2015-12-14 17:15:00

Filloi Jubileu i Mëshirës në dioqezën e Sapës


Edhe dioqeza e Sapës filloi Jubileun e saj të Mëshirës. Dje u hap Porta Shenjte në katedralen e së Lumes Nënë Terezë në Vaun e Dejës, ndërsa sot, nunci apostolik në Tiranë, imzot Ramiro Molinar Ingles, hapi Portën e dytë Shenjte në këtë dioqezë, atë në kishën e karmelitaneve të klauzurës. Më hollësisht, të dëgjojmë informacionin e Violeta Marashit…

"Në të tretën dielë të Kohës së Ardhjes, që përkon edhe me kremtimin e Ditës së Caritasit, ashtu si në mbarë botën, edhe Dioqeza e Sapës hapi vitin jubilar i njohur tashmë si “Viti i mëshirës”. Ky kremtim solemn nisi me procesionin e lutjeve të rastit, ku të gjithë besimtarët e famullisë Shën Nikollit, nën udhëheqjen e ipeshkvit Imzot Lucjan Avgustini, ndoqën procesionin nga Shtëpia e Bamirësisë  drejt kishës nënë, drejt Katedrales së të Lumes Nënë Tereza, e cila është shpallur nga ipeshkvi si Derë e Mëshirës në të cilën kremtohen të gjitha misteret hyjnore.

Në fjalën e tij, Imzot Avgustini u ndal në porosinë e Papa Françeskut, ku thotë se Viti Jubilar i Mëshirës është thirrje për kthim, pajtim, sepse të gjithë kemi nevojë të sodisim misterin e mëshirës, burim gëzimi, qetësie dhe paqeje. Është kusht për shpëtimin tonë. Kisha ka nevojë për këtë çast të jashtëzakonshëm. Ndaj këtë vit Jubilar duhet të jetojmë në dritën e fjalës së Zotit: Të mëshirshëm sikurse Ati, mësim që Jezu Krishti e kërkon prej nesh, “bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm.

Në këtë të kremte, ipeshkvi nuk la pa kujtuar edhe ditën ndërkombëtare të Caritasit, e cila është dita e bamirësisë, dhe ftoi të gjithë që të bëhemi pjesë e bamirësisë duke dhuruar diçka nga vetja e jonë për më të varfërit ndër të varfër.

Para bekimit përfundimtar famullitari i katedrales, dom Simon Kulli sipas zgjedhjes së ipeshkvit të Sapës shpalli kishën e Shën Mëhillit dhe të Familjes së Shenjtë në Karmel – Nënshat, si Derë tjetër e Mëshirës, e cila me ftesë të vetë ipeshkvit, kjo derë u hap sot nga Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles. Dhe së bashku me Katedralen do të jenë vende ku besimtarët e Dioqezës së Sapës do të preken në zemër nga hiri i Zotit dhe do të gjejnë rrugën e kthimit".








All the contents on this site are copyrighted ©.