2015-12-07 13:12:00

Papa për Ditën e lutjes për thirrjet: të pagëzuarit të gëzohen se i përkasin Kishës


U bë i njohur Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 53-të Botërore të Lutjes për Thirrjet në jetën meshtarake e rregulltare, që do të kremtohet më 17 prill 2016, në të Dielën e katërt të Pashkëve, me temë “Kisha, nëna e thirrjeve”.

Që në krye, Ati i Shenjtë përmend menjëherë Vitin Shenjt, që fillon nesër. “Sa do të doja – shkruan Papa – që, gjatë Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, të gjithë të pagëzuarit të mund ta provojnë gëzimin e përkatësisë në radhët e Kishës! E të mund të rizbulojnë se thirrja e krishterë, ashtu si thirrjet e veçanta, lind në gjirin e popullit të Zotit e janë dhurata të mëshirës hyjnore. Kisha është shtëpia e mëshirës, është ‘toka’ ku mbin, rritet e sjell fryte filizi i thirrjes”.

Nga Bula për shpalljen e Jubileut, Ati i Shenjtë citon “fjalët e shën Bedës së Nderuar, që i referohen thirrjes së shën Mateut: ‘Miserando atque eligendo’ (Misericordiae Vultus, 8). Veprimi i mëshirshëm i Zotit i fal mëkatet tona dhe na hap dyert e jetës së re, që konkretizohet në thirrjen për ta ndjekur e për të shkuar në mision. Çdo thirrje në Kishë e ka zanafillën në vështrimin e mëshirshëm të Jezusit. Kthimi i zemrës kah Zoti dhe thirrja janë dy faqe të së njëjtës medalje dhe e kërkojnë vazhdimisht njëra-tjetrën gjatë gjithë jetës së dishepullit misionar”.

“Askush nuk është i thirrur vetëm për një arsye të caktuar, as për një grup o për lëvizje kishtare, por për Kishën e botën”, vijon Ati i Shenjtë duke shpjeguar kuptimin e thirrjeve. Papa nënvizon se “duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit, i riu ka përpara vetes një horizont të gjerë kishtar, mund t’i marrë parasysh karizmat e shumta e kështu, të bëjë një shoshitje më objektive”. “Bashkësia – vëren Bergoglio – bëhet kështu shtëpia e familja ku lind thirrja; kandidati kundron me mirënjohje këtë ndërmjetësim komunitar si element të domosdoshëm për të ardhmen e vet; mëson të njohë e t’i dojë vëllezërit e motrat, që ndjekin rrugë të ndryshme nga e tija; dhe këto lidhje përforcojnë bashkimin e të gjithëve”.

Thirrja, shkruan më tej Françesku, jo vetëm lind e rritet në Kishë, por edhe mbështetet prej saj, prej të gjithë besimtarëve, të cilët kanë përgjegjësi për kandidatët. Papa kujton gatishmërinë e Palit e të Barnabës, në fillim të historisë së krishterimit, për të shkuar atje ku i duhej Kishës dhe i propozon si shembull i një thirrjeje vërtet misionare, për t’u ndjekur edhe sot.








All the contents on this site are copyrighted ©.