2015-12-12 15:22:00

Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit: Dëbimi


Kapërcejmë kornizën e skenës së dytë të Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. E para gjë që shikojmë, tejet të tmerruar, janë paraardhësit tanë lakuriq, duke u dëbuar nga Parajsa tokësore. Adami ecën i thyer në dysh nga barra e fajit. Përkulet përpara, gati-gati duke u rrëzuar përdhe. Figura e Zotit, vulosur në zemrën e tij, bie në pluhur.

Eva, gruaja e parë, mundohet ta fshehë fytyrën. Ka turp! shumë! Fytyra e saj është e lagur me lot, që i rrokullisen sumbulla-sumbulla faqesh. I mbulon me krah. Është pikërisht ai krah, që u shtri për të këputur frytin e pemës së ndaluar. Eva dëgjoi zërin e gjarprit, jo të Zotit. I pëlqeu  fishkëllima e rrëshqanësit, që i pëshpëriste në vesh fjalë me dy kuptime. Besoi në gjarprin, që e gënjeu e i propozoi një mashtrim të mbrapshtë. E ia dha edhe të shoqit mollën e ndaluar. Është ajo, shkaku i vdekjes së vet. E i vdekjes sonë. Brez pas brezi. Prandaj trishtimi e ndjek pas, hap pas hapi.

Po Shën Ambrozi, me fjalën e tij të mprehtë, na nxit të mendojmë se gruaja mund të falet më lehtë sesa burri, kur është fjala për mëkatin e rrjedhshëm, që në këtë çast e kemi parasysh. Sepse ajo u josh nga një engjëll (edhe pse i rënë) e u pendua e para e e paditi gjarprin. E paditi ajo, jo burri. E pastaj, pikërisht gruaja e shpërbleu mëkatin, e para, duke nxjerrë në dritë Shëlbuesin; prandaj Shën Ambrozi na kujton, ne, shtegtarëve simbolikë të shekullit XXI, që i rijetojmë skenat e Zanafillës, këto fjalë: “Afrohu, o Evë, që tani quhesh Mari” (Shën Ambrozi, De Institutionis Virginis, C.V.). E sytë e historisë e tonët, drejtohen nga Eva e palume, tek Zoja e lume, Eva e Re: Maria! E shikojmë sesi fodullëkut të mëkatit të parë, i kundërvihet pohimi plot me gatishmëri e përvujtëri, i shqiptuar në shtëpinë e vogël të Nazaretit nga gruaja më e bindur e gjithë historisë. E ne tani jemi aty. Në shtëpinë e saj. Dëgjojmë jehonën shekullore të ‘po’-së thënë Zotit, që na fton sot të shqiptojmë ‘po’-në tonë, në vijim të shtegtimit…

Të themi pa zë një FalemiMari…








All the contents on this site are copyrighted ©.