2015-12-17 13:38:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni VIII: Skena VI


 SALVARE QUOD PERIERAT

Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë, që ishte e humbur

Arrijmë përsëri sot tek Porta Shenjte e Bazilikës së Shën Pjetrit. Hapet para nesh një skenë shumë e njohur: ajo e deles së humbur.

Simbolike, kjo dele. E dimë se jemi ne vetë aty. Ne, që ikëm nga krahët e Zotit e u ngatërruam nëpër gëmusha, ferra e rrozga e u therëm nga krenaria dhe egoizmi. Skenë gjithnjë dramatikisht aktuale!

E kush është ai bari, që shtrin dorën për ta  shpëtuar delen e pamend nga gremina, ku  rrezikon të rrokulliset?

E shohim dhe e njohim menjëherë: Bariu është Jezusi. Krahët e Tij të hapur na kujtojnë kryqëzimin e afërt. E pikërisht mbi kryq Jezusi e dëboi mëkatin tonë dhe ngadhënjeu mbi të, me dashuri.

Sodisim skenën e meditojmë: dashuria është forca e vërtetë e Zotit. E vetmja forcë, që mund ta mposhtë të keqen. Na vjen pa dashur në buzë, në sa vijomë të ndjekim ngjarjen e derdhur në bronzin e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, Psalmi 23, fjalët e tij tejet delikate, që pikturojnë fytyrën e Bariut të Mirë: “Zoti është bariu im: asgjë s’ më mungon; /në rudina të blerta më bën të mrizoj, /më çon ndër gurra të qeta./ Më freskon, më prin ndër shtigje të drejta,/ për dashurí të emrit të tij. / Po të më takonte të ec ndër lugje të verbëra,/s’do të druaja kurrnjë të keqe,/pse ti je me mua./Shtaga jote e kërraba/më japin sigurí (Ps. 23,1-4).

E, pranë kësaj skene, dëgjojmë edhe zërin e shkrimtarit katolik francez Julien Green, që komenton: “Këto fjalë kaq të thjeshta u  shkruan pa asnjë vështirësi në kujtesën time. Shikoja bariun, shikoja lugjet  e verbëra. Ishte  krejt Ungjilli, i thënë me dy fjalë. Sa e sa herë në orët e ankthit më vijnë menjëherë në mendje shtaga e kërraba, që më mbrojnë nga rreziku. Çdo ditë e kujtoj këtë skenë të shkurtër profetike, pasuritë e së cilës nuk shterrojnë kurrë”.

Të Lutemi:

“O Jezus, Bari i mirë,

edhe unë shpesh

vidhem nga vatha e mirësisë,

e butësisë, e paqes,

e përvujtërisë.

E bie ndërmjet ferrave

të krenisë, që më lë vetëm;

të egoizmit, që më bën të palum,

të zilisë, që i shndërron

vëllezërit, në kundështarë.

Jezus ma shtrij dorën!

Më kthe në vathë përsëri,

për të ndjerë përqafimin e ngrohtë të Atit,

e përqafimin ngushëllues të vëllezërve.

Dalim nga kjo kornizë kaq kuptimplotë, për të hyrë në një ngjarje tjetër, po kaq prekëse, në atë të djalit plangprishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.