2015-12-16 14:32:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni VII: Skena V


 TU VENIS AD ME? - Ti vjen tek unë?

Sot hyjmë në kornizën e skenës V. Para nesh rrjedhin ujërat e lumit Jordan. Shikojmë dhjetra njerëz, që presin Pagëzimin e Gjonit. Ndërmjet tyre, Jezusi. Para syve tanë Gjoni derdh ujin mbi kokën e Atij, që erdhi të na lajë nga zdrala e mëkatit. Jezusi, qengji i pafajshëm, zhytet në historinë tonë të fajshme, plot me mosbindje ndaj Zotit.

Po pse vjen ndër ne Jezusi? Pyesim veten, ndërsa ndjekim skenën e Pagëzimit në Jordan, të derdhur në bronz. E sodisim pas më se dymijë vjetësh. E, megjithatë, vijon të na flasë. Bronzi i ftohtë na pyet me ngulm: “ Pse  e kreu Jezusi këtë gjest?”.

Jezusi është në radhë me mëkatarët, për të na dhënë lajmin ngushëllues  se Zoti nuk na braktis kurrë. Edhe kur ne biem poshtë e më poshtë. Edhe kur mëkatojmë,  Zotin e kemi gjithnjë pranë. E, kur biem, na shtrin dorën, për të na ngritur përsëri në këmbë. Na takon ne ta shtrëngojmë fort atë dorë. Është Dora e Mëshirës së Zotit. Nuk duhet të na mungojë kurrë përvujtëria: do të ishte fatkeqësia më e madhe e jetës.

Vijojmë soditjen e relievit në bronz e na kujtohet Shën Gregori i Nisës, që e komenton kështu skenën e Pagëzimit: “Krishti e mori pagëzimin nga Gjoni, për ta bërë të pastër gjithçka ishte njollosur. Shpirti i Zotit u ul në tokë, për ta lartuar njeriun deri në qiell, për ta ngritur atë, që u rrëzua  e për ta përulur, atë që e kishte bërë të rrëzohej”.

Kjo na duket sinteza më e përkryer e skenës së pestë të “Portës Shenjte”. Nga relievi i bronztë Krishti na fton ta zbulojmë përsëri mrekullinë e Pagëzimit, që na vulosi në shpirtin tonë Fytyrën Shenjte të Zotit e na ndezi në zemër një shkëndijë të dashurisë së Tij: të mos e lëmë të shuhet, sepse një shkëndijë e vetme ka forcë të lindë shenjtorë, si Shën Françesku, si Nënë Tereza, si Shën  Gjon Pali II. E mund të na bëjë edhe ne shenjtorë.  

Të lutemi:

O Zot Jezus,

nëpër Pagëzimin shenjt

na u ndez në zemër

një shkëndijë e dashurisë së Zotit.

Nuk duam të shuhet!

Dëshirojmë të kallet flakë,

që të mund të na njohin të gjithë

si popull që do, ashtu si do vetë Zoti.

Kjo është mrekullia,

që mund ta  kthejë botën

kah ti, o Zot, që shenjtëron!








All the contents on this site are copyrighted ©.