2015-12-17 12:04:00

Françesku mbushi 79 vjeç. Kardinali Abril: përpara vendosmërisht me reformat


Sot, 17 dhjetor, Papa Françesku mbushi 79 vjeç. Dje, në përfundim të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, besimtarët  e uruan duke kënduar në kor: “Shumë urime për ty!”, ndërsa një gazetare meksikane i dhuronte një tortë.

Ndërkaq në Vatikan  vijnë  urime nga mbarë bota. Fjalë të dala nga zemrat e njerëzve të thjeshtë, që i merr ngrykë sa herë i takon; urime zyrtare nga  liderë shtetesh, nga  krerë  fesh, nga diplomatë… Urime të shkruara e të pashkruara, nga të katër anët. Të dëgjojmë urimet, që i bën Papës kardinali Santos Abril y Castelló, kryeprift i Bazilikës papnore të Shën Marisë së Madhe, ku Françesku ndjehet tashmë si në shtëpi të vet:

Përgjigje: - Është gëzim i madh t’i shprehësh Atit të Shenjtë urimin më të ngrohtë për ditëlindje, duke i shtuar edhe lutjen e flaktë drejtuar Zotit, që ta ndihmojë në këtë rol kaq të rëndësishëm e delikat për Kishën. Vërejmë se po i kushtohet me vetmohim të madh, të plotë, absolut, këtij roli, e prandaj e shoqërojmë me lutje, me dashuri e me urimin që Zoti e Zoja e Bekuar, për të cilën ka devocion të veçantë, ta ndihmojnë që ta kryejë këtë detyrë ashtu, si e ka kryer deri tani.

Pyetje: - Papa ka ardhur shumë herë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për të nderuar Zojën…

Përgjigje: - Po, është shumë, shumë i devoçëm i Zojës “Salus Populi Romani”, e jo vetëm tani, si Papë. Kujtoj se, kur isha nunc në Argjentinë, shpesh, pas vizitave të tij në Romë, më thoshte se shkonte gjithnjë për t’i bërë një vizitë e për ta përshëndetur Zojën, duke ia besuar ndjetet e tij  për nevojat e Kishës e duke i kërkuar ndihmë në kryerjen sa më mirë të misionit. Si Papë, ka ardhur 28 herë. E kjo e tregon qartë devocionin e dashurinë e tij. Vjen gjithnjë para se të niset për ndonjë shtegtim jashtë Italie, duke e përsëritur vizitën menjëherë, sapo kthehet. E më thotë përherë: “Nuk mund të mos vija për ta përshëndetur Zojën”.

Pyetje: - Siç e kujtuat edhe ju, Papa po zhvillon një veprimtari të vazhdueshme e shumë të veçantë për Kishën. Ç’ mund të na thoni për veçoritë e shërbimit të tij?

Përgjigje: - Është shërbim shumë, shumë i pasur, që ka një mori aspektesh: besoj se është tepër i rëndësishëm, para së gjithash, roli i tij si vazhdues i Misionit të Pjetrit në Kishë e si Ipeshkëv i Romës; ai flet shpesh për rolin e tij si Ipeshkëv i Romës. Si Papë, prijës i Kishës, besoj se po i jep kësaj Kishe shembullin e një përkushtimi absolut, të plotë, të jashtëzakonshëm, shembullin e një dashurie për këtë Kishë, në një mënyrë të tillë, që e shtyn të mos kursejë forca, as energji e as rreziqe – ngaqë e di mirëfilli se shpesh ndodhet përballë rrezikut -  me një përkushtim absolut. E, besoj se çka i bën përshtypje mbarë botës, është mënyra si e kryen këtë mision; me delikatesë të madhe, me besim të madh në Zotin e, njëkohësisht, me një thjeshtësi që e bën menjëherë të afërt me të gjithë. Predikon shumë mëshirën, por besoj se po dëshmon, me veprimtarinë e tij, se kjo mëshirë duhet të jetë normë për të gjithë ata që i ka afër e ata, që janë kudo, në Kishën universale.

Pyetje: - Papa  na kujton pikërisht se është koha e mëshirës….

Përgjigje: - Po. Është karakteristikë, që ai deshi ta vulosë mbi papninë e tij, e, prej këndej, është e drejtë që mendoi për këtë Vit Shenjt të Mëshirës të cilin, siç e ka thënë në shumë raste,  dëshiron me të vërtetë ta shtrijë në Kishën mbarë, në të katër anët e botës: nuk është vetëm në Romë, është Vit Shenjt i Mëshirës për mbarë botën. Prandaj deshi ta kryejë këtë në mënyrë të veçantë – besoj të pashembullt deri më sot – duke e nisur kremtimin e Vitit të Mëshirës me hapjen e Portës Shenjte jo vetëm në Romë, por edhe jashtë saj, e së pari, në një vend afrikan, që po vuan shumë. Deshi ta hapte atje, për të treguar se Viti Shenjt duhet të jetohet në të katër anët e botës, në të pesë kontinentet, sepse të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojë për mëshirë.

Pyetje: - Një aspekt shumë i rëndësishëm i kësaj papnie është reforma e Kuries. Si po jetohet kjo reformë?

Përgjigje: - Besoj se ka edhe nga ata, që nuk e kanë kuptuar gjithë domethënien, dëshirën e Atit të Shenjtë për të reformuar gjithçka mund të reformohet, siç e ka thënë edhe ai vetë disa herë - e nuk është vetëm nisma e tij, por e një mori kardinajsh, zërin e të cilëve  e ka dëgjuar e vijon ta dëgjojë, në përpjekjen për të vënë në jetë veprimtarinë reformuese të Kuries. Natyrisht e gjithë kjo nuk mund të bëhet shpejt e shpejt, kërkon kohë. E ai po e çon përpara hap pas hapi, por në mënyrë të qartë e të vendosur.

Pyetje: - Urimi juaj për Papninë, për veprimtarinë e Papës Françesku, në këtë 79 vjetor?

Përgjigje: - Së pari, i uroj gjithë ndihmën e Zotit e ndihmën e Zojës së Bekuar, që të mund ta çojë deri në fund veprimtarinë, që dëshiron të kryejë për reformimin e Kishës, e që kjo të jetë ndihmë për mbarë njerëzimin. E uroj që një arritje e tillë t’i japë kënaqësi e gëzim. Shumë herë e kam dëgjuar të thotë: “Unë shkoj përpara i qetë e i gëzuar”. E po aq herë,  edhe se do t’i çojë deri në fund reformat dhe udhëheqjen e kësaj Kishe, duke vënë gjithçka në shërbim të të tjerëve e duke dhënë shembull të mirë për ne, që ndjekim veprimtarinë e tij e jetojmë me shqetësimet, me kujdeset, dëshirat e tij, për ta përmirësuar Kishën, që Kisha të përmirësojë botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.