2015-12-13 18:35:00

Program i shtegtimit të Papës Françesku në Meksikë


Françesku do të shtegtojë në Meksikë nga 12 deri më 18 shkurti i vitit të ardhshëm. Njoftimin e dha vetë Papa gjatë Meshës Shenjte, me rastin e Festës së Zojës së Guadalupes, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Më pas Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi edhe programin e shtegtimit të ardhshëm apostolik.

Do të jetë një vizitë shumë e ngarkuar me ngjarje, duke nisur nga pritja zyrtare e Papës, sapo të shkelë në tokën meksikane, në aeroportin ndërkombëtar “Benito Juárez” të Qytetit të Meksikos, më 12 shkurt, në orën 19.30.

Të nesërmen, 13 shkurt, do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes, vizita  tek presidenti i Republikës, takimi me autoritetet, me shoqërinë civile dhe me Trupin Diplomatik. Gjithnjë paradite, edhe takimi me Ipeshkvijtë e Meksikës e, pasdite, pastaj, Mesha Shenjte në Bazilikën e Guadalupes.

Të diel, më 14, pas një udhëtimi të shkurtër me helikopter në Ecatepec,  do të kremtohet Mesha Shenjte në zonën e Qendrës së Studimeve të Ecatepec, pastaj, në orën 12.50, rikthimi, përsëri me helikopter, në Qytetin e Meksikos për vizitën në spitalin pediatrik “Federico Gómez” si dhe takimi me botën e kulturës.            

Mëngjesin e së hënës, 15 shkurt, do të jetë në San Cristóbal de Las Casas për Meshën Shenjte me bashkësitë indiane Chiapas, në Qendrën sportive bashkijake. Pas drekës me përfaqësuesit e indianëve dhe me grupin shoqërues, Papa do të vizitojë Katedralen e San Cristóbal. Ndërsa pranë Stadiumit “Víctor Manuel Reyna” të Tuxtla Gutiérrez, do të takohet me familjet. Në mbrëmje, rikthimi në Qytetin e Meksikos.

Më 16 shkurt Françesku do të shtegtojë me avion drejt Morelia-s, për Meshën Shenjte me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët. Do të vizitojë, më pas, Katedralen dhe do të takojë të rinjtë në stadiumin  “José María Morelos y Pavón”. Pastaj, rikthimi në Qytetin e Meksikos.

Të mërkurën, 17 shkurt, Ati i Shenjtë  do të niset për Ciudad Juárez. Pas zbritjes në aeroportin ndërkombëtar “Abraham González”, do të shkojë në burgun vendas për t’i bërë një vizitë të burgosurve. Në orën 12.00, pranë Kolegjit të Bachillere të Shtetit Chihuahua, do të takohet me përfaqësuesit e botës së punës. 

Pasdite, Mesha Shenjte në zonën e panairit të Ciudad Juárez. Në 19.15, pas  ceremonisë së lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Ciudad Juárez, rikthimi në Itali, në aeroportin e Romës/Ciampino. 








All the contents on this site are copyrighted ©.