2015-12-18 16:07:00

Atë Kantalamessa: si Maria, dëshmitarë të mëshirës së Zotit


Sot në Vatikan, u mbajt predikimi i III i Kohës së Ardhjes, me temë “Maria në Misterin e Krishtit e të Kishës”. Të pranishëm, Papa dhe  Kuria Romake. Ky ishte predikimi i fundmë i kësaj Kohe pritjeje. Të premten e ardhshme është Krishtlindje! 

Predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, u përqendrua  tek mariologjia në “Lumen Gentium” e pikërisht, tek kapitulli VIII. E që në fillim të  predikimit, kujtoi atë, që thotë Koncili për Zojën e Bekuar:

“E lumja Virgjër, e paracaktuar që në amshim në planin e mishërimit të Fjalës, për të qenë Nënë e Zotit për virtyt të Provanisë Hyjnore, qe mbi këtë tokë Nënë hyjnore e Shëlbuesit Hyjnor, bujarisht e bashkuar me veprën e Tij, me titullin absolutisht të pashoq, shërbëtore e përvujtë e Zotit. Duke e zënë në kraharor Krishtin, duke e lindur, duke e ushqyer, duke ia paraqitur Atit në Tempull, duke vuajtur me Birin e vet që vdiste mbi kryq, ajo bashkëpunoi në mënyrë krejt të veçantë në veprën e Shëlbuesit, me bindje, fe, shpresë e dashuri të flaktë, për të këndellur jetën e mbinatyrshme të shpirtrave. Prandaj ajo u bë për ne Nënë në rendin e hirit”.

Në vijim, duke kujtuar fjalët e Shën Agostinit, predikatari kapuçin pohoi se Maria shikohet si anëtarja më e shquar  e Kishës, por si anëtare e saj, jo jashtë saj, e as mbi të:

“Shenjte është Maria, e lume është Maria, por më e rëndësishme është Kisha, sesa Virgjëra Mari. Pse? Sepse Maria është pjesë e Kishës, anëtare shenjte e mbi gjithë të tjerët, por gjithsesi, gjymtyrë e krejt korpit. E nëse është gjymtyrë e krejt korpit, pa dyshim që korpi vetë është më i rëndësishëm sesa një gjymtyrë e tij”.

Por, vijoi predikatari, të dyja këto realitete i bëjnë dritë njëri-tjetrit. Kisha ndriçon Marinë e Maria Kishën, domethënë, Korpin e Krishtit  e, si e tillë,  është gati–gati zgjatje në kohë e Mishërimit të Fjalës. E nënvizon edhe Gjon Pali II në Enciklikën e tij “Redemptoris Mater”: “Duke e paraqitur Marinë në Misterin e Krishtit, Koncili II i Vatikanit gjen edhe rrugën për ta thelluar njohjen e misterit të Kishës”.

Më pas atë Cantalamessa foli për Marinë, duke e parë edhe si Nënë të besimtarëve, në perspektivë ekumenike, e edhe si ndërmjetësuese në veprën e shëlbimit e në atë të bekimit për të gjitha breznitë:

“Fjalët e Marisë: ‘Të gjitha breznitë do të më quajnë të lume, duhen parë, edhe ato, si urdhër që i dha Zoti historisë!”, kujtoi predikatari.

Maria, përfundoi atë Cantalamessa, e cila në Magnificat e lumnon dhe e falënderon Zotin për mëshirën e tij, na fton të bëjmë të njëjtën gjë në këtë Vit të Mëshirës. Është grishje, që në çdo ditë të jetës së Kishës, të jehojë zëri i saj njëherësh me zërat tonë, që këndojnë në kor këngën e mëshirës së Zotit, Magnificat: “Zemra ime madhëron Zotin…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.