2015-12-19 18:08:00

Fundjava në Vatikan e në Kishën universale


Nëpër botë vijon hapja e Portave Shenjte të Jubileut të Mëshirës.

Sot, e Diela IV dhe e fundit e Kohës së Ardhjes, si zakonisht, në mesditë, Sheshi i Shën Pjetrit ishte përplot me besimtarë e shtegtarë nga mbarë bota. Sheshi ka gjithnjë pamje festive, po në këtë fund dhjetori, e në prag të Festave të mëdha të dimrit, që sivjet përkojnë me fillimin e Vitit Shenjt të Mëshirës, është më i këndshëm së kurrë. Mund ta soditësh me orë, pa u mërzitur aspak. Me Shpellën e Betlehemit në mes, me Bredhin e Krishtlindjes, që konkuron për gjatësi me Obeliskun e ia kalon për stoli, tërheq njerëz nga mbarë bota. E tërheqja arrin kulmin mesditën e së dielës, kur në dritaren e dytë majtas, në katin më të lartë të Pallatit Apostolik të Vatikanit, duket Papa e Sheshi ushton nga zëri i tij i ëmbël, atëror, që përshëndet “Mirëdita”. 

Atherë Sheshi tundet nga duatrokitjet, për të rënë, më pas, në heshtjen e thellë të meditimit e të kundrimit. Papa kremton lutjen e Engjëllit të Tënzot. E kremtoi edhe sot, duke  sjellë në Shesh, në atmosferën e së Dielës IV e të fundit të Kohës së Ardhjes, fjalën e Profetit e të Ungjillit, që na e afron edhe më Krishtlindjen, me skenën e takimit të Marisë dhe Elizabetës e të madhërimit të Zotit për lindjen e Shëlbuesit, që vjen ndër ne. Kjo, edhe veprimtaria kryesore e ditës së diel. Po sot ka një veçanti: sheshi zjen nga zërat dhe nga këngët e fëmijëve: është Jubileu i Fëmijëve të Oratoreve romake. Nisi që në orën 8.00 me shtegtimin drejt Portës Shenjte të Shën Pjetrit.  Në orën 10.00, fëmijët morën pjesë në Meshën Shenjte, kryesuar nga kardinali Angelo Komastri, mëkëmbës i Papës për Qytet Shtetin e Vatikanit. Në orën 12.00, pjesëmarrja në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pikë kulmore, kjo, jashtëzakonisht prekëse, që përsëritet çdo vit në prag të Krishtlindjes. Fëmijët kanë me vete shtatoret e Krishtit Fëmijë. I ngrenë lart me duart e njoma, që t’ua bekojë Ati i Shenjtë. Rikthehen në shtëpi me ta ndër duar, në pritje të mesnatës së lume të Festës, kur do të gjunjëzohen para Shpellave të Betlehemit e, duke e vendosur shtatoren e Foshnjës Hyjnore në grazhd, do të rijetojnë mrekullinë e Natës më të bukur të dimrit.

Ndërkaq vijojnë të hapen Portat Shenjte

Në Padovë, në orën 10.45, u hap Porta Shenjte e Bazilikës së  Shëna Ndout. Kremtimin e kryesoi Delegati papnor, imzot Giovanni Tonucci. Në rit morën pjesë përfaqësues të shoqatave dhe të grupeve, që lidhen me bazilikën, si ajo e Arkës së Shenjtit, e Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, Kalorësit e Varrit Shenjt, Urdhëri françeskan shekullar, Rinia françeskane, Sivëllazëritë e Shën Andout, Milicia e së Papërlyerës etj. etj.  

