2015-12-07 18:49:00

Ta shoqërojmë Imzot Rrok Mirditën me lutje, nësa kapërcen Portën e Mëshirës Hyjnore


Imzot Rrok Mirdita ndërroi jetë pikërisht në vigjiljen e hapjes së Portës Shenjte të Mëshirës së Zotit  në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Po të ishte gjallë, do t’u kishte prirë besimtarëve të vet në këtë kapërcim simbolik, në Tiranë, ku nuk lindi, por ku do të mbetet përgjithnjë në kujtesë të popullit. Do t’i takonte, për herë të parë në historinë e Kishës në Shqipëri, ta hapte, të diel, më 13 dhjetor, Portën Shenjte të asaj katedraleje, që, kur shkeli për herë të parë në Kryeqytet, i emëruar në detyrën aq të rëndësishme e aq të vështirë të Kryeipeshkvit të Durrësit, nuk  dihej ende ku do të ngrihej. E as ai vetë nuk e dinte ku e si. Por ndërkaq e dinte mirë se kishte përkrah Provaninë Hyjnore e në qiell, një ndërmjetësuese të madhe, Nënë Terezën, me të cilën takohej shpesh.

Kur shumëkush ëndërronte të nisej për në Amerikë, ai u nis për në Shqipëri. Kur shqiptarët dyndeshin në drejtim të Perëndimit, ai shtegtonte kundër rrymës, në drejtim të Kombit të vet, ku gjeti gërmadha të lumnueshme shpirtrash e kishash. Mbi to naltoi   katedralen e dytë të një vendi, që kishte  ecur 50 vjet në rrugën e martirizimit. E nisi të ndërtojë dhe shpirtrat, duke i zbrazur pak nga pak nga tmerri i diktaturës, për t’i mbushur plot me hirin e Zotit.

 Gjeti një Kishë të shembur, e njëkohësisht të lumnueshme. Gjeti pak ndërtesa, e shumë  fe. Gjeti pak  besimtarë, e shumë besim. Gjeti kulturën e  krishterë të katakombave, të këputur përmes, por edhe njerëz që do të ishin në gjendje ta përtërinin, nëse një dorë e aftë do t’u printe në rrugën e drejtë. Gjeti një grigjë të përgjysmuar, e cila pa në Të, bariun e patrembur, gjithnjë pranë saj. Besimtarët e jo besimtarët e kryeqytetit prisnin dorën e Tij e fjalën e Tij. E imzot Rrok Mirdita, më i riu nga të katër ipeshkvijtë, që u shuguruan nga dora e shenjtë e Gjon Palit II, më 25 prill 1993, diti t’i drejtojë në udhën e përtëritjes.

Ngriti Katedralen e Shën Palit. E njerëzve iu duk sikur kishte ardhur rishtas mes tyre, Apostulli i Popujve, ai që e kishte kumtuar së pari Lajmin e Mirë në trevat shqiptare! Sepse ipeshkvi i ardhur nga Amerika, nuk u ndalua vetëm tek katedralja, por vijoi të  ngrinte shumë kisha të tjera, që hapën portat e tyre një pas një në kryedioqezën e tij metropolite, e cila më pas u quajt e Tiranë-Durrësit. Ndërtoi kështu Kishën e gurit, e Kishën e gjallë.

E tani i kishte ardhur ora ta  kapërcente për herë të parë në historinë e Kishës katolike në Shqipëri, Portën Shenjte të katedrales së lartuar prej tij. Duke lënë një kujtim tjetër të jashtëzakonshëm. Për t’u ndaluar, pastaj, sadopak, e për të pushuar, pas gjithë këtij mundimi. Po Zoti e thirri të kapëcente një Portë tjetër, shumë më të lumnueshme: atë të jetës së pasosur. E ftoi pranë Tij, e ne na takon ta shoqërojmë në këtë shtegtim me lutje, siç shpresonim të shtegtonim pas Tij, duke kapërcyer Portën e Mëshirës së Katedrales së Shën Palit. Bariu i palodhshëm u nis përsëri. Duke na lënë trashëgim një pasuri të pashoqe, mbi të cilën është vulosur përgjithmonë emri i Ipeshkvit, që la Amerikën e begatë, për të ndërtuar Kishën e rrënuar të Kombit të vet të varfër, përmes së cilës drita e Zotit nisi të shndrisë përsëri mbi vendin e mbi popullin. 

Fjalë domethënëse që imzot Rrok Mirdita tha në mikrofonin e Radio Vatikanit me rastin e festës së Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit....          








All the contents on this site are copyrighted ©.