2015-12-13 17:14:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: kthimi në rrugën e Zotit është impenjim konkret drejtësie e solidariteti


Papa në Engjëllin e Tënzot: kthimi në rrugën e Zotit është impenjim konkret drejtësie e solidariteti

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku theksoi se kthimi në rrugën e Zotit është impenjim konkret drejtësie e solidariteti. Pastaj bëri thirrje për vënien në jetë të marrëveshjes së Parisit mbi klimën.

Në Ungjillin e së Dielës III të Kohës së Ardhjes, Gjon Pagëzuesi i fton të gjithë të pendohen e t’i ndajnë me të afërmin të mirat kryesore materiale e shpirtërore: ushtarëve u thotë të mos e trajtojnë askënd keq e të kënaqen me rrogën, që marrin; tagrambledhësve,  të mos  kërkojnë asgjë më tepër se u është caktuar e kështu me radhë. Ja edhe reflektimi i Papës:

“Ç’do të thotë kjo? Do të thotë të mos pranosh ryshfet! Është krejt e qartë… Nga qortimet e Gjon Pagëzuesit kuptojmë cilat ishin prirjet e përgjithshme të atyre, që kishin në dorë pushtetin, e natyrisht, edhe ryshfetin, në forma nga më të ndryshmet. Kanë kaluar dy mijë vjet,  po punët pak kanë ndryshuar!”.

Pendimi, domethënë kthimi në rrugën e Zotit, është angazhim konkret:

“Duhet ndryshuar drejtimi i ecjes, duhet marrë rruga e drejtësisë, e solidaritetit e thjeshtësisë; janë vlera të domosdoshme të një jete plotësisht njerëzore e vërtetësisht të krishterë”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi marrëveshjen historike, nënshkruar nga Konferenca e Parisit. Pastaj edhe Konferencën Ministeriale të Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë, që do të fillojë të martën e ardhshme në Nairobi, duke bërë thirrje të mos harrohen vendet më të  varfëra. Më pas, kujtoi hapjen e Portave Shenjte në katedralet e mbarë botës e Portat e Mëshirës, që hapen në vende, ku ndjehet fort varfëria dhe  përjashtimi:

“Lidhur me këtë, përshëndes të burgosurit e burgjeve të mbarë botës, posaçërisht ata të burgut të Padovës, që sot, në këtë orë, u bashkuan shpirtërisht  me ne, për t’u lutur. E i falënderoj për dhuratën e koncertit”.

Së fundi, Ati i Shenjtë përshëndeti anëtarët e Lëvizjes së Fokolarëve dhe të disa bashkësive islamike, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, mbledhur sot në Romë për një takim kushtuar dialogut ndërfetar:

“Ecni përpara, ecni përpara me guxim në rrugën tuaj të dialogut e të vëllazërimit, sepse të gjithë jemi bij të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.