2015-12-19 16:45:00

Atë Vazhakala: të lumtur, që nënë Tereza do të jetë Shenjte në Jubileun e Mëshirës


87 vjet të një jete, te shkrirë duke hedhur farë shprese në trojet e dëshpërimit. Përkushtim i plotë, pa asnjë kusht, ky i Nënë Terezës, e cila, që prej dhjetra vitesh, tërheq mbi gjurmët e saj qindra burra e gra, sot të gjithë në festë: themeluesja e tyre do të jetë shenjte! Këtë gëzim e  ndjejmë të gufojë fort në fjalët e eprorit të përgjithshëm të Misionarëve të Bamirësisë, atë Sebastian Vazhakala, në mikrofonin tonë, edhe ai në kulmin e galdimit:

Përgjigje: - Jam tejet i kënaqur e i lumtur, sepse ne prisnim e prisnim…. Po zëri i Saj – ashtu si e njoha në tridhjetë vjet jete së bashku, na thoshte gjithnjë: “Duhet të lutemi më shumë, shumë më tepër!”. E ky është thellimi i fesë dhe i mëshirës, për të cilën flet sot Papa. Ajo, me përvojën e saj, ishte gjithnjë simbol i mëshirës, e jo vetëm me fjalë, por edhe, e kryesisht, me vepra. Kisha shikon në të simbolin e mëshirës; për mua është gëzim i madh që kjo po ndodh në Vitin  e Jashtëzakonshëm të Mëshirës.

Pyetje: - E jashtëzakonshme, përveç faktit që shenjtërimi do të kremtohet gjatë Vitit të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, është edhe mrekullia e të sëmurit të Brazilit….

Përgjigje: - Mrekulli për çiftin brazilian: ai ishte në gjendje të dëshpëruar e nuk kishte më asnjë shpresë jete. Zonja shkoi në kapelë e iu lut me përkushtim të jashtëzakonshëm Nënë Terezës, duke i kërkuar t’ia shëronte burrin. E, kur shkoi zemërdredhur, ta shikonte, ndoshta për të fundit herë gjallë, e gjeti shëndosh e mirë, duke ecur. E për më tepër, kjo mrekulli ndodhi më 10 shtator 2008, pikërisht në atë ditë, asokohet të vitit 1948, kur Nënë Tereza  ndjeu thirrjen mbi thirrje. Veç kësaj, ky çift nuk mund të kishte fëmijë, ndërsa tani, duke nisur nga viti 2008, i erdhën si dhuratë, dy foshnja. Ishte mrekulli mbi mrekulli. E duhet kujtuar se ata vijuan t’i luten Nënë Terezës edhe për dhuratën e fëmijëve.

Pyetje: - Françesku është Papë i periferive. Nënë Tereza, shumë kohë më përpara nisi të shkojë ndër periferitë e botës, për t’i ndihmuar të varfërit. Prandaj mund të themi se mesazhi i Nënë Terezës vijon të jetë aktual….

Përgjigje: - Misioni ynë është kudo ka të varfër: në periferi, në qytete, ndërmjet njerëzve të braktisur në stacione… Periferi, sipas meje, do të thotë njerëz të braktisur. Edhe Papa flet për indiferencën, e Nënë Tereza thoshte gjithnjë: “Sëmundja më e rëndë është indiferenca karshi të tjerëve. Ajo e shikonte gjithnjë indiferencën si periferi!








All the contents on this site are copyrighted ©.