2015-12-10 18:59:00

Kardinali Koch: dokumenti i dialogut me hebrenjtë, nxitje për të vijuar


Gur kilometrik në marrëdhëniet e katolikëve me hebrenjtë. Kështu u quajt përmbledhtas dokumenti i botuar nga Komisioni për marrëdhëniet fetare me hebraizmin nga pjesëmarrësit e konferencës së shtypit të paraqitjes, në Vatikan. Të pranishëm, ndërmjet tjerëve, rabini David Rosen dhe kardinali Kurt Koch. Për të dy, teksti nuk është pikarritje, por nxitje për të vijuar.

Dokument qartësisht teologjik për të thelluar dialogun hebraiko-katolik, me rëndësi të posaçme për Papën Françesku. Këtë theksoi kardinali Kurt Koch, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet Fetare me Hebraizmin, duke folur për tekstin e paraqitur, duke shprehur mirënjohjen për përpjekjen e bërë nga të dyja palët, në favor të dialogut e duke vënë në dukje edhe shumë çështje, që mbeten akoma të hapura e që kërkojnë vijimin e studimit. Prej këndej mund të thuhet se dokumenti, formuluar në perspektivën katolike, nuk është pikë përfundimtare, por nxitje për të vijuar udhën. Në rrjedhë vitesh – theksoi kardinali Koch, duke cituar Papën Françesku - nga armiq e të huaj, që ishim, u bëmë miq e vëllezër. Krishterimi, vijoi të shpjegonte, rrjedh nga hebraizmi e qëllimi i dialogut është lufta kundër çdo forme të antisemitizmit. Po cili duhet të jetë qëndrimi i të krishterit mbi çështjen e ungjillëzimit, parë në lidhje me hebrenjtë? Ja si e mendon kardinali Koch:

“Kisha katolike nuk prin e as nuk inkurajon asnjë mision institucional  drejtuar hebrenjve. Duke qëndruar – për parim - e patundur në këtë refuzim të misionit institucional drejtuar hebrenjve, të krishterët janë të thirrur ta dëshmojnë besimin e tyre në Jezu Krishtin edhe para hebrenjve; por duhet ta bëjnë me përvujtëri e ndjeshmëri, duke pranuar se edhe hebrenjtë janë mbartës të Fjalës së Zotit e duke pasur mirë parasysh gjithashtu, tragjedinë e madhe të Shoah”.

Edhe rabini Rosen foli për vëllazërimin ndërmjet hebrenjve e katolikëve, duke kujtuar rrugën e gjatë të pajtimit, që u përshkua këto 50-vjetët e fundit e duke e quajtur dokumentin “gur kilometrik” në këtë udhë. Megjithatë, shtoi rabini Rosen, në të mungon referimi  i nevojshëm për kuptimin e plotë të hebraizmit, lidhur me qendërsinë që zë Toka e Izraelit në jetën fetare të djeshme e të sotme, të hebrenjve. Rabini vlerësoi edhe nismën e lutjes në Vatikan, organizuar nga Papa dhe theksoi rolin e rëndësishëm që luan Kisha për sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.