2015-12-08 12:33:00

Kardinali Piacenza shpjegon Ndjesën e plotë jubilare


Gjatë Vitit të Mëshirës është e mundur të fitohet Ndjesa e plotë jubilare, duke shkuar në shtegtim në Portën Shenjte, si shenjë e kthimit të thellë të zemrave kah Zoti. Por çfarë është Ndjesa e plotë? Është falja e plotë edhe e “gjurmës së përkohshme” të mëkateve të falura tashmë gjatë Rrëfimit. Njeriu duhet “shëruar” progresivisht nga pasojat negative, që ka shkaktuar mëkati në të. Tradita teologjike i quan këto “gjurmë” e “mbetje” të mëkatit. Vërtet, çdo mëkat, edhe pse i falur nga Zoti, lë një lloj gjurme, që duhet shlyer – këtu mbi tokë, ose në jetën e përtejme – në mënyrë që besimtari të pastrohet krejtësisht. Por, më hollësisht, të dëgjojmë shpjegimin e Pendestarit të Madh, kardinalit Mauro Piacenza:

         Pasi falen mëkatet, shpërpjestimi ndërmjet shenjtërisë së Zotit e dashurisë së Tij dhe negativitetit të mëkatit është kaq i madh, sa akoma ekzistojnë mbetje të mëkatit. Mëkati është i falur, por mbeten gjurmët e shkaktuara prej tij. Ja, Ndjesa e plotë – e këtu është vlera e çmuar e saj – qëndron në faktin se mund të jemi protagonistë të mëshirës pa fund të Zotit, i cili pastron gjithçka – si një fshesë hyjnore, nëse mund të shprehemi kështu – që merr me vete edhe pluhurin më të imtë. Prandaj, kur njeriu merr Ndjesën e plotë, pas Rrëfimit, është vërtet si pas Pagëzimit: praktikisht rifillon një jetë të re. U duhet shpjeguar e sidomos duhen ndihmuar njerëzit, që të përpiqen t’i plotësojnë kushtet për marrjen e Ndjesës së plotë. Pasi është e qartë që ka kushte për marrjen e kësaj Ndjese e ato janë Rrëfimi e Kungimi në një hark kohor të përshtatshën, lutja sipas ndjeteve të Atit të Shenjtë, thënia e Atynës dhe e Besojmës së krishterë… por kjo është asgjë në krahasim me çfarë na dhurohet. Gjithsesi, thelbi, gjëja më e rëndësishme e kësaj rruge të domosdoshme është pendimi i sinqertë i zemrës, akti i përsosur i dashurisë para Zotit e për të afërmin. Është pikërisht kjo, që na bën ta meritojmë Ndjesën e plotë. Prandaj, Viti Shenjt përqendrohet në dy pika kryesore, që janë Rrëfimi dhe Ndjesa e plotë.      

         Porta Shenjte, gjatë këtij Jubileu, quhet Porta e Mëshirës. Por ç’do të thotë kjo?

         Në një ndërtesë, në një strukturë kishtare, porta ka gjithnjë rëndësi të madhe simbolike. Pse? Këtu duhet të shohim Ungjillin sipas Gjonit, kapitullin X, ku Jezusi thotë për vetveten: “Unë jam porta. Kush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet”. Natyrisht, i referohet kalimit nga gjendja e mëkatit në gjendjen e hirit. Prandaj, kur Ati i Shenjtë na tregon portën, e ka fjalën pikërisht për këtë teologji, që përmbahet në shprehjen e Jezusit. Është e qartë se të kalosh portën nuk është ndonjë ngjarje “magjike”, por është shenjë fetare, së cilës i jap një kuptim të caktuar. Çdo gjë që bëjmë - për shembull, ngjyerja e gishtit në ujë të bekuar për të bërë shenjën e kryqit – nuk është ndonjë gjest magjik, por në përpjestim me fenë me të cilën e bëj atë gjest, duke kujtuar ujin e Pagëzimit, që më ka bërë ndjekës të Krishtit, atëherë mund të më shlyhen mëkatet e vogla, jo mortare… kaq e madhe është mëshira e Zotit. E kështu “e kapërcej portën”. Nëse unë shkoj me fe, mendoj mirë brenda vetes e them: dua të kaloj nga një nivel i jetës në një tjetër, më të lartë. Duke rrëmuar në ndërgjegje gjej këtë lloj pluhuri, që më është ngjitur në rroba o në lëkurë, gjatë shtegtimit në këtë botë, e dua ta pastroj, për të kaluar në një jetë të lidhur më ngushtë me Ungjillin. Në këtë kuptim, pranoj se Krishti është porta ime, Krishti është çlirimi im e gati ndjej në shpirt e në vesh jehonën e fjalëve të Jezusit: “Unë jam porta. Kush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet”. Në atë çast, jemi në përkim me atë që deshi të na thotë Ati i Shenjtë, duke na treguar portën.








All the contents on this site are copyrighted ©.