të zemrës së Jubileut, në shpirtin e tij të vërtetë, shpirt dashurie, çlirimi, drejtësie, rikthimi të vëllazërisë ndërmjet popujve, njerëzve,  e edhe tokës. Nuk duhet harruar se edhe Jubileu i famshëm i vitit dymijë, që na kujton menjëherë figurën qendrore, tashmë të prekur nga sëmundja, të Gjon Palit II, në pragun e Portës Shenjte, përqendrohej shpesh tek tema e faljes, madje tek kërkimi i faljes nga ana e vetë Kishës për mëkatet në gjirin e në historinë e saj, kryer prej bijve të vet”.

Edhe rrënjët biblike të konceptit të Jubileut, që mund t’i gjejmë në Besëlidhjen e Vjetër, në Kapitullin e 25-të të Librit të Levitikut, pohojnë frymën e tij të mëshirshme, siç na  shpjegon kardinali Ravasi:

“Ky jubile karakterizohej nga disa veprimtari, që janë e dhe sot e kësaj dite tipike për Vitin e jashtëzakonshëm të Mëshirës. Ishte falja e borxheve familjeve, rikthimi i tokave, që u qenë marrë, ishte çlirimi i skllevërve. Kremtohej edhe një herë liria e humbur dhe e rikthyer.  Ishte edhe një aspekt ekologjik, sepse toka lihej një vit pushim, duke e konsideruar edhe atë si krijesë, që merrte pjesë në Jubile. Ishte çast drejtësie, dashurie, solidariteti, edhe për tokën, që nuk duhet shfrytëzuar në dëm të saj”.

Po të hyjmë thellë në kuptimin e Biblës, do të ndeshemi edhe me një të papritur tjetër, që ka të bëjë me vetë fjalën mëshirë, e cila etimologjikisht lidhet me zemrën dhe thekson karakterin instinktiv: ta dëgjojmë përsëri kardinalin Ravasi:

“Është domethënëse që në gjuhën e Besëlidhjes së Vjetër, në një paralelizëm të çuditshëm, organi simbolik, nga del mëshira, nuk është zemra. Është një tjetër. Në Besëlidhjen e Vjetër hasim një emër,  me të cilin thirret vazhdimisht Zoti: “rachamim” në shumës, që ka kuptimin e drejtpërdrejtë të “prehërit të nënës”, prej këndej, brenda konceptit të mëshirës, ka edhe instinkt amëtar, ka butësi, pasion, dashuri. Në Besëlidhjen e Re kemi një folje, që përsëritet 12 herë në Ungjijtë. Është folja “splagchnizomai”, që ka për bazë pikërisht “plagchna”, me kuptimin e përmbrendcave amëtare, por edhe të aftësisë  riprodhuese të atit. Prej këndej Zoti, e në këtë rast Krishti, paraqitet me një fytyrë sa mashkullore, aq edhe femërore, me dhimbsuri, tipike për gruan, me ndjesi të holla e gatishmëri të plotë për t’u dhuruar. Për shembull, kur ndodhet para vejushës së Nainit,  që ka humbur birin e vetëm e po e shoqëron në varr, Jezusi  ndjen “splagchnizomai”, provon këtë ndjenjë instinktive.








All the contents on this site are copyrighted ©.