2015-12-08 15:15:00

Për Jubileun e jashtëzakonshëm, Portë e Mëshirës në çdo dioqezë të botës


Jubileu i Mëshirës, që filloi më 8 dhjetor, është përuruar nga Papa Françesku për t’u jetuar në një mënyrë intensive nga çdo Kishë, në çdo vend të botës.

Shenja më e dukshme e këtij synimi është mundësia e hapjes së Portave të Mëshirës në çdo dioqezë, kudo në botë, siç njoftoi me një komunikatë, Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.

Njëlloj si Portat e Shenjta në Bazilikat papnore të Romës, edhe Portat e Shenjta të dioqezave të botës do t’u lejojnë edhe atyre besimtarëve, që nuk mund të vijnë në Qytetin e Amshuar, në Romë, të kryejnë shtegtimin e shenjtë jubilar të Mëshirës Hyjnore.

Porta e Mëshirës

Ipeshkvi i dioqezës së vendit duhet të caktojë Kishën në të cilën do të hapet Porta e Mëshirës, një Portë Mëshire në çdo dioqezë, por edhe në Shenjtëroret më të rëndësishme të vendit, sidomos në ato më të frekuentuarat nga besimtarët. Mundësia për të marrë ndjesën e plotë duhet të kuptohet nga besimtarët si diçka e jashtëzakonshme e duhet jetuar si çast shpirtëror i rëndësishëm i rrugës drejt kthimit kah Zoti.

Hapja e Portës së Mëshirës

Pas fillimit të Vitit Shenjt, më 8 dhjetor, të gjitha Kishat e veçanta, pra të gjitha dioqezat, hapin Portat e Mëshirës, në bashkim me Kishën e Romës, gjatë një kremtimi eukaristik kryesuar nga ipeshkvi apo nga një delegat i ipeshkvit, në të dielën e tretë të Kohës së Ardhjes (E diela “Gëzimit”).

Atë të dielë, Papa Françesku hapë në Romë, Portën Shenjte të Katedrales së dioqezës së tij, që është Roma, pra Portën e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran

Kujtojmë se Riti i veçantë për hapjen e Portave të Mëshirës është miratuar enkas dhe mund të shihet në vëllimin “Kremtimi i Mëshirës”, i pari i një serie doracakësh për Jubileun, publikuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri. Për shembull, ngjyra liturgjike e veshjeve liturgjike për atë ditë do të jetë ngjyra vjollcë ose lejla në rozë, siç parashikohet për të dielën e “Gëzimit” e, nuk do të thuhet Lavdia, siç bëhet zakonisht gjatë Kohës së Ardhjes. Këto vëllime, ndër të cilët edhe ai me ritin në fjalë, janë botuar në shtatë gjuhë. Për më tepër, mund të shihet faqja e internetit e Jubileut “im.va”.

Kishat jubilare

Secila prej katër Bazilikave papnore të Romës (Shën Pjetri në Vatikan, Shën Gjoni në Lateran, Zoja e Madhe dhe Shën Pali jashtë Mureve), kanë nga një Portë Shenjte. Ato janë Kisha jubilare, ku besimtarët do të shkojnë në shtegtim për të marrë ndjesën e plotë, sipas kushteve të zakonshme. Tradicionalisht, janë Kisha jubilare edhe Bazilikat e Tokës Shenjte. Në vendet e tjera të botës, duhen konsideruar jubilare të gjitha ato Kisha dhe Shenjtërore, ku është hapur Porta Shenjte.

Në rastin e Romës, katër Bazilikave papnore u shtohen edhe tri Kisha të tjera, për të plotësuar atë, që tradicionalisht njihet si “shtegtimi i shtatë kishave”. Ato janë Bazilika e Shën Lorencit jashtë Mureve, ajo e Shën Kryqit në Jeruzalem dhe e Shën Sebastianit jashtë Mureve, të gjitha këto janë në Romë. Kjo udhë pendestare u është lënë trashëgim romakëve nga Shën Filip Neri, që në vitet ‘500.

Përveç këtyre, gjatë Jubileut, në Romë, do të konsiderohen Kisha jubilare, ku mund të merret ndjesa e plotë, edhe Shenjtërorja e Dashurisë Hyjnore dhe Kisha e Shpirtit Shenjt në Sassia, e njohur si Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore. Po ashtu, do të mund të merret ndjesa e plotë në ato kisha, që e kanë përherë këtë të drejtë.

Pas kalimit të Portës Shenjte

Pasi të kalojnë Portën Shenjte ose Portën e Mëshirës, ose në një nga rrethanat e tjera për të cilat Papa Françesku ka lejuar marrjen e ndjesës së plotë (për shembull, për të sëmurët, të burgosurit e për këdo që kryen personalisht një vepër mëshire) e pasi të jenë të sigurt se i plotësojnë kushtet, të cilat kërkojnë një zemër të predispozuar që Hiri Hyjnor të sjellë frytet e shpresuara, besimtarët duhet të ndalen në lutje e të kryejnë aktet e fundit: të thonë Besojmën e lutjen për Papën, si edhe lutjen sipas ndjetit të Atit të Shenjtë.

Kjo e fundit mund të jetë së paku urata e Atynës, por edhe më shumë. Në veçanti, fryma e propozuar për këtë Vit të Shenjtë na sugjeron të themi lutjen e bukur të Papës Françesku për Jubileun e ta përfundojmë çastin e lutjes duke iu drejtuar Jezusit Zot të Mëshirshëm (për shembull, “O Jezus i Mëshirshëm, besoj në Ty”).








All the contents on this site are copyrighted ©.