2015-12-17 10:54:00

Papa, Veprimit Katolik: ndiqni rrugën e së mirës


Papa Françesku priti sot në Vatikan, fëmijët e të rinjtë e shoqatës Veprimi Katolik, e pranishme edhe në Shqipëri. Ishte rasti për të shkëmbyer urimet për Krishtlindje, të cilat Ati i Shenjtë i shtriu mbi gjithë anëtarët e shoqatës, që nuk ishin të pranishëm në sallë.

Është bukur, u tha fëmijëve, që përmes Veprimit Katolik, e njihni më nga afër Jezu Krishtin dhe e jetoni Ungjillin në familje, shkollë, famulli e sport. Përmes shoqatës, të rinjtë e ndjejnë më shumë se Jezusi nuk është larg, por ndërmjet tyre, duke u dhënë gëzim. E këtë gëzim, Ati i Shenjtë u kërkoi t’ua japin edhe të tjerëve, të bëhen misionarë:

“Kam dëgjuar se këtë vit, motoja e rrugës suaj formuese është ‘Në udhëtim drejt Teje’. Shumë bukur! Është e vërtetë: jemi të gjithë në udhëtim drejt Zotit, por shumë nuk e mendojnë këtë! …Por ç’do të thotë ‘të udhëtosh drejt Zotit’? Do të thotë të përshkosh rrugën e së mirës, jo atë të së keqes; rrugën e faljes, jo atë të hakmarrjes; rrugën e paqes, jo atë të luftës; rrugën e solidaritetit, jo atë të egoizmit”.

Papa Françesku i lavdëroi fëmijët e të rinjtë për nismën në favor të emigrantëve në dioqezën e Agrigento-s në Itali. U theksoi se mund të japin një kontribut të veçantë, me entuziazmin e lutjen e tyre, por i këshilloi edhe të heqin dorë nga diçka, për t’u mësuar të ndajnë me të tjerët ç’kanë të nevojshme e jo vetëm tepricat:

“Zoti e bekoftë këtë projekt, që do ta ndihmojë atë bashkësi të impenjuar në mënyrë shembullore në mikpritjen e shumë vëllezërve e motrave, të cilët arrijnë plot me shpresa, por edhe me shumë plagë e nevoja, në kërkim të paqes e të bukës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.