Në Asizi, Porta Shenjte e Bazilikës së Poshtme të Shën Françeskut u hap në orën 10.30. Të pranishëm, ipeshkvi i Asizit, imzot Domenico Sorrentino dhe Rojtari i Kuvendit të Shenjtë, atë Mauro Gambetti. Jubileu  i Mëshirës përkon edhe me 800-vjetorin e asaj, që njihet me emrin “Ndjesa e Asizit”. Për t’u jetuar, shtatë etapat françeskane, të këshilluara nga fretërit, që krijojnë mundësinë e realizimit të plotë të shtegtimit jubilar në Bazilikat e Asizit, duke nisur nga Bazilika e Poshtme, për të vijuar drejt varrit të Shën Françeskut, kapelës së rrëfimeve, elterit të Bazilikës së Epërme e veprave të mëshirës, duke përfunduar tek etapa e fundme, që është quajtur “të dërguar nëpër botë”, etapë me frymë thellësisht misionare.

Në San Giovanni Rotondo u hapën dy Porta Shenjte: në orën 11.00,  imzot Michele Castoro, kryeipeshkëv i Manfredonia-Vieste-San Giovanni Rotondo, hapi Portën Shenjte të Kishës së Shën Marisë së Hireve, në San Giovanni Rotondo, pikërisht atje, ku Padre Pio pati kremtuar Meshën Shenjte  nga viti 1959, deri më 22 shtator 1968  e,  pasi e kapërceu, kryesoi një bashkëkremtim eukaristik brenda Shenjtërores. Në shtalkën e djathtë  të Portës së Mëshirës është ngërthyer një copë shkëmb i ardhur nga Shpella e Betlehemit, pikërisht nga vendi i zanafillës së shëlbimit, që nisi me mishërimin e Fjalës së Hyjit.

Në orën 17.00,  u hap Porta Shenjte e Kishës famullitare të Shën Marisë së Engjëjve (porta qendrore), ku Piu i Pietrelçinës kremtoi Meshën e parë,  më 14 gusht 1910. Ritin e kryesoi kryeipeshkvi metropolit, imzot Andrea Mugione, që më pas kremtoi Meshën Shenjte. 

Bullgari: Në dioqezën Sofia–Plovdiv, në orën 10,00, Nunci apostolik, imzot Pecorari, së bashku me ipeshkvin vendas, imzot Georgi Yovcev, hapën Portën Shenjte të katedrales së Shën Ludovikut, e, në orën 18,00, Portën e  konkatedrales së Shën Jozefit, në Sofie.

Egjipt (Kisha Armene) Në orën 18.30 (17.30 me orën evropiane), imzot Agostino Koussa, ipeshkëv i Kishës Armeno Katolike të Aleksandrisë, kryesoi ritin e hapjes së Portës Shenjte në Kishën armeno-katolike të Zojës Nunciatë, në Kairo. 

Slloveni: Në orën 15.30 u hap Porta Shenjte në Ptujska Gora,  në Basilikën e Nënës së Zotit.

Në Romë, pranë bashkësisë misionare të Villaregias, u organizua Shpella e Betlehemit, me personazhe të gjalla, më e madhja  e llojit në Itali. Vizitorët e parë, që patën fatin ta ndjekin, përjetuan regjistrimin e popullsisë nga ushtarët romakë të Qesarit, zjarret e barinjve, Betlehemin e 2000 vjetëve më parë dhe jetën e tij, ringjallur nga 150 figurantë, me kostume historike të kohëve të Jezusit, që u folën aramajkshe. U njohën, pastaj, me mjeshtritë e kohës, me dyqanin, ku shiten qirinjtë, me atë të bletërritësit, që shet mjalt e me kovaçhanën, ku kovaçi rreh hekurin e skuqur mbi kudhër…..E pastaj, në sallonin e strukturës së bashkësisë misionare, soditën edhe ekspozitën e Betlehemeve etnike, që kanë ardhur nga të pesë kontinentet.

E të mos harrojmë, në Betlehemin e Villaregias  është edhe tregtiza e ëmbëlsirave, ku sot shumëkush u ndalua një çast, për të shijuar ëmbëlsira, që haheshin në kohë të Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.