2015-12-13 13:35:00

Papa hap Portën Shenjte në Shën Gjon: është koha e faljes, jo e rreptësisë


Në këtë kohë gëzimi, të rizbulohet prania e Zotit, për t’u bërë mjete të mëshirës. Këtë kërkoi Papa Françesku gjatë Meshës për hapjen e Portës Shenjte në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, e treta, që hapi Papa, pas asaj të Bangui, në Afrikën Qendrore dhe të Bazilikës së Shën Pjetrit, më 8 dhjetor.

Hapja e Portës Shenjte është ftesë për gëzim, çast për të rizbuluar praninë dhe butësinë e Hyjit Atë në këtë kohë mëshire e edhe për të qenë mjete të mëshirës, sepse pikërisht për këtë edhe do të gjykohemi. Kjo, kërkesa që u bëri Papa besimtarëve, në ditën kur hapi Portën Shenjte, “Portën e Zotit”, portën e drejtësisë të Shën Gjonit në Lateran, Katedrale e Romës. Në homeli, Françesku përsëriti fjalët e Sofonisë Profet drejtuar Jeruzalemit, duke u kërkuar të gjithëve të gëzohen e të galdojnë, sepse Zoti e fali çdo dënim dhe  vendosi të jetojë ndërmjet nesh:

“Kjo e Diel III e Kohës së Ardhjes, na e tërheq vëmendjen drejt Krishtlindjes, tashmë fare pranë. Nuk mund të lejojmë të na pushtojë lodhja, nuk mund ta pranojmë asnjë formë të trishtimit, edhe pse kemi arsye të trishtohemi e të shqetësohemi për format e panumërta të dhunës, që vijojnë të hapin plagë në zemrat tona të brishta njerëzore. Por Zoti po vjen! Vjen ta mbushë përsëri shpirtin tonë me gëzim".

E Sofonia na jep zemër, duke na ftuar të kemi besim, sepse Zoti e mbron popullin e  vet:

“Në rrethana historike, të ngarkuara me mujshi e dhunë, ushtruar kryesisht nga njerëzit e pushtetshëm, Zoti bën të ditur se do të sundojë Ai vetë mbi popullin e vet, se nuk do ta lërë më në dorën e qeveritarëve  të tij arrogantë e se do ta çlirojë nga të gjitha ankthet”.

Dyshimi, padurimi a vuajtja, vijoi të kujtonte Françesku, nuk duhet të na i shkalisin krahët, siç na bëjnë thirrje, nga Besëlidhja e Vjetër dhe e Re, Sofonia e Shën Pali Apostull, e kjo, sepse Zoti është afër:

“Prandaj duhet të gëzojmë përherë e, me përzemërsinë tonë, t’u japim të gjithëve dëshminë e afërsisë e të kujdesit të Zotit për çdo njeri”.

Edhe shenja e thjeshtë e hapjes së Portës Shenjte në katedralen e Shën Gjonit si dhe në të gjitha katedralet e botës, është ftesë për gëzim:

“Nis koha e faljes së madhe. Është Jubileu i Mëshirës, çast për të rizbuluar praninë e Zotit dhe butësinë e tij atërore. Zoti nuk e do ashpërsinë, ai është  Atë, është zemërbutë. Ati e bën gjithçka butësisht”.

Përgjigjja, që u jep Shën Gjon Pagëzuesi turmave, të cilat e pyesin ç’duhet të bëjnë e edhe ftesa e tij për të punuar me drejtësi e për të mos i mbyllur sytë para atyre, që kanë nevojë, vlejnë edhe për besimtarët e ditëve tona, domethënë, për ne të gjithë. Por ka edhe më:

“Ne na kërkohet angazhim më i thellë. Përballë Portës Shenjte, të cilën jemi të thirrur ta kapërcejmë, na kërkohet të bëhemi mjete të mëshirës, të vetëdijshëm se do të gjykohemi për këtë. Kush u pagëzua, e di mirë se ka angazhim më të madh, sepse besimi në Krishtin i hap para një udhë, nëpër të cilën do të shtegtojë gjithë jetën, duke i kujtuar se duhet të jetë gjithnjë i mëshirshëm, sikurse është edhe Ati”.

Më pas Françesku vijoi të kujtojë:

“Gëzimi i kapërcimit të Portës Shenjte të Mëshirës shoqërohet me angazhimin për ta pranuar e për ta dëshmuar dashurinë, që shkon përtej kufijve të drejtësisë, sepse nuk njeh kufij. Jemi përgjegjës për këtë dashuri, pavarësisht nga kontradiktat tona”.

Në përfundim, Papa kërkoi lutje për të gjithë ata, që e kapërcejnë Portën e Mëshirës, duke uruar ta kuptojnë e ta pranojnë dashurinë e pacak të Atit tonë qiellor, i cili e rikrijon, e shndërron dhe e përtërin gjithë jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.