2015-12-14 14:20:00

Papa: është gjë e bukur të shpresosh në mëshirën e Zotit, rreptësia klerikale bën keq


Shpresa në mëshirën e Zotit hap horizonte e të bën të lirë, ndërsa rreptësia klerikale i mbyll zemrat e bën shumë keq: kështu u shpreh Papa në Meshën e mëngjesit, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Leximi I i ditës, shkëputur nga Libri i Numrave, flet për Balaamin, profet i nxitur nga mbreti për ta mallkuar Izraelin. Balaami, vijoi Papa, kishte të metat e veta, madje edhe mëkatet e veta. Sepse të gjithë kemi mëkate, të gjithë. Të gjithë jemi mëkatarë. Por, mos kini frikë, i qetësoi besimtarët Françesku, Zoti është shumë më i madh sesa mëkatet tona. Në udhë e sipër Balaami takohet me engjëllin e Zotit, që ia ndryshon zemrën:

“Nuk ndërroi parti, duke kaluar nga njëra, në tjetrën. Ndërroi rrugë: kaloi nga e shtrembra, në të drejtën; nga gënjeshtra, në të vërtetën e nisi të  thotë, atë që shikonte. Populli i Zotit banonte në çadra, në mes të shkretëtirës, po ai, përtej kësaj shkretëtire, shikoi pjellorinë, bukurinë, fitoren”.

E hapi zemrën, bëri kthesë e nisi të shikojë larg, drejt horizonteve të së vërtetës, sepse njeriu vullnetmirë e shikon gjithnjë të vërtetën. Eshtë e vërtetë, që jep shpresë:

“Shpresa – pohoi Papa Françesku – është virtyti i krishterë, që e kemi  dhuratë nga Zoti e që na bën të shikojmë larg, përtej problemeve, dhimbjeve, vështirësive, përtej mëkateve tona. Na bën të sodisim bukurinë e Zotit”.

Kur ndodhem pranë njeriut, që e ka virtytin e shpresës e kalon ndonjë çast të keq në jetë: sëmundje, shqetësim për një bir a një bijë a për ndonjë pjesëtar të familjes, a ndonjë trishtim tjetër, por e ka këtë virtyt, në mes të dhimbjes së thellë syri i tij është depërtues, është i lirë të shikojë larg, gjithnjë më larg. E kjo është shpresa. E është edhe profecia, që na jep sot Kisha: Kisha do burra e gra, që shpresojnë edhe të kapërthyer nga një mori problemesh. Shpresa hap horizonte, shpresa është e lirë, nuk është skllave, e gjen gjithnjë mundësinë për ta  kapërcyer çdo situatë të vështirë.

Në Ungjill, krerët e priftërinjve e pyesin Krishtin me ç’autoritet vepron;  Nuk kanë horizont - vijoi Papa - janë njerëz të mbyllur në hesapet e tyre, janë skllevër të rreptësisë së tyre. E llogaritë njerëzore e mbyllin zemrën, e mbyllin lirinë, ndërsa shpresa na bën krejt të lehtë:

“Sa e bukur është liria, shpirtmadhësia, shpresa e një burri a e një gruaje të Kishës! E sa e keqe ashpërsia, rreptësia e një burri a e një gruaje të Kishës! Sa keq bën. Sa keq bën rreptësia klerikale, që nuk ka pikë shprese. Në këtë Vit të Mëshirës, jemi para dy rrugëve. Njëra, rruga e shpresës në mëshirën e Zotit. Njeriu që ecën në të, e di se Zoti fal gjithnjë, gjithçka; e di se përtej shkretëtirës e pret përqafimi i Atit, e pret falja. E është edhe udha nëpër të cilën ecin ata, që strehohen nën skllavërinë e tyre, nën rreptësinë e tyre e nuk duan t’ia dinë fare për mëshirën e Zotit. E këta ishin doktorët, kishin studiuar, por shkenca e tyre nuk i shpëtoi!”.

Papa e përfundoi homelinë, duke treguar një fakt, që i kishte ndodhur më 1992, në Buenos Ajres, gjatë Meshës për të sëmurët. Po rrëfente prej disa orësh, kur ia behu një grua shumë e shtyrë në mote, më se 80 vjeçe, me sytë, që shikonin përtej kësaj jete, të mbushur me shpresë:

“E unë i thashë: ‘Keni ardhur të rrëfeheni? Ia thashë këtë, sepse po çohesha në këmbë për të dalë nga rrëfyetorja. ‘Po’- ma kthei. - ‘Po ju nuk keni mëkate!’. E ajo: - ‘Atë, të gjithë i kemi tonat”. – ‘Mendoni se nuk na i falë Zoti?’ - e pyeta. - ‘Zoti fal gjithçka!’- tha ajo, pa menduar fare. ‘Falë gjithnjë, gjithçka!’. - ‘E si e dini ju?’- vijova. - ‘E di, gjegji, sepse po të mos i falte, bota nuk do të ekzistonte më kahmot’”.

Përballë këtyre njerëzve, njeriut të lirë, njeriut plot shpresë, që të sjell mëshirën e Zotit - e njeriut të mbyllur, që shikon vetëm ligjin, egoistit, skllavit të ngurtësisë së vet – ta kujtojmë mësimin, që më dha pendestarja e motnuar portugeze. Zoti fal gjithnjë, veçse është në pritje që ti t’i afrohesh.








All the contents on this site are copyrighted ©.