2015-12-17 18:34:00

U paraqit doracaku mbi mbrojtjen e të drejtave të të varfërve


“Të punosh për të drejtat njerëzore të popullsive, që jetojnë në varfëri  të tepruar”. Ky, titulli i doracakut, paraqitur sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nën kujdesin e OJQ-së “ATD, Bota e katërt”dhe e Franciscans International. Të pranishëm në takim, ipeshkvi brazilian i Obidos, Bernardo Johhanes Bahlmann; atë Michel Roy, sekretar i përgjithshëm i Caritas Internationalis, atë Michael A. Perry, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, Francesca Restifo, drejtoreshë e Franciscans International dhe personalitete të tjera kishtare e civile.

Doracak me vlerë, për ata që punojnë me më të varfërit e shoqërisë, për t’ua afirmuar të drejtat njerëzore, pranë vendeve në të cilat jetojnë, në çdo mjedis a nivel lokal,dhe për të vepruar në mbrojtjen e tyre, duke nxitur aksione qeveritare e jo qeveritare. Mjet në ndihmë të veprimtarëve shoqërorë, organizatorëve të bashkësive të mësuesve, njerëzve të angazhuar në veprimtari shtetërore ose private, të OJQ-ve, shoqatave dhe enteve fetare, për t’i vënë në jetë parimet udhëheqëse mbi varfërinë e skajshme dhe të drejtat e njeriut, botuar nga OKB-ja në shtator 2012,  siç e shpjegoi Jean Tonglet, i ATD Bota e katërt:

“Ky mjet u shkrua në gjuhën e bashkësisë ndërkombëtare e prandaj është pakëz juridik… duhet ta vëmë në dispozicion të të gjithëve, por posaçërisht të njerëzve, që luftojnë ditë për ditë për dinjitetin e tyre në lagjet më të varfëra të botës. Kështu nisi edhe ideja për të përgatitur një doracak, e për t’i përhapur parimet udhëheqëse”.

Por zëri i të varfërve, siç thotë Papa Françesku, kujtoi Michael Roy i Caritas Internationalis, nuk dëgjohet aq lehtë:

“This handbook is a systematic, extremely concrete tool, approach to fighting extreme poverty, …”

Prej këndej, duhet luftuar së bashku me ta, që t’i shikojnë  të vëna në jetë të drejtat e tyre, e duhet edhe ta bëjmë të njohur kudo këtë doracak, mjet sistematik, jashtëzakonisht konkret për të luftuar kundër varfërisë, që shpesh merr pamjen e mjerimit. Realitet ky, i njohur nga OKB-ja si “shkelje të drejtave të njeriut”.

Prekëse, dëshmia e ipeshkvit Bahlmann për angazhimin e Kishës në Brazil në mbrojtje të popujve amazonikë dhe të gjithë ekosistemit, për të mirën e mbarë njerëzimit:

“Duam të bëjmë sa më shumë hapa para në luftën kundër shpyllëzimit. Nuk mund të mbetemi vetëm tek denoncimi, por duhet të organizojmë aksione pozitive. E nuk mund t’i mbyllim sytë, përballë situatave shoqërore, që rëndojnë gjithnjë më shumë mbi kurrizin e njerëzve të varfër. Ekzistojnë pëherë prirje të forta për t’i vënë interesat e ekonomisë dhe të partive politike përmbi të mirën e përbashkët dhe interesat e kolektivit. Prandaj është shumë i nevojshëm ndryshimi i mendësisë e edhe i sjelljes së të gjithëve. Doracaku jep shumë orientime për të garantuar të drejtat njerëzore të popujve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.