2015-12-15 12:01:00

Papa: pasuri e vërtetë e Kishës janë të varfërit, jo paratë


Kisha të jetë e përvuajtur, e varfër, besimplote në Zotin. Ky, pohimi kryesor i Papës në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se varfëria është Lumnia e parë dhe shtoi se pasuria  e vërtetë e Kishës janë të varfërit, nuk janë paratë e as pushteti i kësaj bote.

Jezusi i qorton ashpër krerët e priftërinjve dhe u kujton se deri prostitutat do të hyjnë para tyre në Mbretërinë e Qiejve. Papa Françesku e mori shtytjen nga Ungjilli i sotëm, për të kujtuar se duhet të ruhemi nga tundimet që, edhe sot e kësaj dite, mund ta damkosin dëshminë e Kishës. Edhe në Leximin I, shkëputur nga Libri i Sofonisë, vërejti, shihen qartë pasojat që rëndojnë mbi jetën e një populli, i cili u bë i papastër e rebel,  sepse nuk deshi t’ia vinte veshin zërit të Zotit.

Kisha të jetë e përvuajtur, të mos krekoset nga pushteti

Ç’duhet të bëjë Kisha, për të qenë gjithnjë besnike ndaj Zotit? – pyeti Françesku. Kisha, që ia beson fatet e veta Zotit, u përgjigj menjëherë, duhet të ketë tri tipare kryesore: të jetë e përvuajtur, e varfër, me besim të patundur në Zotin:

“Një Kishë e përvuajtur nuk duhet të krekoset nga pushteti, nga madhështia. Pa harruar se përvujtëri nuk do të thotë të jesh i plogët, i mefshtë, me sy  gjithnjë të mekur… Jo, kjo nuk është përvujtëri. Kësaj i thonë të luash teatër! I thonë të shtihesh si i përvuajtur. Hapi i parë i përvujtërisë është të thuash: ‘Unë jam mëkatar’. Nëse ti nuk je i zoti t’i thuash vetvetes se je mëkatar e se të tjerët janë shumë më të mirë se ti, nuk je fare i përvuajtur. Hapi i parë në Kishën e përvuajtur, është ta ndjejë veten mëkatare. Hapi i parë, që duhet të bëjmë ne të gjithë, është i njëjtë. Nëse ndonjëri nga ne ka vesin të shikojë vetëm të metat e të tjerëve e t’i marrë vazhdimisht nëpër gojë, nuk është i përvuajtur. Beson se është gjykatës mbi të tjerët”.

Kisha nuk duhet të jetë e dhënë pas parave: janë të varfërit, pasuria e saj e vërtetë.

Ne, vijoi Ati i  Shenjtë, duhet t’i kërkojmë Zotit hirin, që Kisha të jetë e përvuajtur, që unë vetë të jem i përvuajtur, që secili nga ne të jetë i përvuajtur. Hapi i dytë: varfëria që, vërejti Papa, është e para ndërmjet Lumnive. Të jesh i varfër në shpirt, shpjegoi, do të thotë të jesh i dhënë vetëm pas pasurive të Zotit. Kisha nuk duhet të jetë kurrë e etur për para, nuk duhet të mendojë për paratë e as për mënyrën si mund të fitohen. Siç dihet, pohoi Papa, në një tempull të dioqezës, për të kapërcyer Portën Shenjte, u thoshin fare pa të keq njerëzve se duhej bërë një ofertë. Po kjo nuk është Kisha e Jezusit, është kisha e atyre krerëve të priftërinjve, që ishin të kapur fort pas parasë:

“Diakoni ynë, diakoni i kësaj dioqeze, Lorenci, kur perandori – ai ishte ekonom i dioqezës - i kërkoi t’i dorëzonte pasuritë, domethënë të paguante diçka, nëse nuk donte të mbytej mizorisht, flet pikërisht për të varfërit. Të varfërit janë pasuria e Kishës – kujton, nësa piqej mbi skarë. Nëse ti ke një bankë, je i zoti i saj, i pasur pra, po zemra jote është e varfër, nuk i vlerëson mbi gjithçka paratë, ky është shërbim, gjithnjë. Varfëria është shkëputje nga paraja, për t’u shërbyer nevojtarëve, për t’u shërbyer të tjerëve”.

Kisha të mbështetet gjithnjë në Zotin, që nuk të zhgënjen kurrë   

Ta bëjmë, pra, këtë pyetje, tha Papa: “Jemi apo nuk jemi Kishë, popull i përvuajtur, i varfër?” “Unë, jam apo nuk jam i varfër?”. E së fundi, pika  e tretë, Kisha duhet të ketë besim të patundur në emrin e Zotit. E përvuajtur, sepse e ndjen veten mëkatare; e varfër, sepse zemra e saj është e dhënë pas pasurive të Zotit e nëse i ka, i ka vetëm për t’i mbarështuar; plot besim në Zotin, sepse e di që  vetëm Zoti mund t’ia garantojë atë gjë, që i bën mirë. Është e vërtetë se këta krerë priftërinjsh, të cilëve u drejtohej Jezusi, nuk i kuptonin këto gjëra e, prej këndej Krishtit iu desh t’u kujtonte se prostitutat do të hynin para tyre në Mbretërinë e Qiellit.

Në pritje të Zotit, të  Ardhjes së Tij mes nesh, përfundoi Françesku, duke kujtuar Krishtlindjen e afërt, t’i lutemi të na japë një zemër të përvuajtur, zemër të varfër, e posaçërisht, zemër plot besim  në Zotin, sepse Ai nuk të zhgënjen kurrë.








All the contents on this site are copyrighted ©.