2015-12-15 15:43:00

Ndërroi jetë Nana Marte Gjugja: varrimi, në Marmull, Gjakovë


Ndërroi jetë, në Hamburg të Gjermanisë, në moshën 84 vjeçare, pas një hemorragjie celebrale, Nana Marte (Bisaku) Gjugja, e rrethuar  nga bijtë, nipat e familjarët e saj të dashur.  

Lajmi i vdekjes së Nënës së meshtarit shqiptar, kryeredaktorit të Programit tonë Shqip, Dom David Gjugjës, u përhap menjëherë në gjithë Radio Vatikanin. Kolegët e programeve të shumta të Radios po e shoqërojnë me dhimbje e me lutje në shtegtimin e saj të mbramë.

 Nana Marte lindi në fshatin Bishtazhin të Gjakovës më 18 maj 1931 nga prindërit Pren e Jana Bisaku. Kishte dy vëllezër,  Agustinin, vëllai madh, që ndërroi jetë para tre muajsh, e Gasprin.

U martua me Mëhill Gjugjën, para 62 vjetësh. Nanë e dhjetë fëmijëve, dy prej të cilëve, Motër Boren e Dom Davidin, ia fali Kishës.  Ishte gjyshe e 34 nipave e mbesave dhe e 30 stërnipave e stërmbesave: Nanë e Gjyshe e shumëdashur, e lume.

Nana Marte, grua e thjeshtë, besimtare e bindur, bujare, punëtore, plot durim e qëndresë,  e shkriu gjithë jetën për fëmijët,  për t’i rritur, për t’i edukuar e për t’i bërë bij të denjë të Zotit e të Kombit. Grua e fesë, e uratës së pareshtur, e pranishme çdo të dielë e festë në Meshën Shenjte, pati devocion të veçantë për Zojën Rruzare.  Traditën fetare e kombëtare të popullit e të vendit të vet, lënë trashëgim nga të parët, ua la trashëgim  bijve, nipave, stërnipave...

Mesha e Dritës e salikimet do të mbahen të shtunën, më 19 dhjetor, në orën 12.00, në Kishën e Zojës Rruzare, Kisha e saj e dashur, e fshatit Bishtazhin. Pas Meshe do të përcillet për në banesën e mbrame në varrezat e fshatit të familjes Gjugja, Marmull, komuna e Gjakovës.

Pushoftë në paqe!








All the contents on this site are copyrighted ©.