2015-12-10 10:59:00

Rubrika jubilare: Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, emisioni II: një mendim i Papës


Emisioni II i rubrikës jubilare “Shtegtim shpirtëror përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit” i kushtohet një mendimi të veçantë të Papës. Në Letrën me të cilën Ati i Shenjtë jep ndjesën e plotë me rastin e Jubileut të mëshirës, thekson: “Mendoj për ata që, për arsye të ndryshme, nuk do të mund ta kapërcejnë Portën Shenjte. Në radhë të parë, për të sëmurët,  për njerëzit e moshuar e të vetmuar. Dëshiroj që edhe ata ta jetojnë me fe e shpresë gazmore këtë çast prove, duke u kunguar ose duke marrë pjesë në Meshën Shenjte e në lutjen komunitare, edhe përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit. Kjo do të jetë për ta një mënyrë për të fituar ndjesën e plotë jubilare. E edhe për ta kapërcyer, simbolikisht, Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit”.

Prandaj e zgjodhëm për emisionin tonë Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, për ta kapërcyer simbolikisht së bashku  me ju, që nuk mund ta shkelni këtë prag, pse jeni të sëmurë, të moshuar, të lodhur nga ngjarjet e jetës, në pamundësi për ta nisur shtegtimin jubilar me avion a me traget. Po pikërisht ju nuk mund të mungoni në asnjë mënyrë. Papa ju do pranë vetes, më shumë se të gjithë. Prandaj po ju ftojmë ta shkelni Pragun e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, përmes rubrikës sonë jubilare, duke hyrë në ngarjet kryesore të Shkrimit Shenjt nëpërmjet skenave të derdhura në bronz, mbrenda të cilave po fillojmë shtegtimin tonë.

Ta kapërcesh Portën shenjte do të thotë: “Dua të takoj Zotin, dëshiroj të bëj një hap drejt Tij”.

E hapi i parë i domosdoshëm është të pranojmë se të gjithë jemi mëkatarë, se tepër shpesh hutohemi, adhurojmë idhujt, të cilët heret a vonë na zvirdhen e ikin duke na e lënë shpirtin bosh. Atëherë ndjejmë nevojën e pakundërshtueshme për të bërë një hap, për ta kapërcyer një portë, për ta takuar Atë, që  ka në dorë shartet tona të amshuara!

E nisim shtegtimin duke hyrë në kornizën e skenës së parë të Portës prej bronzi, që na çon në Parajsën e humbur. Titullohet “Mëkati i rrjedhshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.