2015-12-16 17:08:00

Lind aleanca islamike kundër terrorizmit, por e çfarë lloji?


Arabia Saudite i ka kërkuar edhe Afganistanit të marrë pjesë në koalicionin mysliman kundër terrorizmit, shpallur këto ditë. Në të bëjnë pjesë tashmë 34 vende, ndër të cilat Katari, Egjipti, Pakistani, Turqia, Maroku, Jordania, Autoriteti Palestinez, Çadi, Somalia dhe Nigeria. Aleanca e udhëhequr nga Riadi nuk do të kufizohet në luftën kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik (Isis), por edhe kundër çdo grupi terrorist. I kërkuam një mendim studiueses së historisë së vendeve islamike në Universitetin Evropian të Romës, Valentina Colombo:

         Ky është, para së gjithash, një mesazh shumë i qartë. Kemi të bëjmë me një aleancë islamike, që synon ta zgjidhë problemin e terrorizmit brenda vetë botës islamike. Do të ishte e nevojshme e madje, do të ishte vërtet e ndershme, që ky koalicion të na sqaronte çfarë quan terrorizëm.

         Pse, çfarë quajnë terrorizëm vende si Arabia Saudite?

         Nëse shohim përkufizimin e terrorizmit sipas ligjit të ri antiterrorizëm saudit, quhen terroristë të gjithë ata njerëz, që mund të veprojnë kundër regjimit saudit. Prandaj, në të gjejmë blogerët, avokatët e të drejtave të njeriut, të cilët dënohen pikërisht mbi bazën e këtij ligji: terrorizëm është gjithçka sulmon Islamin. Ndërkaq, terrorizmi konsiderohet i ndryshëm nga rezistenca e armatosur, e cila shihet si “e ligjshme dhe e nevojshme”. Ky dallim, sipas meje, është tejet i rrezikshëm.

         Pse i rrezikshëm?

         I rrezikshëm, sepse në disa rrethana, mund të justifikohen, për shembull, atentatet vetëvrasëse. E disa teologë islamikë, që punojnë në Evropë, por edhe në Katar për shembull, apo në Arabinë Saudite, i justifikojnë atentatet vetëvrasëse në Izrael. Ne duam të dimë nëse, për anëtarët e këtij koalicioni, Hamasi është organizatë terroriste, për shembull. Për ne, është!

         Ndër të tjera, Arabia Saudite e jo vetëm ajo, por edhe vende të tjera të koalicionit, dyshohen se përkrahin grupet ekstremiste sunite në Siri…

         Dimë edhe se një personazh si Bin Laden e vetë Al Kaeda lindën në Arabinë Saudite. Dimë se nuk ka qenë drejtpërdrejt shteti, qeveria saudite ajo, që e ka financuar Isisin, por sheikët apo shehët e këtij vendi, njerëz të pasur, që kanë vepruar nën hundën e qeverisë, e cila nuk ka marrë masat e nevojshme.

         Pse vihet në dukje që ky koalicion nuk do të luftojë vetëm Isisin, por çdo grup terrorist në përgjithësi?

         Për Arabinë Saudite, Isis është rrezik me pasoja për situatën e brendshme, por duhet të kemi parasysh se rreziku më i ndjerë në Arabinë Saudite, sot për sot, është Jemeni. Aty, Riadi ka ndërhyrë me një operacion të vërtetë ushtarak kundër milicive Huthi, që janë shiite.

         Koalicioni i sapoformuar, sipas jush, ç’qëndrim mund të mbajë për të ardhmen politike të Sirisë?

         Para së gjithash, duhet të kujtojmë se ne flasim akoma për Siri, ndërsa Siria nuk ekziston më. Besoj se ky koalicion do të jetë për një periudhë tranzicioni siriane, të administruar nga bota arabe islamike e jo nga Perëndimi. Prandaj, mund të propozojnë një ndërhyrje të brendshme të Islamit të asaj zone.








All the contents on this site are copyrighted ©.